Abilaliaj: Kroatët po më bëjnë shantazh, por nuk e kam ndër mend të tërhiqem

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Abilaliaj: Kroatët po më bëjnë shantazh, por nuk e kam ndër mend të tërhiqem
Sep 10th 2012, 12:03

Ka diçka më shumë se një muaj që është afruar te Tirana, mirëpo ende nuk ka zbritur në fushë. Arbër Abilaliaj, pas një përvoje në Kroaci, vendosi të rivishte fanellën bardheblu. Por, edhe pse ka kaluar një muaj, ai ende nuk e ka të drejtën për të luajtur, pasi i mungon kartoni. Këtu ekziston një ngërç, madje mjaft i madh dhe më mirë se vetë futbollisti nuk mund ta rrëfejë askush. I kontaktuar nga "Panorama Sport" lojtari tregon se po i bëhet shantazh i hapur dhe pa të drejtë. Ai shpjegon se prej 15 qershorit ka përfunduar kontratën me ish-ekipin, por këta të fundit po e mbajnë peng. Lojtari e ka fituar gjyqin me Inter Zapresiçin për tre rroga të prapambetura, mirëpo deri më tani është likuiduar vetëm në masën 70%, ndërsa 30% tjetër ende nuk i është dhënë. "Po stërvitem me ekipin prej 2 gushtit, mirëpo ende nuk po luaj. Janë zhvilluar dy ndeshje dhe unë nuk kam mundur që të jap kontributin tim. Më ka marrë malli të luaj dhe po pres me ankth që të jem zyrtarisht lojtar i lirë. Prej 15 gushtit kemi dërguar në FIFA një kërkesë dhe, deri më tani, ish-ekipi im nuk ka reaguar. Nëse vazhdohet kështu, pas 14 shtatorit unë mund të federohem sipas rregullores. Kjo, pasi kam gjyqin me Inter Zapresiç, ende nuk jam likuiduar në masën 30 për qind. Para që nuk kam ndër mend t'i fal, pasi më takojnë. Ky është shantazh i hapur, duke qenë se ata më kanë kërkuar që të firmos një letër, ku presupozohet që unë nuk i duan paratë që ata më detyrohen. Gjë që nuk e kam bërë. E gjithë kjo vjen nga fakti që presidenti i ish-ekipit është edhe i Ligës, kësisoj po ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë për të më prishur punë. S'më duket normale që, për gati një muaj, jam peng i kroatëve dhe nuk mund të luaj. Madje, nëse federata jonë apo edhe Tirana duan, mund të kërkojnë dëmshpërblim, pasi unë edhe pse nuk jam nën kontratë me atë klub, ata më kanë bllokuar. Megjithatë, sapo të kthehem shpresoj që të bëj detyrën time si sulmues: të shënoj. Jam i etur për të zbritur në fushë dhe për të bërë gol", – sulmuesi vlonjat i Tiranës.

Për Hoxhën dhe Pigonin, konfirmimi pritet sot
Në fund të muajit gusht u mbyll merkatoja, mirëpo për Tiranën tri nga blerjet e verës nuk janë ende të gatshme. Veç Arbër Abilaliajt edhe Fabio Hoxha dhe Françesko Pigoni, lojtarë të ardhur nga skuadra të huaja, ende nuk mund të luajnë për fanellën bardheblu. Për dy të fundit ngërçi është thuajse i zgjidhshëm, të paktën kështu thuhet nga burime pranë klubit. Pritet që dita e sotme të jetë vendimtare që ata të marrin konfirmimin dhe më pas te federohen me Tiranën. Nëse ndodh kështu, ata do të jenë në dispozicion për ndeshjen e së premtes kundër Teutës.

Klubi nga sot pritet të shqyrtojë listën
Veç të huajve, së fundmi në listën e gjatë të kandidatëve për trajnerë, janë shtuar edhe disa vendës, të sponsorizuar nga disa anëtarë të bordit. Lekbello dhe Naçi janë opsionet që kanë dalë në skenë por, deri më tani, ata kanë vetëm statusin e kandidatëve. Meqenëse administratori është me pushime, pritet që me kthimin e tij të zbardhet ndonjë emër më konkret, pse jo edhe zyrtarizmi i teknikut më të ri të Tiranës. Sidoqoftë, një gjë është e qartë: lakmohet një trajner i huaj, por pretendimet e larta kanë bërë që çështja e stolit të mbetet pezull dhe sytë të kthehen nga pista vendëse. Në këtë të fundit, pa dyshim kandidati më potencial mbetet Tafaji, i cili vazhdon të drejtojë ekipin, por edhe Alimehmeti apo Gëzdari.
ADELA MERKO

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions