Tirana, merkato “in extremis”. Favoritë për trajnerin, Agostineli dhe Lonçareviç

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Tirana, merkato "in extremis". Favoritë për trajnerin, Agostineli dhe Lonçareviç
Aug 31st 2012, 12:05

Mungon trajneri, por bardheblutë premtojnë fitoren kundër Shkumbinit të dielën. Përgatitjet vazhdojnë, nën drejtimin e dyshes Tafaji- Bulku. Firmosin dy lojtarë të tjerë, Miodrag Zec dhe Françisko Pigoni. Sa i përket pankinës, lista sa vjen edhe shtohet, por më favoritët për momentin janë Agostineli dhe Lonçareviç. Këtë e pohon edhe drejtori teknik, Alban Tafaji, i cili në dy ditët e fundit ka marrë drejtimin e skuadrës. Gjatë një deklarate të dhënë për mediat, ai u bënë skanerin orëve të fundit të merkatos, çështjes së pankinës dhe sigurisht ndeshjes së radhës. "Jemi gati, pasi nuk kemi një ekip të krijuar rishtazi. Kemi pasur dëmtime që na penalizojnë, por kjo nuk do të na pengojë për të fituar. Problem kemi me Abilaliajn dhe kartonin e tij. Sot (dje) i kemi dërguar kërkesë FIFA-s, pasi është lojtar i lirë dhe pa kontratë, ndaj brenda 10 ditësh kjo çështje duhet të zgjidhet. Fakti që Sina qëndroi dhe do jetë pjesë e grupit, na detyroi që lojtarët e ardhur në provë t'i kthenim mbrapsht. Vetëm me dy arritëm akordin, me Zec dhe Pigonin. Pema, Mezini dhe Roshi janë alternativa më shumë, por ende nuk është mbyllur gjë. Grupi është i kompletuar, ndonëse kemi zhvilluar një merkato emergjente, mendoj se do e përballojmë me sukses sezonin", – tha ndër të tjera drejtori teknik.
Sulmi - Me Shkumbinin bardheblutë do të vuajnë në sulm, i gatshëm është vetëm Morina. Mirëpo klubi është duke marrë masat që të kompletojë edhe këtë repart me një tjetër emër, me lojtarin nga Mali, Bagajoko. "Francezi me pasaportë maleze do të vijë nesër (sot) në mëngjes. Do bëhet një stërvitje dhe një kontroll mjekësor dhe nëse ai vlen, atëherë do mbyllet zyrtarisht merkatoja. Është një risk që e marrim përsipër, pasi është 33 vjeç, por ka një CV të pasur dhe karrierë të mirë. Do firmoset kontrata më të, por fillimisht do shohim si është nga ana fizike. Me katër sulmues do jemi të gatshëm. Për këtë ndeshje kemi vetëm Morinën, megjithëse nuk ka rëndësi sesa sulmues kemi në fushë, por sa lojë sulmuese do të krijojmë. Mendoj se do t'i rikthejmë fytyrën Tiranës", – shtoi ai.
Pankina - Rubio firmos në Vlorë, ndërkohë pankina e Tiranës mbetet bosh. Brenda dy javëve do të emërohet një i ri, ndonëse deri më tani ka vetëm kandidatura dhe asgjë konkrete. Tafaji tregon se më favoritët deri më tani janë Lonçareviç dhe Agostineli. "Duke përfituar nga pauza do të shohim kandidaturat e mundshme, lista e ofruar është e gjatë, por 3-4 janë më favoritë. Lonçareviç, Agostineli, por edhe Menikini. Synojmë italian, pasi edhe gjuha njihet më shumë, por edhe Lonçareviç e njeh tepër ambientin. Duam një trajner që ta njohë ekipin dhe të punojë me grupin që ka, pasi ekipi tashmë është gati. Nuk do të diskutohet shumë për kosto, pasi edhe me Rubion nuk kishim probleme financiare, por disa pika të tjera. Me gjithë respektin që kemi për punën që ka bërë, mendoj se kur të shkojmë në Vlorë, edhe pse ai do të jetë në stol, ne do ta mposhtim Flamurtarin", – përfundoi drejtori teknik, i cili po e stërvit në këto ditë ekipin.

Firmosin Zec e Pigoni, Tagani: E mbyllim me Bagajokon
Ishin plot pesë të huaj që erdhën te Tirana ditën e martë, mirëpo vetëm dy prej tyre kanë bindur. Pasi ka dhënë OK-in grupi i punës i ngritur për merkaton, më konkretisht nga Fortuzi dhe Mema, administratori Salih Tagani dje mbylli procedurat kontraktuale. Flasim për malazezin Zec dhe italianin Pigoni. Këta janë tashmë dy lojtarët më të rinj të Tiranës, ndërsa të tjerët u kthyen andej nga erdhën. “Miodrag Zec mund të quhet zyrtarisht futbollist i Tiranës. Me 29- vjeçarin sapo mbyllëm një kontratë 1-vjeçare. Me të do të jemi më të kompletuar në krahun e djathtë të mesfushës. Po ashtu edhe italianin Françesko Pigoni. Ai është 26 vjeç dhe ka lënë përshtypje pozitive te përgjegjësit e merkatos, ndaj pritet firma me të. Mendoj se kemi bërë një punë të mirë në merkato, ndonëse në gjendje emergjence. Kemi afruar elemente realisht cilësore. Nesër merkatoja mbyllet, dhe me një goditje të fundit në sulm mendoj se do të jemi të kompletuar për të përballuar sezonin”, – tha kreu i klubit. Ai shpjegon se për Pemën, Roshin e Mezinin pritet fillimisht opinioni i grupit të punës dhe më pas do vendoset. I pyetur për pankinën e mbetur vakante, pas largimit të Hulian Rubios, Tagani shpjegon se janë duke hulumtuar dhe studiuar të gjitha kandidaturat e mundshme, të cilat janë të shumta. “Shumë emra na kanë ardhur, mirëpo jemi ende në proces studimi. Pasi të konsultohemi, do të zgjedhim të duhurin, që do t’i bëjë punë Tiranës. Të them të drejtën lista është e gjatë, por jo të gjithë po i marrim në konsideratë. Po konsultohemi me njohës të mirë të futbollit për të bërë seleksionime, pasi jo çdo CV do të llogaritet”, – përfundoi administratori.

ABILALIAJ
Shpresohet që para të shtunës FIFA t’i japë zgjidhje problemit të Arbër Abilaliajt. Sulmuesi i ardhur rishtas te Tirana nuk mund të luajë ende, pasi ishekipi i tij nuk e ka lënë të lirë, ndonëse kontrata e tij ka skaduar me kohë. Pas kërkesës që klubi i ka bërë institucionit më të lartë të futbollit botëror, pritet që lojtari të marrë kartonin dhe të ketë mundësi të luajë me bardheblutë në ndeshjet e ardhshme.

PËRGATITJET
Tirana edhe dje ka vijuar përgatitjet e saj, teksa në orën 17:45 ka kryer një tjetër seancë. Grupi ishte i tejmbushur, aq sa numri i kalonte të 24 vetët. Duke mos përfshirë dy të huajt që kanë kaluar provën, të cilët do të jenë pjesë e skuadrës, por edhe Entonio Pashajin, që është i dëmtuar. Stërvitja do të vijojë edhe sot, për të qenë më tej të gatshëm për ndeshjen e së dielës, ku ekipi do të presë Shkumbinin.

DËMTIMET
Netil Ferraj, Entonio Pashaji, Mirel Çota, Gentian Muça dhe Elvis Sina nuk janë ende në 100 për qindëshin e formës së tyre fizike, ndaj ka shumë të ngjarë që të mos jenë pjesë e grupit për ndeshjen e radhës. Shpresa mund të ketë vetëm për Sinën, i cili prej dy ditësh i është bashkuar grupit dhe ka vijuar procesin normal stërvitor. Megjithatë, gjithçka rreth formës së mbrojtësit do të zyrtarizohet të shtunën.
ADELA MERKO

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions