Gvozdenoviç dhe Bici: Ne, ‘muri’ korçar. Skënderbeu fiton testin ndaj Kastriotit

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Gvozdenoviç dhe Bici: Ne, 'muri' korçar. Skënderbeu fiton testin ndaj Kastriotit
Sep 10th 2012, 12:04

Skënderbeu nuk ka dyshime: këtë sezon do të bëjë tris. Gjithçka nisi mbarë dhe 6 pikët e plota ia shtojnë besimin se kështu do të vijohet. Siguria për arritjet e suksesit duket qartë tek të gjithë, sidomos te dy qendërmbrojtësit Gvozdenoviç dhe Bici. Ata së bashku formojnë një "mur të pakalueshëm" në qendër të mbrojtjes, çka e tregojnë më së miri edhe shifrat. Në dy përballjet e para ata kanë pësuar vetëm një gol dhe kjo sigurisht që krijon siguri. Ivan Gvozdenoviç analizon ekipin dhe e konsideron atë të frikshëm për çdo kundërshtar. "E nisëm mbarë, por duhet të përmirësohemi akoma edhe më shumë. Dëmtimet na kanë penalizuar disi, por sërish reparti i mbrojtjes është mjaft i sigurt. Kemi një organikë të pasur, me lojtarë si Bici, Vrapi, Arapi, të cilët janë kampionë të vërtetë. Por edhe braziliani Soza, që është afruar së fundmi, është një armë shtesë e kësaj skuadre. Skënderbeu ka fituar dy ndeshjet e para, por është ende shpejt për t'u gëzuar, pasi kampionati është shumë i gjatë. Me këtë kontingjent nuk do të jetë e pamundur të shpallemi kampionë të Shqipërisë për herë të tretë radhazi dhe, pse jo, të synojmë fitimin e Kupës së Shqipërisë", – tha serbi.
Bici - I të njëjtës linjë është edhe mbrojtësi lezhjan, Ditmar Bici, i cili për gazetën flet për startin e këtij edicioni, por nuk harron të komentojë edhe mbrojtjen e bardhekuqve, të cilën e cilëson të blinduar. "Pavarësisht se dështuam në Superkupë, ditëm të reagonim mjaft mirë në kampionat. Me Vrapin kam kaluar dy vite shumë të mira si shok reparti. Ai është një nga mbrojtësit më të mirë në Shqipëri dhe meriton respekt. Po ashtu edhe Gvozdenoviç, është një nga mbrojtësit më të mirë në qarkullim për momentin. Nuk ka rëndësi se kush luan, pasi këtë e vendos trajneri, por e rëndësishme është që kushdo të japë më të mirën e tij kur futet në fushë. Kampionati i këtij viti do të jetë mjaft i luftuar, por e rëndësishme është që Skënderbeu të japë gjithmonë më të mirën. Kualitetet e bëjnë ekipin më të mirë në Shqipëri. Skënderbeu është një ekip që ka 22 futbollistë cilësorë, ndërsa repartet janë të konsoliduar duke ofruar siguri", – përfundoi qendërmbrojtësi i korçarëve.

Dygolësh i Kames Skënderbeu fiton testin ndaj Kastriotit
Skënderbeu – Kastrioti 2-0
Golat: M.Kame (2)
Formacioni i korçarëve: Llapanji (Mali), Rezhda, Çipi, Spahiu, Topulli (Minaj), Vrapi, Dimo, Rrapo, Cima, M.Kame, Tahirllari. Trajner: Mirel Josa

Për një pjesë të Skënderbeut, dita e djeshme nuk ka qenë pushim. Skuadra e drejtuar nga trajneri Mirel Josa ka udhëtuar drejt Kamzës, ku së bashku me një pjesë të ekipit të të rinjve kanë zhvilluar një miqësore me Kastriotin, sfidë që u fitua nga kampionët me rezultatin 2-0. Kjo ndeshje u realizua kryesisht për të provuar të rinjtë, por edhe lojtarët e stolit, të cilët në kampionat nuk kanë shumë hapësirë për t'u aktivizuar. Llapanji, Vrapi, Dimo, Çipi, Cima dhe Tahirllari ishin pjesë e formacionit. Golat për ekipin bardhekuq u shënuan që të dy nga sulmuesi Mario Kame, i cili ka qenë i grumbulluar me ekipin e parë këtu e një vit më parë. Tekniku ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e të tijve dhe tashmë është i sigurt se me këtë kontingjent mund të përballojnë me sukses jo vetëm kampionatin, por edhe Kupën e Shqipërisë.

Nis java anti-Bylis
Korçarët do të rinisin sot përgatitjet në kuadër të javës së tretë të kampionatit ndaj Bylisit. Pas dy fitoreve radhazi, të besuarit e trajnerit Mirel Josa do të kërkojnë të bëjnë tris, ndaj edhe seancat stërvitore do të jenë me ngarkesë të lartë. Ndërkaq, sot do t’i bashkohet pjesës tjetër të grupit edhe sulmuesi Sebino Plaku, i cili të shtunën nuk qe pjesë e ndeshjes së kontrollit brenda familjes, për shkak të një shqetësimi në kofshën e djathtë. Megjithatë, kjo nuk përbën aspak problem për lojtarin, i cili ashtu si edhe pjesa tjetër do të vihet nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa, për të marrë ngarkesën e duhur për ndeshjen me ballshiotët.
LLAZI SARO

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions