Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Aug 24th 2012, 17:00

Shkodra është epiqendra e startit të kampionatit kombëtar të futbollit. Sezoni i ri për Kategorinë Superiore e ngriti siparin në orën 19:00 pikërisht në një tempull sportiv shqiptar, sikurse është stadiumi "Loro Borici", kur Vioresin Sinani shkelmoi nga qendra e fushës topin e “lamtumirës” së tij nga futbolli i luajtur. Një emocion ekstra i kësaj ndeshjeje, që u prodhua nga një ceremoni mbresëlënëse e klubit shkodran për një nga yjet e veta më të mira ndër vite, për kryegoleadorin kuqeblu, e cila i parapriu edhe fillimit të kësaj kryesfide. Dueli mes kuqebluve dhe korcarëve  startoi zyrtarisht edhe edicionin e 74-t në historinë e kategorisë më elitare të futbollit tonë. Ndërkohë, konkurrenca në këtë kampionat pritet të jetë edhe më e lartë se vitin që shkoi, por duke u fokusuar te merkatoja e bërë, te grupi i lojtarëve që kanë, te potenciali ekonomik dhe politikat e brendshme të klubeve, nuk është e vështirë të përfshish në luftën për titull skuadra të tilla si Skënderbeu, Flamurtari, Tirana, Vllaznia e ndoshta Teuta. Superiorja do të prezantohet me dy skuadra të reja, të ardhura nga Kategoria e Parë, të cilat janë: Luftëtari dhe Kukësi. Verilindorët “shkelin” për herë të parë në këtë kategori në historinë e tyre.

Sfida hapëse, në Shkodër
VLLAZNIA – SKËNDERBEU  0-2
Golat: Pejic 19′, 34′
Vllaznia: Vujadinovic – Smajli, T.Osmani, E.Beqiri, Begaj – Nallbani, Dragoi, Delic, Hajdari – Hysa, Rexha.
Trajner: Sh.Duro
Skenderbeu: Shehi – Gvozdenovic, Bici, Radas, Arapi – S.Lilaj, Orelesi, Kerciku, Dimo – Pejic, Plaku.
Trajner: M.Josa
Gjyqtar: Laver Alla, Denis Koreshi (Lushnje), Denis Rexha (Tirane)

Në “Loro Borici”, Vllaznia vendëse po sfidon kampionët e vendit në fuqi me një objektiv të vetëm: fitore para tifozëve të zjarrtë kuqeblu, që i kanë mbushur shkallët e stadiumit të tyre dhe duken tepër të etur për një ecuri pozitive të kuqebluve, pse jo, edhe fitimin e ndonjë trofeu. Investimet e bashkisë në këtë drejtim nuk kanë munguar, si asnjëherë më parë, ndaj trajneri Shpëtim Duro dhe skuadra që drejton kanë detyrën dhe përgjegjësinë para kryeqendrës së veriut, Shkodrës, një qytet tepër futbolldashës, të mos zhgënjejnë. Një sukses trepikësh që në javën e parë të kampionatit të ri, për më tepër ndaj një kundërshtari që ka "bërë ligjin" në dy vitet e fundit në futbollin tonë, do të ishte njëherazi edhe "lamtumira" më e plotësuar për Vioresin Sinanin, kryegoleadorin shkodran. Sot ai i var përfundimisht dhe zyrtarisht "këpucët në gozhdë", gjë të cilën "de facto" e ka bërë prej një viti, teksa e sheh veten në stolin drejtues të Vllaznisë. Fillimisht si ndihmës i Rudi Vatës dhe tani si "krahu i djathtë" i Shpëtim Duros, Sinani ka nisur një rrugëtim të ri.
Kjo ndeshje mbart brenda saj edhe një fakt tjetër domethënës: dy trajnerët respektivë duket sikur kanë ndërruar pozicionet, sepse Duro ishte ai, që u shpall kampion me Skënderbeun, ndërsa tani gjendet në drejtimin e kuqebluve. Mirel Josa i ka drejtuar veriorët disa herë, duke qenë një njohje e vjetër për ta. Fate të kryqëzuara, por edhe objektiva që shkojnë në këtë drejtim. 90-minuta që priten me plot ankth, ku korçarët nisin mbrojtjen e titullin, ndërsa shkodranët bekojnë ëndrrën e tyre, për t'u rikthyer pas shumë vitesh në podin e më të mirit të vendit.
Formacionet
Të dyja skuadrat kanë zbritur në fushën e lojës me vendosje të njëtja taktike, me modulin 4-4-2. Kjo dëshmon qasjen ndërtuese dhe ofensive të tyre, në kërkim të marrjes së maksimumit të mundshëm nga kjo betejë e parë e kampionatit të ri. Duro dhe Josa nuk kursehen shumë as në aspektin taktik. Korcarët, në ndryshim nga finalja e Superkupës me Tiranën, ka bërë dy ndryshime në formacionin e vet, teksa e nisin nga stoli dy blerjet e kësaj vere, Kuli dhe Caushaj, ndërsa vendin e tyre e kanë zënë i riu kryeqytetasin, Kerciku, dhe Dimo. Kuqeblutë shfaqen me të njëjtën 11-she, sin ë miqësoret e fundit të tyre, ku dyshja e sulmit i besohet Hysës dhe kosovarit Rexha, mbrojtja kapitenit Beqiri dhe Osmanit, në qendër, me Smajlin e Begajn. Mesfusha vendëse ka për regjizor malazezin Delic, i vendosur mbas dyshes së sulmit, pas tij patrullon kosovari ilir Nallbani, në rolin e një shkatërruesi të sulmeve të kundërshtarit, ndërsa në të dy krahët funksionojnë si "piston" Hajdari me Dragoin. Të dy këta lojtarë njihen shumë mirë për orientimin e tyre sulmues, ndaj do të jenë një mbështetje e madhe e Hysës e Rexhës.
Pjesa e parë Minutat e para të ndeshjes Vllaznia-Skënderbeu janë disi të qeta, me palët që studiojnë njëra-tjetrën. Duhej të vinte minuta e 15-të, e cila sjell një kombinim të bukur të Hysës me Dragoin. Rumuni shkëputet në të djathtë të sulmit shkodran, eviton edhe daljen e portierit Shehi, gjuan drejt rrjetës korcare, por topi parakalon tërë pasqyrën e zonës mike, duke dalë tej saj, pa u kapur nga ndonjë lojtar tjetër i Vllaznisë. Vetëm pak minuta më pas është sërish Dragoi, që impenjon seriozisht me goditjen e tij potente portierin Shehi. Gardiani korcar eviton një gol të sigurtë, ndërkohë që loja zhvillohet më së shumti në gjysmëfushën korcare. Vllaznia e ka nisur në sulm, me mjaft vrull e dëshirë për të dalë sa më parë te goli, ushtron presing që në mesfushë, aty ku merr edhe frenat e lojës në dorë, por nuk konludon dot. Nuk i mbetet gjë tjetër Skënderbeut, vetëm të mbrohet me fanatizëm e me forca të shumta, ndërsa tenton pasimin e gjatë për te Plaku e Pejic, pasi calon dukshëm në fazën ndërtuese. Sabien Lilaj shihet më së shumti në mbështetje të reparit të pasmë të të tijve, derisa vjen minuta e 19-të, kur superon mbulimin e rreptë të Nallbanit dhe lëshon një pasim të gjatë e të zgjuar, pas mbrojtjes shkodrane, për Pejic. Shtatlarti kroat ecën bukur me topin për disa metra, vihet në pozicion ballor me Vujadinovic dhe shënon. Skënderbeu e sheh veten në epërsi, edhe pse gjatë tërë këtyre minutave kishte qenë i detyruar të përballonte ofensivën e Vllaznisë. Hesht stadium "Loro Borici", nuk feston në stol trajneri Mirel Josa, si shenjë respekti për ish-skuadrën e tij. Por nuk do të qëndronte në këto pozita në minutën e 34-t trajneri i Skënderbeut, kur kroati Pero Pejic, thuajse si në rastin e golit të parë, i mbajtur në pozicion të rregullt nga mbrojtësi Smajli, tund për herë të dytë rrjetën e Vujdinovic. Duke e goditur kësisoji rëndë Vllazninë, e cila është e paorganizuar dhe pa frymëmarrje në lojën e saj. Nëse ka epërsi territorial e të zotërimit të topit, skuadra kuqeblu nuk ka vizion e qartësi taktike, teksa lojtarët e saj, të gjendur edhe në presionin e disavantazhit e të ulërimave të tifozëve shkodranë, angazhohen në veprime individuale e goditje pa pretendime nga larg. Kjo i vjen në ndihmë skuadrës korcare, e cila, si i thonë fjalës, "urtë e butë", pa shumë zhurmë, por me një kthelltësi të admirueshme në ndërtimin e aksioneve dhe në konkludimin e tyre nga gjigandi Pejic, arrin ta kthejë ndeshjen tërësisht në favor të saj, sipas "muzikës" së kampionëve të vendit në fuqi. Me fitoren 2-0 të miqve juglindorë mbyllen 45 minutat e para të kësaj sfide hapëse të kampionatit të ri kombëtar, duke i dërguar lojtarët e të dyja skuadrave me "humore" krejtësisht të ndryshme në dhomat e zhveshjes. Kuqeblutë të goditur psikologjikisht, të kontestuar fort edhe nga tifozëria e tyre, ndërsa korcarët me "trastën plot", falë dopietës së Pero Pejicit. Që bëhet kësisoji autori i golit dhe dopietës së parë të këtij kampionati. Nisje më të mirë për kroatin në radhët e Skënderbeut nuk mund të kishte, me dy gola në 45 minuta lojë, në një transfertë mjaft delikate e të vështirë në letër, si kjo me Vllazninë.
Bilanci "flet" kuqeblu
Përballjet mes Vllaznisë dhe Skënderbeu kanë historikun dhe bilancin e tyre, që dukshëm flet në favor të kuqebluve. Aq sa më tepër se dyfishi i tërë ballafaqimeve flet në favor të Vllaznisë. Plot 67 fitore ka skuadra e kryeqendrës së veriut, nga 123 ndeshje të luajtura deri më tani, ndërsa për korcarët flasin 30 sfida. Janë fiksuar gjithashtu 26 barazime, që pëmblidhen në total nga një golaverazh: 174-111. Kuptohet, në favor të shkodranëve. Dy ndeshjet e sezonit të fundit janë fituar të dyja nga kampionët kuqebardhë: Në Shkodër u luajt më 26.11.2011, rezultati ishte 2-0 për juglindorët, ndërsa kthimi në Korçë, më 25.04.2012, prodhoi triumfin e Skënderbeut, 2-1.

Ceremonia e Sinanit i paraprin ndeshjes
Ndeshjes i ka paraprirë ceremonia e lamtumirës së Vioresin Sinanit nga futbolli i luajtur, por edhe i hapjes së kampionatit të ri kombëtar të futbollit. Një bashkëorganizim i dyfishtë mes klubit kuqeblu dhe FSHF-së, drejtues të së cilës kishin zbarkuar në kryeqendrën e veriut. Fëmijë të veshur me ngjyrat kuqeblu, por jo vetëm, me flamuj të të gjitha skuadrave të Superiores ndër duar, kanë dalë në tapetin e blertë të "Loro Boricit" cerekore para startit të lojës, duke e ndezur atmosferën në stadium, ku janë të pranishëm një numër i konsioderueshëm tifozësh shkodranë. Edhe pse nën temperatura të larta, në këtë vapë gushti, sportdashësit shkodranë nuk kanë ngurruar të jenë të pranishëm në këtë festë sportive, më shumë se një ballafaqim 90-minutësh mes dy skuadrave. Gjithcka nis me himnin kuqeblu, një këngë e kënduar nga Bujar Qamili, e cila e rrit ndjeshëm adrenalinën në tempullin sportiv të Shkodrës. Tullumbace në ngjyrat kuqeblu hidhen në qiellin e pastër, që duket si kupë e "Loro Boricit",  ndërsa në orën 18:55 futbollistët e të dyja skuadrave, nën drejtimin e treshes gjykuese, dalin në fushë. Mes lojtarëve kuqeblu është edhe Vioresin Sinani, që do të shkelmojë topin e fundit në karrierën si futbollist. Para këtij moment prekës shpërthejnë fishekzjarre të shumta, që nisin festën shkodrane të futbollit. I tërë stadium është në këmbë, në nderim të ikonës së gjallë të tyre, sulmuesit të spikatur të Vllaznisë, por jo vetëm, Vioresin Sinani. Falenderime e mirënjohje pa fund për këtë bir të Shkodrës, që dha aq shumë për futbollin e këtij qyteti si futbollist aktiv, ndërsa nuk largohet nga kjo lojë e magjishme, pasi ka nisur karrierën në trajning, po aty, te skuadra e zemrës. Në rreth 15 edicione ai e ka ndihmuar Vllazninë në arritjet e saj, teksa ka regjistruar një numër të madh golash, rekord për historinë e klubit të futbollit kuqeblu. Nderime për Sinanin, përmes medaljeve, ka bërë para ndeshjes edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Troshani.
Kjo ceremoni ia lë më pas vendin betejës në fushën e lojës, ku palët nisin zyrtarisht kampionatin e ri.

"Pasaporta" –  Vioresin Sinani

Datëlindja 4 dhjetor 1977 (34 vjec)
Vendlindja Shkodër
Gjatësia 1.79 m
Roli në fushë sulmues
Klubi Vllaznia
Numri 9

Karriera me të rriturit

Vitet Skuadra

Ndeshje

Gola

1996-1999 Vllaznia

84

(24)

1999-2001 Varteks

27

(5)

2001-2004 Vllaznia

102

(80)

2004-2005 Kayserispor

4

(1)

2005-2006 Vllaznia

56

(28)

2006-2007 KF Tirana

29

(23)

2007-2009 Vllaznia

71

(36)

2009-2010 Besa

17

(5)

2010- Vllaznia

28

(11)

Me ekipin kombëtar

2000-2002 Shqipëria

4

(1)

 

Numrat, me kombëtaren

Viti

Ndeshje

Gola

2000

3

1

2001

0

0

2002

1

0

Total

4

1


Palmaresi personal

Me Vllazninë
Kampion i Superligës (2): 1997-98, 2000-2001
Fitues i Kupës së Shqipërisë (1): 2007-2008
Fitues i Superkupës së Shqipërisë (2): 1998, 2001

Me KF Tirana
Kampion i Superligës (1): 2006-07
Fitues i Superkupës së Shqipërisë (1): 2006

Me Besën
Fitues i Kupës së Shqipërisë (1): 2009-10

Golat e Sinanit

Sezoni

Skuadra

Ndeshje

Gola

1996-97 Vllaznia

3

1

1997-98 Vllaznia

33

9

1998-99 Vllaznia

27

14

2000-01 Vllaznia

26

15

2001-02 Vllaznia

23

11

2002-03 Vllaznia

18

18

2003-04 Vllaznia

35

36

2004-05 Vllaznia

23

15

2005-06 Vllaznia

33

13

2006-07 SK Tirana

29

23

2007-08 Vllaznia

30

20

2008-09 Vllaznia

28

15

2009-10 Vllaznia

13

1

2009-10 KS Besa

17

5

2010-11 Vllaznia

28

11

2011-12 Vllaznia

0

0

TOTAL

366

207

 

Kategoria Superiore
Java 1
24.08.2012
VLLAZNIA – SKËNDERBEU  0-2
Golat: Pejic 19′
, 34′

25.08.2012
TOMORI – TIRANA 17:00
LAÇI-BESA 17:00
APOLONIA-KASTRIOTI 17:00
26.08.2012
SHKUMBINI – TEUTA 17:00
KUKËSI-LUFTËTARI 17:00
BYLIS-FLAMURTARI 17:00
(Luhet në Berat)

Ndeshjet e së shtunës
Java e parë e kampionatit të 74-t kombëtar të futbollit është e ndarë në tri ditë. Përvec sfidës hapëse të "Loro Boricit", Vllaznia-Skënderbeu, të shtunën dhe të dielën do të kompletohet tërë kuadri i ndeshjeve.
Tomori-Tirana Tirana kthehet pas disa vitesh në stadiumin e Beratit. Për Tomorin është viti i dytë radhazi që luan mes më të mirëve, por përballjen si pritëse në sezonin e shkuar me bardheblutë e ka luajtur në Lushnjë, për shkak se fusha e tij po rikonstruktohej. Tashmë palët gjenden në kushte dhe situata të tjera. Tomori ka rikthyer në stol një emër të njohur të vetin, edhe si futbollist, Kristaq Milen, i cili i ka paralajmëruar 24 herë kampionët e vendit për hakmarrje të vjetër, duke risjellë në vëmendje betejën e vitit 2000 në Elbasan, kur diskutonin mes tyre titullin kampion. Mile e ka drejtuar këtë skuadër në sezonin e saj më të artë, 1999-2000, duke luftuar deri në sekondat e fundit me kryeqytetasit për titullin kampion, ndërsa rikthehet pas 6 sezonesh në Berat, me synimin për të pasur një ekip dinjitoz. Vlerat e formacionit beratas do t'i tregojë më së miri starti i kampionatit, sepse kalendari i ka vënë përballë një kundërshtari me shumë trofe, si Tirana, që ka në krye një trajner të huaj mjaft të suksesshëm, si Hulian Rubio. Bardheblutë janë fituesit e Kupës së Shqipërisë, ndërsa e kanë nisur sezonin e ri me trofe, duke fituar Superkupën ndaj Skënderbeut, kështu që karikimi moral i tyre është maksimal. Duke qenë se kanë për synim kryesor të tyre vetëm titullin kampion, në cdo kampionat, kryeqytetasit duket se do t'i vënë në pozitë të vështirë vendësit. Të cilët, falë përkrahjes së tifozërisë së zjarrtë beratase, mund t'ia dalin dhe ta nisin me këmbën e mbarë garën.
Laçi-Besa Besa i rikthehet Superiores pas një viti pjesëmarrje në Kategorinë e Parë dhe do ta nisë rrugën e gjatë të një sezoni në ri pikërisht në Lac. Aty ku e pret një trajner kavajas, Përparim Daiu, ku e presin tifozët kurbinas, të etur për të parë futboll në stadiumin e tyre, pas atij ndëshkimi shembullor që morën sezonin e kaluar, pas goditjes barbare të kryesorit Lorenc Jemini në një ndeshje kundër Kastriotit. Faktori "fushë", por edhe shkaqe të tjera objektive e subjektive sportive, duket se i bëjnë favoritë bardhezinjtë vendës, ndërkohë që kavajasit e Ilir Dajës kanë rastin të tregojnë vetveten, pas përforcimesh të bëra në merkaton e verës.
Apolonia-Kastrioti Apolonia pret në fushën e vet krutanët. Në një situatë jo fort pozitive për ta, fierakët e pakolauduar me elementë cilësorë në përbërje, por me një trajner të ri, Ernest Gjokën, e kanë të freskët rrezikun e rënies. Pasi mbijetuan mes më të mirëve në një ndeshje "play-off"-i me Lushnjën, bardhejeshilët i qasen këtij objektivi që në start. Pra, tri pikët e para të një kampionati të ri, aq më tepër që luan në fushën e vet, do të kishin vlera morale e shprese për Apoloninë, një skuadër që nuk ka pasur stabilitet në superiore në vitet e fundit. Ndryshime të mëdha në drejtim e përbërje ka pësuar edhe Kastrioti. Me Artan Mërgjyshin në krye, krutanët nuk kanë më "revanin" e sezonit të kaluar, kur shpresonin Evropën, por duhet t'i bëjnë llogaritë hap pas hapi për të mbetur në elitën e futbollit shqiptar.

Ndeshjet e së dielës
Tri betejat e së shtunës ftojnë të tjerë aktorë në garë, madje debutues në Superiore, të tillë si Kukësi, që ka ndërtuar stadiumin e ri dhe pret ta inagurojë atë ndaj Luftëtarit. Bluzinjtë janë një tjetër debutues mes më të mirëve të vendit, por ama nuk e kanë për herë të parë këtë gjë, ashtu si verilindorët. Kuksianët spikasin si një nga skuadrat më të angazhuara në merkato, ndaj mbetet të shihet sa do të vlejë kjo nga ndeshja në ndeshje. Nëse mes këtyre dy palëve ka pasur një betejë të ethshme edhe sezonin e kaluar, në Kategorinë e Parë, për t'u ngjitur më lart, rivaliteti vijon edhe në këtë "sallon", që në javën e parë të kampionatit të ri.
Bylis-Flamurtari E diela gjen një skuadër pretendente në transfertë. Flamurtari i Shkëlqim Mucës, me afrime tepër cilësorë në merkaton e kësaj vere, e nis përmbushjen e qëllimit kryesor, titullit kampion, nga stadiumi i Beratit. Aty ku e pret Bylisi i Ballshit, por i detyruar të luajë në fushë asnjanëse ngaqë stadiumin e vet e ka në rikonstruksion. Mallakastriotët, me vlonjatin Agim Canaj në krye, nuk kanë mbetur pas në tregun e verës, ndaj s'mund të konsiderohen të lehtë për t'u kaluar nga vlonjatët. Dicka të tillë e ka paralajmëruar edhe tekniku i kuqezinjve, Muca, i cili ka apeluar për kujdes, përqendrim dhe vlerësim mksimal të kundërshtarit. Sepse, sipas tij, vetëm në këtë mënyrë "firmosen" tri pikët e para të kampionatit të ri, kampionat i cili koincidon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë, ndaj edhe për këtë fakt vlonjatët janë më të karikuar se kurrë për të qenë ata kampionët e vendit.
Shkumbini-Teuta Shkumbini duket më "i tharë" se në asnjë edicion tjetër, nëse i referohemi qasjes së kësaj skuadre në merkato. Me pak përforcime, edhe ato jo të rangut të lartë, bardhekaltrit e nisin kmpionatin e ri në shtëpi. Ky është ogur i mirë për të rikthyerin në stolin peqinas, Gugash Magani, se mund t'i marrë tri pikët e para në një garë të gjatë e të lodhshme. Përballë do të ketë Teutën e Hasan Likës, e cila i dha tonin kampionatit të shkuar dhe ishte fare pranë fitimit të titullit. Durrsakët duken më të kolauduar si grup, janë më të pjekur e autoritarë në letër, ndaj vendësit duhet t'i "përveshin mirë mëngët". Duke ditur se në fund të këtij edicioni zbresin direkt katër skuadra nga Superiorja, peqinasit e shohin veten në këtë vorbull pa nisur ende gara, ashtu si disa skuadra të tjera. Kjo do të thotë se në ndeshjet në shtëpi, marrja e pikëve maksimale është e vetmja rrugë për shpëtim, cka vlen edhe për përballjen ndaj "djemve të detit". Këta të fundit kanë ambicie për në katin e sipërm të renditjes, ndaj duhet të dëshmojnë që në start se janë potencialë për ta rivalizuar kreun.

Parashikimet
Baraspeshë në Shkodër, Tirana e nis mbarë
Gazeta “Panorama Sport” nga dita e sotme për çdo javë para ndeshjeve të kampionatit do të nisë një rubrikë të re, e cila do të merret me parashikimet e të shtata takimeve që do të luhen në Superiore. Për bazë do të merren koeficientet e basteve të vendosura nga kompani prestigjioze evropiani si “Bwin”, “Wiliam hill”, të cilat japin edhe parashikimet e tyre për çdo kampionat jo vetëm në Evropë, por edhe në kontinente të tjera. Natyrisht, për ta shqiptarizuar për bazë do të merren në këto parashikime edhe aktualiteti në secilën skuadër, për çdo javë. Gjithsesi, rubrika nuk tenton në asnjë moment që të influencojë askënd si në vënien e basteve, por edhe të prekë “sedrën e tifozit”. Kujtojmë se të gjitha parashikimet i referohen uebsajtit “click4soccer.com”.
Vllaznia-Skënderbeu, sot ora 19:00
Shihet si një ndeshje e ekuilibruar, por me një Skënderbe paska më të favorizuar, kjo edhe nisur nga merkatoja disi më cilësore (kujto këtu dyshen e sulmit Pejiç-Plaku). Gjithsesi, Vllaznia luan në fushën e vet dhe do të tentojë me çdo kusht që të mos dalë e humbur nga ky takim.
Parashikimi: barazim.
Apolonia-Kastrioti, nesër ora 17:00
Ndeshje që sheh miqtë në avantazh, kjo nisur më së shumti nga organika që kanë këto dy skuadra. Krutanët kanë bërë shumë blerje, të cilat kanë rritur cilësinë. Ndërsa fierakët kanë humbur gjatë kësaj vere edhe kapitenin e tyre, Julian Gërxho.
Parashikimi: fitore minimale e krutanëve.
KF Laçi-Besa, nesër ora 17:00 Kurbinasit superfavoritë, nisur nga fakti se kavajasit sapo janë kthyer në Superiore dhe nuk kanë ende një skuadër të konsoliduar. Shihet një fitore e lehtë e skuadrës së Përparim Daiut, kjo edhe referuar organikës që ka në dispozicion.
Parashikimi: fitore e Laçit.
Tomori-Tirana, nesër ora 17:00
Megjithëse nën një atmosferë mbytëse për shkak të problematikës me trajnerin, Tirana shihet si fituese në përballjen me Tomorin. Madje beratasit, të cilët kanë humbur gjatë verës edhe disa lojtarë të rëndësishëm, zor se mund të marrin edhe një barazim ndaj bardhebluve të Rubios.
Parashikimi: fitore e Tiranës.
Bylisi-Flamurtari, të dielën ora 17:00
Në pamje të parë dhe nisur nga koeficientet e basteve të duket si një përballje e baraspeshuar, por nuk është kështu. Nëse marrim parasysh fuqizimin e skuadrës së Muçës dhe faktin se ky takim do luhet në fushë asnjanëse, për shkak të rikonstruksionit të stadiumit të Ballshit.
Parashikimi: Fitore e vlonjatëve.
Kukësi-Luftëtari, të dielën ora 17:00
Kuksianët luajnë për herë të parë në një stadium të ri, ndaj do të bëjnë të pamundurën që inaugurimin dhe festën ta vazhdojnë edhe më pas ndaj Luftëtarit. Sakaq, po të shikosh edhe organikat e të dyja skuadrave, të bën të besosh se Kukësi mund të dalë me pikë të plota nga kjo përballje, ashtu sikundër e parashikojnë edhe bastvënësit. Shkumbini-Teuta, të dielën ora 17:00 Ndonëse “kandari” anon më shumë nga “2″-shi, kjo për shkak të lojtarëve që ka arritur të marrë gjatë verës skuadra durrsake, gjithsesi nuk duhet harruar se Shkumbini është një “kockë e fortë” në fushën e vet.
Parashikimi: barazim.

4 skuadra bien direkt nga Superiorja Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka marrë vendimin që për sezonin 2012-2013 të bien direkt nga kategoria katër skuadra dhe të ngjiten vetëm dy të tilla. Kjo gjë do të sillte që për sezonin 2013-2014, Superiorja të bëhej sërish me 12 skuadra, sikundër ishte deri para dy vitesh. Kështu kthehemi sërish te kampionati me tri faza dhe me dy skuadra më pak, por me ndryshimin se në këto edicione nuk do të ketë ndeshje "play-off" dhe "play-out", të cilat u jepnin një shans të fundit ekipeve që binin nga kategoria, por edhe atyre që ngjiteshin.

Stop të huajve, pro vendalinjve
Komiteti Ekzekutiv ka ndërmarrë një rregullim për sa u përket lojtarëve të huaj. Në fakt, kjo është bërë me qëllim që drejtuesit e klubeve të nxiten të besojnë më shumë tek elementi vendës dhe të mos "peshkojnë" gjithnjë lojtarë të huaj, kostoja e të cilëve ndonjëherë është shumë herë më e lartë. Kësisoj, për sezonin e ri një skuadër në Kategorinë Superiore nuk mund të ketë më shumë se pesë futbollistë të huaj në fushën e lojës. Federata Shqiptare e Futbollit në momentin e federimeve nuk do lejojë më shumë të huaj nga sa është vendimi i KE-së. Ky i fundit një ndryshim thelbësor ka bërë edhe në Kategorinë e Dytë, ku një skuadër nuk mund të ketë më shumë se 5 lojtarë të huaj apo vendës që nuk banojnë në qarkun administrativ të cilit klubi i takon. Për shembull, Skrapari nuk mund të paraqitet në fushën e lojës me më pak se 6 lojtarë skraparllinj ose me banim në Qarkun e Beratit. Lojtarët e tjerë vendës mund të luajnë në ekipet e Kategorisë së Dytë vetëm nëse kanë banuar jo më pak se 1 vit në qarkun administrativ të cilit i takon skuadra. Në këtë mënyrë i ndalohet në njëfarë mënyre një skuadre të Kategorisë së Dytë që të ketë edhe lojtarë shqiptarë nga zona të ndryshme të Shqipërisë, mbi numrin e lejuar, pra pesë gjithsej, duke stimuluar kështu më së shumti vendësit.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions