“Gjyqet” bëhen modë, kaos te Partizani…

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
"Gjyqet" bëhen modë, kaos te Partizani…
Sep 18th 2012, 11:50

"Faleminderit për bashkëpunimin, mund të largoheni!". Kështu u ka thënë aksionari i Partizanit, Paro Laçi, dy mbrojtësve të skuadrës së kuqe, Indrit Hithit dhe Endri Rënxës. I pari, i cili erdhi me shumë bujë gjatë merkatos së verës dhe ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, duket se ka zhgënjyer me paraqitjet e tij në fushën e blertë, ndaj është larguar përfundimisht nga aksionari Laçi. Ndërkohë duhet thënë se dy javët e fundit "gjyqe" të tilla janë bërë të zakonshme në kampin e kuq. Pas humbjes me Butrintin, Laçi i ka bërë me dije mesfushorit Arbër Capa se nuk ishte federuar me pjesën tjetër të ekipit, ndërsa lojtarët janë akuzuar se kanë klane. Ndërsa në analizën e djeshme, e cila ndryshe nga një javë më parë zgjati vetëm 10 minuta, Laçi bëri me dije masën e re për dy futbollistët, megjithëse nuk u dha atyre asnjë arsye për përjashtimin. Por arsyeja kryesore, sipas të gjitha gjasave, ka qenë humbja që skuadra pësoi në Elbasan dhe mosmotivimi i tyre në këtë takim.
Paralajmërimi – Ndërkaq, përveç dy të përjashtuarve, paralajmërim për përjashtim kanë marrë edhe 5 lojtarë të tjerë, të cilët ishin në fushë në sfidën ndaj Elbasanit. Kështu mbrojtësit Duqi, Pashaj dhe Xaka në mungesë, pasi nuk ishte i pranishëm në stërvitjen e djeshme për arsye personale, janë paralajmëruar nga aksionari për formën e tyre jo të mirë në ndeshjen e fundit. Dhe, në rast se nuk bëjnë kthesën, me siguri që do të përjashtohen. Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë Laçi, i cili ka shtuar në këtë listë edhe mesfushorët Sulçe dhe Xhepa, të cilët janë paralajmëruar për të njëjtin motiv dhe që duhet të bëjnë kthesën në ndeshjen e radhës. Por, në rast se kthesa nuk vjen dhe lojtarët në fjalë do të përjashtohen, nuk dihet se me cilët futbollistë do të luajë Partizani deri në fundin e fazës së parë. Rënxa – Në një prononcim për "Panorama Sport", qendërmbrojtësi Endri Rënxa ka mbetur mjaft i habitur nga masa që është marrë ndaj tij. "Kam luajtur në shumë skuadra, por në asnjërën prej tyre nuk jam përballur me një veprim të tillë. Jam përjashtuar nga ekipi dhe nuk më është dhënë asnjë arsye nga Paro Laçi, pse e ka bërë një gjë të tillë? Ai thjesht më ka thënë se më falënderonte për aq sa ndenja në ekip dhe të merrja çantën të largohesha. Jam munduar t'i kërkoj shpjegime, por nuk më ka thënë asgjë", – është shprehur Rënxa.

VENDIMET E MARRA NGA DREJTUESIT
Arbër Capa – I pafederuar
Indrit Hithi – I përjashtuar
Endri Rënxa – I përjashtuar
Joanc Duqi – Paralajmërim për përjashtim
Arlind Xakla – Paralajmërim për përjashtim
Andrelis Pashaj – Paralajmërim për përjashtim
Salvador Sulçe – Paralajmërim për përjashtim
Redon Xhepa – Paralajmërim për përjashtim

PRECEDENTI
Pas humbjes që Partizani pësoi në javën e dytë të kampionatit ndaj Butrintit në shtëpi, drejtuesit bënë një analizë të gjatë me skuadrën. Gjatë saj mesfushorit Capa iu komunikua se nuk ishte grumbulluar me ekipin, ndërsa aksionari Laçi deklaroi se në skuadër kishte klane mes futbollistëve, të cilat duhet të shpërbëheshin sa më parë dhe lojtarët të kishin harmoni në marrëdhëniet mes tyre.

Rekord lojtarësh edhe pas federimeve
Edhe pse periudha e federimeve tashmë ka mbaruar, te Partizani vazhdon të ketë një numër rekord lojtarësh që stërviten. Lista prej 30 emrash është dërguar në FSHF, ndërkohë që një pjesë e futbollistëve janë në grup edhe thjesht për stërvitje. Megjithatë stafi teknik e ka ndarë skuadrën në dy grupe: trajneri Çoçlli punon me lojtarët që ka projektuar për të pasur në 18-tëshe për ndeshjen e radhës, ndërsa Marko Pelinxhi me lojtarët e perspektivës dhe pjesën tjetër që ka mbetur jashtë grumbullimit për sfidën e radhës.

Prapaskenat e rikthimit të Çoçllit
Humbja e dytë në kampionat nuk është pritur mirë nga trajneri i Partizanit, Nikolin Çoçlli, për më tepër që ajo ka ardhur në të njëjtën mënyrë si e para: me tre gola të pësuar. Pavarësisht se në një prononcim të dhënë dy ditë më parë për "Panorama Sport", trajneri ishte shprehur se do të vazhdonte punën me të kuqtë, gjatë ditës së djeshme ai ka hedhur hije dyshimi mbi të ardhmen e tij. Pas ndeshjes me Elbasanin Çoçlli është larguar drejt Korçës për shkaqe personale, ndërsa dje nuk ka qenë i pranishëm në stërvitje. I kontaktuar nga gazeta, ai ka thënë se pasdite do të kishte një takim me aksionarin Laçi për të folur mbi të ardhmen e tij, duke lënë të hapur edhe mundësinë e një dorëheqjeje. Ndërkohë, stërvitja është drejtuar nga Ylli Shehu dhe Marko Pelinxhi, të ndihmuar edhe nga drejtori teknik, Petrit Haxhia. Por, pas takimit të djeshëm me Laçin, i cili ka zgjatur për rreth 90 minuta, Çoçlli është shprehur se ka rënë dakord që të vazhdojë punën në krye të të kuqve. Në këtë rast duhet përmendur se aksionari Laçi ka qenë gjithmonë në mbështetje të trajnerit, për të cilin është shprehur se ka bërë një punë të mirë edhe pse ekipi ka pësuar dy humbje të njëpasnjëshme.
Deklarata – I kontaktuar nga gazeta pas takimit me Laçin, Çoçlli ka deklaruar: "Kemi biseduar dhe kemi rënë dakord ta vazhdojmë punën aty ku e kemi lënë, pavarësisht se skuadra ka pësuar dy humbje. Ne duhet të punojmë të gjithë bashkë që Partizani të rikthehet edhe njëherë tjetër te fitoret, duke nisur nga ndeshja e radhës që do të luajmë ndaj Tërbunit". Gjithashtu Çoçlli ka folur edhe për analizën e humbjes me Elbasanin, e cila pritet të bëhet në mënyrë më profesionale nga ana e tij, duke qenë se ajo e djeshmja ishte thjesht një mbledhje për të bërë me dije masat e marra për përjashtimin e dy futbollistëve. "Do të bëj një analizë të thellë me lojtarët për humbjen dhe shkaqet që e sollën atë. Duhet që gjatë kësaj jave të rregullojmë defektet që skuadra ka treguar në takimin ndaj Elbasanit, në mënyrë që të marrim fitoren e shumëpritur ndaj Tërbunit", – tha trajneri.

Analiza pritet të bëhet me pamje filmike
Analiza teknike e humbjes që Partizani ka pësuar në ndeshjen ndaj Elbasanit, pritet të zhvillohet në një ambient që do të ketë edhe pamje filmike. Burime pranë drejtuesve kanë bërë me dije për “Panorama Sport”, se tashmë kanë siguruar edhe kasetën e ndeshjes dhe se gjatë kësaj jave do të prenotohet një ambient i përshtatshëm për analizën. Në të mësohet se do të ftohen të jenë të pranishëm edhe dy lojtarët tashmë të përjashtuar, Indrit Hithi dhe Endri Rënxa, të cilëve do t’u bëhen me dije edhe arsyet se përse është marrë masa e rëndë ndaj tyre, duke u bazuar edhe te loja që kanë bërë.

Lojtarët, të zhgënjyer nga disfatat
Ndoshta nuk e kishin parashikuar të tillë aventurën e tyre te Partizani, megjithatë lojtarët e kuq tashmë ndihen të lodhur dhe të zhgënjyer nga dy humbjet e fundit. Presioni i tifozëve të kuq, që kërkojnë edhe përgjegjësitë për rezultatet negative, por edhe i drejtuesve, ka bërë që atmosfera në radhët e futbollistëve të mos jetë e mirë. Përpara “demat” kanë dy ndeshje shumë delikate me Tërbunin në kampionat dhe derbin ndaj Tiranës në Kupën e Shqipërisë, i cili do të rikthehet pas katër vitesh mungesë. Tifozët e kuq për këto dy ndeshje kanë premtuar mbështetje, por ndërkaq kërkojnë edhe impenjim nga ekipi.

BRAHO
Sulmuesi i Partizanit, Florian Braho, nuk ka zhvilluar dje stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës për shkak të një dëmtimi që ka pësuar në kavilje në ndeshjen ndaj Elbasanit. Gjirokastriti ka pasur një përplasje me portierin kundërshtar duke e nxjerrë atë me karton të kuq, e megjithatë nuk e ka lënë lojën në mes. Por, duket se dëmtimi i tij i ka dhënë pasojat më vonë, pasi nuk konfirmohet nëse ai do të luajë në ndeshjen e radhës.
ARMAND HALILI

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions