Apolonia barazon me Kastriotin, sherr për 1 pikë. Plas edhe grushti në Fier…

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Apolonia barazon me Kastriotin, sherr për 1 pikë. Plas edhe grushti në Fier…
Aug 26th 2012, 12:04

APOLONIA – KASTRIOTI  1-1
GOLAT: Ribaj 2'/ Sekseni 15'
APOLONIA: Miço, Cimili (Tepshi 85'), E.Çela, Llënga, Ndoni, Prifti, Muça, Sako (Hazizaj 65'), Popoviç (Naçi 80'), Ribaj, Rama. Trajner: E.Demiraj
KASTRIOTI: Moçka, Caca, Sykaj, Hoxha, Turdiu, Gocaj (Xhafa 89'), Sekseni, Karapici (Shaba 65'), Laziç, Daja (Shehaj 92'), S.Çela. Trajner: A.Mërgjyshi
Kartonë të verdhë: Popoviç 20', Llënga 85'/ Turdiu 62', Moçka 75'
Karton i kuq: S.Çela 54'
Delegat: Besnik Çela
Vëzhgues: Pajtim Aliko
GJYQTARET: E.Hoxha, R.Çokaj, G.Koka (Lezhë)

MINUTAT
2' Aksion i shpejtë i Apolonisë në qendër, Rama pason saktë te Ribaj, i cili i gjendur brenda zonës gjuan fort me të majtën e tij, duke e dërguar drejt e në rrjetë, 1-0.
8' Popoviç lëshon një top për Ramën, i cili, pasi shmang një mbrojtës të Kastriotit, gjuan me gjysmëkthese mbi vijën e zonës, por pret portieri Moçka.
15' Goditje këndi nga e majta për Kastriotin, kros në zonë dhe Sekseni i harruar nga mbrojtësit fierakë gjuan me forcë në drejtim të portës: topi, pasi prek një mbrojtës vendës, përfundon në rrjetë. Dhe 1-1.
22' Cimili pason te Popoviç, i cili gjuan në ecje e sipër, por topi vetëm sa qeth traun e portës krutane.
30' Është sërish Popoviç, që gjuan mbi vijën e zonës, por topi përfundon mbi tra.
37' Sekseri kombinon mjaft bukur me Karapicin, ky i fundit në hyrje të zonës gjuan, por grushton Miço, duke e devijuar topin në korne.
47' Laziç harkon në zonë dhe Sekseni gjuan me kokë, por Miço nuk lejon prekjen e rrjetës.
49' E.Çela, që ka avancuar brenda zonës krutane, merr një top nga Prifti, gjuan, por pret Moçka.
54' Cimili pason bukur te Ribaj, që gjuan fort, por grushton Moçka.
78' Kombinim mjaft i bukur Rama–Ribaj, i mbështetur dhe nga Muça, sjellin panik në zonën krutane, por gjuajtjen e sulmuesit fierak Ribaj, Moçka e neutralizon më së miri.
84' Sekseni i shpëton mbulimit të mbrojtjes fierake, gjuan në hyrje të zonës dhe del i vetëm përballë Miços, gjuan, por portieri grushton me vështirësi.
89' Rama, pasi shmang dy mbrojtës krutanë, gjuan në drejtim të portës tokazi, por pa mundur të shënojë.

Apolonia dhe Kastrioti kanë ndarë nga një pikë në takimin e djeshëm. Kanë mjaftuar vetëm 15 minuta për të vendosur fatin e gjithë ndeshjes, ku Ribaj për Apoloninë dhe Sekseni për miqtë u kanë dhënë nga një pikë skuadrave respektive. Por jo gjithçka ka shkuar ashtu si duhet. Përveç dy golave, kjo përballje ka pasur kartonë të verdhë e të kuq, por edhe nervozizëm si në fushën e lojës, ashtu dhe në shkallët e stadiumit. Kjo, për shkak se në minutën e 54-t, mesfushori i Kastriotit, Semiran Çela, e ka humbur ekuilibrin brenda zonës fierake, duke pretenduar për një 11-metërsh, por gjyqtari vazhdon lojën. Lojtari ngrihet dhe e godet me grusht në fytyrë mbrojtësin fierak Llënga, ndërsa gjyqtari e ndëshkon me të kuqe. Pas këtij momenti, loja ndërpritet për afro dy minuta e 30 sekonda, jo vetëm për protestë të futbollistit krutan të ndëshkuar, por dhe për vonesë të daljes së tij nga fusha e lojës. E kjo bëri që të irritoheshin tifozët fierakë, të cilët nisin ta shajnë në kor futbollistin. Është dashur ndërhyrja e kapitenit të fierakëve, Emiljano Çela, që të qetësohej tifozëria, për të vazhduar më pas lojën.
Pjesa e parë - Takimi fillon i shpejtë dhe merita për këtë i takon Apolonisë, e cila hidhet tërësisht në sulm, në kërkim të golit të avantazhit. Dhe pa kaluar as dy minuta nga fillimi i ndeshjes: sulmuesi fierak Ribaj, pasi merr një pasim të bukur nga sulmuesi tjetër Rama, futet brenda zonës, gjuan "hidhur" me të majtën e tij, duke e mposhtur portierin Moçka. Pas këtij momenti u mendua se fitorja e fierakëve do të ishte e padiskutueshme, madje dhe me një rezultat të thellë. Mirëpo, lojtarët fierakë, edhe pse e rrezikojnë seriozisht portën e Moçkës, nuk arrijnë të shënojnë duke humbur qetësinë dhe saktësinë. Nga ana tjetër krutanët, edhe pse kanë pësuar që në fillim të ndeshjes, nuk bien në pesimizëm. Ata luajnë me një mbrojtje të ngjeshur, duke qenë racionalë në veprimet e tyre, por edhe kundërsulmojnë rrezikshëm. Në minutën e 15- të S.Çela ekzekuton një goditje këndi nga krahu i majtë, duke e harkuar topin në zonë dhe Sekseni përfiton nga një hutim i mbrojtjes vendëse, gjuan fort, duke e barazuar rezultatin. Rastet do të ishin të njëpasnjëshme për skuadrat respektive, por kjo pjesë nuk do të dhuronte më gol.
Pjesa e dytë - Fraksioni i dytë fillon më i mirë për miqtë, që me anë të kundërsulmeve të shpejta kërkojnë të shënojë golin e avantazhit. Por mbrojtja fierake dhe portieri Miço nuk janë të këtij mendimi dhe zmbrapsin aksionet e krutanëve. Në minutën e 54-t miqtë ngelen me 10 lojtarë në fushë, pas daljes me karton të kuq të S.Çelës, por fierakët nuk dinë të përfitojnë nga kjo. Kështu, i gjithë takimi përfundoi në barazim, një rezultat që nuk duket se kënaq asnjërën prej skuadrave duke pasur parasysh objektivat.

MË I MIRI
Ribaj i Apolonisë dhe Sekseni i Kastriotit ishin pa dyshim lojtarët më të mirë në fushën e lojës. Sulmuesi fierak e vuri disa herë në pozitë të vështirë mbrojtjen krutane dhe portierin mik. Nga ana tjetër, edhe Sekseni sa herë që vihej në zotërim të topit sillte panik në mbrojtjen fierake, ku përveç golit mund dhe duhej të kishte shënuar sërish.

MË PAK AKTIVI
Semirjan Çela, mesfushori i Kastriotit, jo vetëm që nuk tregoi vlerat e tij në fushën e lojës, por mungesën e përgatitjes fizike kërkoi ta justifikonte me një gjest të pahijshëm sportiv, duke goditur me grusht Llëngën. Kjo bëri që të ndëshkohej me karton të kuq, duke e lënë skuadrën me 10 lojtarë, që gjithsesi e menaxhoi më së miri rezultatin e pjesës së parë të takimit.

ELIDON DEMIRAJ,  trajner i Apolonisë
“E nisëm ters, por ndikuan mungesat”
Numri dy i pankinës fierake, Elidon Demiraj, pas përfundimit të sfidës pohoi: "E filluam me këmbën e gabuar kampionatin. Na munguan tre lojtarë, dy të formacionit bazë, dhe nuk arritëm të dilnim si duhet në lojën tonë. Edhe pse shënuam të parët, pësimi i golit solli njëfarë nervozizmi te lojtarët tanë. Megjithëse luajtëm më shumë se kundërshtari, sulmuam shumë më tepër dhe krijuam raste flagrante, mirëpo na mungoi qetësia, saktësia dhe konkretizimi. Mungesa e lojtarëve si Jakupi e Toni, me të cilët kishim përgatitur dhe modulet taktike të lojës, na i prishën ato dhe nuk arritëm të prodhonim atë lojë për të cilën ishim përgatitur. Për këtë zhgënjim, dua t'u kërkoj falje tifozëve fierakë, duke i siguruar se me kthimin në formacion dhe në stol të lojtarëve të munguar skuadra do të arrijë të prodhojë lojëra të bukura e të suksesshme".

ARTAN MËRGJYSHI, trajner i Kastriotit
“Gjyqtari Hoxha na mohoi një penallti”
Artan Mërgjyshi, trajneri i Kastriotit, pas përfundimit të takimit tha: "Ashtu si rrodhën ngjarjet, një pikë e marrë në këtë ndeshje nuk na kënaq. Megjithatë, ky është futbolli. Ne bëmë mjaftueshëm, kishim lojën në dorë në fillimin e pjesës së dytë, por na ndëshkoi një gabim amatoresk i S.Çelës, që e la ekipin me 10 lojtarë. Sa për gjyqtarët, nuk dua të flas, por na u mohua një 11-metërsh flagrant në rrëzimin e S.Çelës brenda zonës. Mendoj se arbitri gaboi. Në qoftë se në moviolë del se nuk është penallti, atëherë unë jap menjëherë dorëheqjen nga drejtimi. Ndërsa për kartonin e kuq të lojtarit tonë them se ishte më se i merituar. Pika nuk na kënaq, megjithatë kur mendojmë që luajtëm përreth 40 minuta me 10 lojtarë, them se duhet të mjaftohemi me kaq. Është vetëm ndeshja e parë. Tani duhet të mendojmë për Bylisin".

Gjoka si Rubio, në tribunë prej kontratës
Një mungesë e rëndësishme e Apolonisë në takimin e djeshëm, që ishte edhe i pari për këtë sezon, ishte ajo e trajnerit Ernest Gjoka. Ai, ashtu si edhe homologu i tij, trajneri i Tiranës, Hulian Rubio, ka qëndruar jashtë telave rrethues të fushës, për shkak të mungesës së kontratës me klubin e Apolonisë. Ndërkohë që ekipin e ka drejtuar zëvendësi i tij, Elidon Demiraj. "Është një problem, i cili besoj do të marrë zgjidhje shumë shpejt. Ka të bëjë me vitin e dytë të kontratës, pasi me drejtuesit kam rënë dakord për një bashkëpunim dyvjeçar. Besoj se marrëveshja do të arrihet shumë shpejt. Për sa i përket ndeshjes, mund të them se duke parë edhe mungesat, jam gjysmë i kënaqur me skuadrën", – ka thënë Gjoka për "Panorama Sport".

Sekseni apo Çela?
"Golin e barazimit e kam shënuar unë". Kështu u shpreh dje për "Panorama Sport" mesfushori i Kastriotit, Semiran Çela. Pas një korsimi në zonën fierake, ishte Sekseni dhe Çela që luftuan për të shtyrë topin drejt rrjetës, mirëpo nuk u mësua saktësisht se cili ishte autori i golit. Shumica e lojtarëve të Kastriotit festuan me Seksenin, ndërsa Çela pretendon se ka shënuar ai. Mirëpo, mësohet se gjyqtari Hoxha ia ka quajtur golin Seksenit.

APOLONIA, PA 3 TITULLARË
Apolonia e nisi ndeshjen e parë ndaj Kastriotit me tri mungesa në formacion. Kështu, Vangjel Jakupi, Toni Culver dhe Rigers Dushku, për shkak të mungesës së dokumentacionit të paraqitur në FSHF, nuk ishin nën urdhrat e trajnerit Elidon Demiraj, i cili e drejtoi nga pankina këtë sfidë. Pritet që tre lojtarët e ardhur gjatë merkatos së verës të jenë gati për ndeshjen e radhës ndaj Skënderbeut.
MIKEL MBRIÇAJ

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions