Laçi zhgënjen para tifozëve, bind Besa. Kavajasit janë të kënaqur me barazimin

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Laçi zhgënjen para tifozëve, bind Besa. Kavajasit janë të kënaqur me barazimin
Aug 26th 2012, 12:03

Laci para ndeshjes me Besen 1-1

LAÇI – BESA  1-1
GOLAT: Vucaj 6'/ Kaja 40'
LAÇI: Vashaku, Doku, Buljan, Marku, Milenkoviç, Vucaj, Bilibashi (Zefi 46'), Kastrati, Nimani (Marashi 72'), Emurllai, Abazaj. Trajner: P.Daiu
BESA: Bejte, Fejzullai, Kaja, Abraham, Krasniqi, Batha, Mihani (Aziri 65'), Mustafa, Dita (Rroshi 65'), Berisha, Sefa (Maliniç 69'). Trajner: I.Daja
Kartonë të verdhë: Kastrati 64'/ Kaja 5', Mustafa 59', Bejte 90'
Vëzhgues: Sokol Jareci (Tiranë)
  GJYQTARET: B.Pashaj, E.Barushi (Tiranë), M.Dervishi (Shkodër)

MINUTAT
6′ – Aksion i shpejtë i Laçit në krahun e djathtë, me protagonist Nimanin. Pasi i fundit është për Abazajn, i cili pengohet në mënyrë të parregullt nga Kaja. Gjyqtari akordon një 11-metërsh, ekzekutimin e të cilit e merr përsipër Vucaj, duke e shndërruar në gol. Dhe 1-0.
13' Qendërsulmuesi Abazaj provon "dorezat" e Bejtes, gjuan fort, por portieri nuk lejon prekjen e rrjetës.
15' Besa fiton një top në mesfushë dhe shtyn me Berishën, i cili nxjerr në pozicion të mirë kapitenin Xhihani, gjuan, por topi del jashtë.
32' Goditje dënimi për bardhezinjtë: gjuan Vucaj, por topi kalon shumë pranë shtyllës së majtë të ruajtur nga Bejte.
40' Sulm nga e djathta e miqve, këtë herë me Mihanin paksa të spostuar në këtë krah. Krosi i tij nuk largohet mirë nga mbrojtja dhe ish-futbollisti i Laçit, Ervis Kaja, ka shenjëstruar saktë. Dhe 1-1.
59' Dita ka një rast ideal për të shënuar, depërton deri në thellësi, por në momentin që kavajasit po bëheshin gati të festonin një gol tjetër, ndërhyn mbrojtësi Marku, duke e devijuar topin jashtë vijave.
75' Rast ideal për Emurllain për ta kaluar Laçin në avantazh. Tetovari gjuan fort, por topi kalon jashtë në të majtë të kuadratit.
78' Mundësi e mirë e bardhezinjve me anë të Marashit që, pasi ka fituar një dyluftim me mbrojtësit e Besës, heziton të pasojë, gjuan, por topi del jashtë.
86' Besa në dy raste brenda kësaj minute ka mundësi për të ndëshkuar. Mirëpo, sulmuesi Maliniç ka vonuar në gjuajtjet dhe Vashaku ka evituar humbjen për Laçin.

Kampionati i ri, bluza të reja, pse jo dhe "huqe" të reja. Laçi dhe Besa u përballën dje në kuadër të javës së parë, në një nga impiantet me standarde të larta, duke iu dhuruar të pranishmeve në shkallë emocione të shumta, por që fundi i 90 minutave nuk nxori asnjërën fituese. Përpara këtij takimi, skuadra e drejtuar nga Përparim Daiu kuotohej si superfavorite, ndërkohë që miqtë nga Kavaja kishin deklaruar se udhëtonin drejt Laçit me mendimin për të mos dalë pa pikë. Dhe ia dolën mbanë, duke frenuar kurbinasit në ndeshjen e parë të kampionatit.
Pjesa e parë Loja nisi e shpejtë për të dyja skuadrat. Trajneri bardhezi e vendosi skuadrën me një rreshtim që në pamje të parë i "dërgonte" të gjithë te goli, ku falë një penalltie në të 6-ën minutë, Vucaj i ka nxjerrë të tijtë në avantazh. Duket se vendësit e kanë mësuar "rrugën" në shtëpi, por dalëngadalë të besuarit e Dajës marrin terren në mesfushë, duke organizuar aksione të rrezikshme drejt portës së mbrojtur nga Vashaku. Në dy raste miqtë nga Kavaja janë pranë barazimit, ashtu sikurse dhe laçianët me anë të Emurllait dhe Abazajt. Të dy këta lojtarë i afrohen disa herë golit, por pa sukses. Pavarësisht rasteve të shumta, Besa do të barazonte në fund të fraksionit të parë të lojës. Kështu, në minutën e 40-të, mbrojtësi Ervis Kaja (më parë ka luajtur dy sezone me Laçin) ka ndjekur një aksion nga e djathta dhe, pas hezitimit të mbrojtjes, ka gjuajtur tokazi duke e çuar topin drejt e në rrjetë.
Pjesa e dytë Në fillimin e pjesës së dytë, numri një i pankinës së Laçit bën një zëvendësim, duke hedhur në fushë Zefin, me mendimin për fuqizimin e këtij reparti. Në fakt, futbollisti i ri, edhe pse vjen pas një dëmtimi, i dha më tepër vlerë këtij reparti, që si gjithnjë dirigjohet nga Vucaj. Mirëpo, sërish ky repart mbeti larg pritshmërisë, aq sa kundërshtari e kuptoi mirë këtë gjë dhe shpesh u gjend me forca të shumta në këtë sektor. Orvatjet e bardhezinjve janë më konkrete, por si Abazaj ashtu dhe Emurllai por dhe Marashi që hyri në mesin e pjesës së dytë, nuk ia dolën të mbërrinin te goli i fitores. Nga ana tjetër, të besuarit e Ilir Dajës me kalimin e minutave u shfaqën më të rrezikshëm në zonën kundërshtare. Trajneri i Besës, i njohur si një takticient potenet shton forcën goditëse me "gjigandin" Maliniç dhe të shpejtin Aziri. Në dy-tri raste në fund, verdhezinjtë ishin pranë avantazhit, por pa sukses. Gjithsesi, vetëm nga një pikë në premierën e Superiores për Laçin dhe Besën. Të dyja skuadrat shtrënguan duart në fund të një takimi, që u gjykua nga gjyqtari Pashaj. Tashmë atyre u duhet të mendojnë për javën e ardhshme, ndërsa Laçin e pret një sfidë e vështirë në transfertë kundër Flamurtarin dhe Besa do të presë në shtëpi Tomorin.

MË I MIRI
Mbrojtësi kavajas, Ervis Kaja, edhe pse e ka ndëshkuar Besën me një penallti, ka ruajtur qetësinë dhe u ka bërë ballë të gjitha sulmeve që vinin në qendër të repartit të mbrojtjes. Kaja u bë kapiten i ekipit në pjesën e dytë, pas daljes së Mihanit, teksa arriti të barazojë edhe shifrat duke shlyer gabimin. Goli i tij i ka dhënë një shtysë të madhe Besës për të dalë me pikë nga Laçi. Kujtojmë që Kaja është aktivizuar më parë me bardhezinjtë.

MË PAK AKTIVI
Mesfushori i Besës, Bruno Dita, ishte ndër më pak aktivët në fushën e lojës. Lojtari u pa pak në kontakt me topin, plus që humbi një rast të artë në pjesën e dytë. Ky moment duket se e ka penalizuar të riun, sepse pas pak çastesh trajneri Ilir Daja i ka treguar stolin. Në formën e tij jo më të mirë ishte edhe Bilibashi i Laçit. Daiu i besoi ish-dinamovitit rolin e titullarit. Në tërësi reparti i mesfushës nuk funksionoi te Laçi.

Përparim Daiu, trajneri i Laçit
“Jam i zhgënjyer, çaluam në mesfushë”
Trajneri i Laçit, Përparim Daiu, nuk e fshehu zhgënjimin pas ndeshjes së djeshme me Besën, skuadrës së vendlindjes së tij. Sipas teknikut kavajas, ekipi bardhezi çaloi në repartin e mesfushës. Ndërkohë, Daiu ka rezerva edhe për sulmin. "Nuk kemi realizuar atë që ne prisnim. Edhe pse goli erdhi shpejt, minutat që pasuan ishin jo të administruara mirë nga lojtarët e mi. Mendoj se repartet ishin larg njëritjetrit. Nuk arritëm të krijonim supermaci ndaj kundërshtarit dhe kjo tregon se grupi është ende i paliruar nga ngarkesat që ka marrë javët e fundit. Mesfusha ka çaluar, por edhe në sulm ka pasur teprime në mbajtjen e topit. Jam i zhgënjyer, por gjithsesi na duhet të korrigjojmë tashmë për të bërë më të mirën në ndeshjen e radhës me Flamurtarin. Kam besim te grupi", – është shprehur trajneri Daiu.

Ilir Daja, trajner i Besës
"Reaguam mirë, ishte rezultat i drejtë"
Për trajnerin e Besës, Ilir Daja, barazimi iu përgjigj lojës së të dyja skuadrave. Kreu i pankinës verdhezi, në konferencën për shtyp pas ndeshjes, deklaroi ndër të tjera se Besa edhe mund të kishte fituar, gjithnjë nëse shfrytëzonte rastet e krijuara në minutat e fundit. "Për nga mënyra se si u luajt 90 minutëshi, kam bindjen se rezultati i barabartë 1-1 i është përgjigjur lojës. Goli që pësuam na i vështirësoi planet, por megjithatë skuadra diti të reagojë shpejt duke barazuar. E kemi merituar këtë rezultat dhe mendoj se në pjesën e dytë patëm disa mundësi të mira për ta fituar ndeshjen. Në sfidën e radhës presim të kemi të gatshëm edhe kapitenin Poçin, e gjithashtu ndonjë lojtar tjetër që mbeti jashtë për shkak dëmtimi apo mosfederimi në kohë", – ka thënë Daja. Ndërkohë, Besa pret javën e ardhshme Tomorin.

Nga rikthimi në shtëpi te heshtja e ish-it Kaja
Bardhezinjtë nuk luanin një ndeshje zyrtare në fushën e tyre që prej 4 dhjetorit të vitit të kaluar, kur ndodhi incidenti me gjyqtarin e FIFA-s, Lorenc Jemini, gjatë ndeshjes Laçi-Kastrioti. Dje, edhe pse pritej që interesimi i tifozëve të ishte i madh, nuk ka ndodhur kështu. Ultrasit e Laçit e kanë përkrahur fuqimisht skuadrën, por prania në stadium nuk ka qenë aq sa pritej. Në momente të veçanta të ndeshjes më shumë janë dëgjuar tifozët e ardhur nga Kavaja. Drejtuesit e klubit bardhezi i kishin marrë të gjitha masat për vendosjen në një sektor të veçantë të sportdashësve të Besës. Ndërkohë, interesant ishte fakti që pas golit të shënuar nga kavajasi Ervis Kaja, ky i fundit nuk festoi në shenjë respekti ndaj tifozëve të Laçit.

Të veçanta
1. Topin e parë nga qendra, që simbolizon edhe startin e kampionatit për Laçin, e ka shkelmuar ish-futbollisti i viteve '80-të, Fran Pasha.
2. Mesfushori shkodran, Erjon Vucaj, për herë të parë ka mbajtur shiritin e kapitenit të Laçit. Ai ka qenë me fat, teksa ka shënuar edhe golin e parë, por bardhezinjtë nuk kanë fituar.
3. Pas takimit, të dy presidentët e klubeve, Pashk Laska dhe Nexhat Bizhdili, janë parë së bashku të dilnin nga stadiumi i Laçit.
4. Disa dhjetëra tifozë të Besës e kanë mbështetur fuqimisht dje skuadrën kavajase, të vendosur në një nga tribunat e stadiumit. Atyre u janë krijuar të gjitha kushtet nga klubi bardhezi.
5. Trajneri i Luftëtarit, Nevil Dede, është parë dje në stadiumin e Laçit. Kreu i pankinës bluzi ka vëzhguar kundërshtarët, ndërkohë që sot ekipi i tij do të përballet me Kukësin.
ARDI HASANI

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions