“Dramë” te Besa, 6 javë jashtë fushave për Poçin. Kapiteni kalon në operacion

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
"Dramë" te Besa, 6 javë jashtë fushave për Poçin. Kapiteni kalon në operacion
Aug 31st 2012, 12:02

Ka nisur me probleme sezoni për kapitenin e Besës së Kavajës, Artion Poçi. Gjatë miqësores ndaj Lushnjës, 10 ditë më parë, mesfushori u dëmtua në minutën e 41-të të takimit, duke mos qenë në dispozicion të trajnerit Ilir Daja për ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Laçit, ku Besa barazoi 1-1. Megjithëse, kur pritej që lojtari të rikuperonte për takimin e javës së dytë, vjen edhe konfirmimi negativ nga ana e mjekëve të klubit: kapiteni do mungojë të paktën 6 javë, pasi u dëmtua sërish gjatë një seance përgatitore. Në një aksion krejt normal, Poçi tenton që të driblojë sulmuesit të ri, Mateo Hasa, por ky i fundit krejt pa dashje natyrisht i ka ndërprerë rrugën dhe në kërcim e sipër rrëshqet takat mbi këmbën e kapitenit. Kaq është dashur që mesfushori të gjakoset dhe më pas ta ndërpresë stërvitjen, duke u nisur menjëherë drejt Tiranës për ekzaminim.
Dëmtimi - Fillimisht u mendua për çarje të tendinës, skenari më i keq i mundshëm, çka do të thoshte "lamtumirë futboll", por më pas u saktësua edhe diagnoza. Kapiteni iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin Ushtarak, nga ku më pas u konstatua edhe diagnoza e saktë, si dhe koha e rikuperimit. "Isha me fat, nëse mund ta quaj kështu, nga e keqja më e madhe që mund të më ndodhte. Mund të kisha çarë edhe tendinën. Nuk e kuptova edhe në ato momente sesi ndodhi, pasi nuk kishte asnjë shkak dhe arsye të ndodhte. Nuk isha as përballë Hasës dhe as ai nuk ndërhyri fort, por ndërsa ulej nga kërcimi takat e tij shkelën këmbën time. Thjesht ishte e shkruar të ndodhte. Në këtë situatë e quaj veten me fat që nuk u dëmtova aq sa ta lija fare futbollin", – ka pohuar Poçi.
Rikuperimi - Në fakt, kapiteni ka qenë i detyruar t'i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila zgjati disa orë. Gjatë operacionit mjekët konstatuan se nuk bëhej fjalë për çarje tendine dhe se Poçi do të pushonte vetëm 6 javë. Më pas ai do të jetë i gatshëm për trajnerin Ilir Daja. "Operacioni zgjati mbi një orë dhe në fund, krahas keqardhjes për dëmtimin, mjekët më thanë se mund të luaj pas 6 javësh. Më vjen keq që në këtë fillimsezoni nuk do mund të kontribuoj për Besën pas një faze përgatitore, ku jam lodhur shumë. Megjithëse, përsëri edhe pa mua, Besa ka një grup të fortë e shpresoj të arrijnë sukses", – përfundon Poçi.

Zhdrella vendos: Luaj te Skënderbeu ose Besa
Mentor Zhdrella do ta zgjidhë sot përfundimisht të ardhmen e tij. Tri herë i zgjedhur si futbollisti më i mirë i Kosovës, kapiteni i FK Hysi ka pohuar në mediat kosovare (Kosova sport) se ditën e sotme, e cila përkon edhe me finalen e merkatos së verës për kampionatin shqiptar, ai do të vendosë se ku do të luajë, duke zgjedhur njërën nga dy skuadrat shqiptare: Skënderbeun e Korçës ose Besën e Kavajës. “Nesër (sot) do të vendos përfundimisht se me cilën skuadër do të luaj në Shqipëri. Kam oferta nga Skënderbeu dhe Besa, megjithëse vetëm nesër (sot) do të zgjedh se cilën fanellë do të vesh”, – ka pohuar sulmuesi. Sakaq, më parë Zhdrella pati një ofertë të Tiranës. Ai pati konfirmuar bisedat me zyrtarë të këtij klubi, porse ato u ndërprenë, pasi oferta e bardhebluve ishte tepër e ulët. “Kam pasur biseda me zyrtarë të Tiranës, por asgjë nuk është arritur dhe ato u ndërprenë, duke qen se nuk ishim as afër sa u përket kushteve të kontratës”, – ka thënë Zhdrella.
FERIZ FERIZAJ

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions