Bizhdili: Enea Jorgji, “non grata” për Besën. Na penalizoi me Tiranën

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Bizhdili: Enea Jorgji, "non grata" për Besën. Na penalizoi me Tiranën
Sep 30th 2012, 11:32

Kartonë, fyerje raciste dhe penallti të padhëna. Këto ishin produkti i deklaratës së ashpër që presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, bëri menjëherë pas ndeshjes së djeshme me Tiranën. Sipas tij, Enea Jorgji mund të vazhdojë të arbitrojë në Superiore apo kudo, por nuk do të ketë shansin që ta gjykojë më Besën. Në të kundërt, Bizhdili deklaron se nuk do pranojë që të zbresë në fushë. "Gjyqtari i ndeshjes shpallet 'non grata' në Kavajë. Për ne ai jo vetëm në stadiumin tonë që nuk do ketë shans të arbitrojë, por ne nuk do të pranojmë absolutisht që një arbitër si Enea Jorgji të na gjykojë edhe në stadiume të tjera. Është e patolerueshme mënyra se si ai na dëmtoi në këtë takim, duke i bërë fresk një skuadre si Tirana, e cila për organikën që ka, nuk ka nevojë për arbitra", – ka thënë fillimisht Bizhdili. Më pas, presidenti i Besës ka qartësuar edhe kartonin e dytë të verdhë dhënë Abrahamit, duke deklaruar se lojtari i Tiranës duhet të gjykohet në Disiplinë për fyerje raciste. "Së pari, arbitri e teproi duke i dhënë kartonin e dytë të verdhë lojtarit tonë dhe, nga ana tjetër, nuk mori as masën më të vogël kur lojtari i Tiranës (Mario Morina) ofendoi me fyerje raciste, tejet të padenja për futbollin tonë, Abrahamin. E dëgjova unë dhe e dëgjuan të gjithë kur lojtari i Tiranës i tha disa herë Abrahamit jevg, arixhi, e duke e sharë madje me një fjalor prej rrugaçi. Ndaj duhet që Komisioni i Disiplinës ta marrë seriozisht këtë rast fatal dhe ta ndëshkojë lojtarin e Tiranës për ato fjalë dhe të mos merret absolutisht me lojtarin tonë, i cili ka bërë një ndeshje tejet korrekte. Së dyti, arbitri nuk e di se çfarë pa në momentin e penalltisë sade të Berishës. Për mua, çdo gjyqtar tjetër do ta jepte penallti, pasi e tillë ishte. Së treti, ishin një sërë kartonësh të dhënë kundër nesh, ndërsa nuk ndodhi e njëjta gjë për Tiranën. Dhe e fundit, e them me bindje dhe me plot gojën se sot (dje) Tirana luajti me 12 lojtarë në fushë, ndërsa ne me 9 të tillë", – ka deklaruar dje Bizhdili.

Si dënohet racizmi
Kodi i Disiplinës Sportive e ka të përcaktuar qartë në nenin 57, pika 1/a, se racizmi dënohet. Nëse ofendohet dinjiteti i një personi, nëpërmjet fjalëve apo veprimeve përçmuese, diskriminuese apo denigruese në lidhje me racën, ngjyrën, gjuhën, besimin fetar ose origjinën, do të pezullohet me të paktën 5 (pesë) ndeshje. Gjithashtu, nëse ekziston një gjë e tillë, do dënohesh edhe me gjobë, me një vlerë jo më pak se 100 mijë lekë.

Ofezat e Bizhdilit
Një ndërhyrje e Sinës kundër Berishës, bëri që Nexhat Bizhdili i ulur në tribunë, të ofendonte lojtarin e Tiranës. Kur po afrohej minuta e 45-të, reagoi babai i mbrojtësit bardheblu, i cili i kërkoi që të kontrollonte fjalorin. Mirëpo presidenti vazhdoi më keq, kështu që mbrojtësi u afrua dhe e vuri në dijeni Xhatin se po replikonte me babanë e tij, situatë e cila krijoi paksa tension, por që gjithsesi u qetësua.

Interesimi i tifozëve
Stadiumi nuk ishte i tejmbushur, e megjithatë prania e tifozëve u ndje. Veç të zakonshmëve “Tirona Fanatics”, rrugën nga Kavaja e kishte marrë edhe grupimi “Furia Verdhezi”. Jo më shumë se 50, ata kanë karikuar ekipin gjatë gjithë 90-minutëshit. Sakaq, tribunat ishin thuajse plot, duke përfshirë edhe atë VIP, ku veç drejtuesve të dyja skuadrave, kishte edhe personazhe të tjera, si nga federata, ashtu edhe ish-presidenti i Tiranës, Halili.
FERIZ FERIZAJ

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions