Kurbinasit, 5 milionë lekë premio për fitoren. Laska: Laçi, i tillë në çdo sfidë

Fitore të madhe në transfertën e Vlorës. Kështu e kanë cilësuar triumfin e ditës së premte të ekipit në fushën e Flamurtarit, krerët bardhezinj. "Vlerësojini skuadrat nga kualitetet e jo nga emri. Laçi ka potenciale të vërë këdo në vështirësi. Ndihem i gëzuar dhe krenar për djemtë", – është shprehur pas takimit Stavri Nica, në adresë të të cilit shkojnë meritat e kësaj fitoreje. Dhe atmosfera sportive pas përfundimit të sfidës është shfaqur kudo në qytetin e Laçit. Pamjet direkte të transmetuara nga ekrani i televizionit u kanë dhënë mundësi dashamirëseve të kurbinasve që ta ndjekin drejtpërsëdrejti këtë sfidë. "Skuadra ka luajtur një takim emocionues dhe të qartë faktikisht. Presing në çdo top dhe shtrirje në tërë hapësirën. Këtë radhë e gjithë mbrojtja ka merituar notë maksimale, por edhe Vucaj e sidomos Emurllai me atë gol të bukur ia rritën vlerat grupit", – kanë komentuar dje dashamirës të kësaj skuadre. Mirëpo, përveç tri pikëve të vyera, në transfertën e fituar me Flamurtarin duket se laçianët kanë ngrohur edhe xhepin. Tej bonuseve të vëna nga klubi në të tilla takime, biznesmeni nga Laçi, Ervis Martini, u ka premtuar futbollistëve para ndeshjes se në rast fitoreje (futbollistët) do të përfitonin në total 500 mijë lekë të rinj. Ndërkaq, sot, në seancën e pasdites pritet që përveç analizës së takimit, të ketë edhe të tjera zhvillime.

Laska: Laçi, i tillë në çdo sfidë
Kreu i klubit, Pashk Laska, në një prononcim të shkurtër dje, ka deklaruar se pavarësisht paraqitjes së mirë lojtarët duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë. Kreu bardhezi u shfaq dje që në orët e para të mëngjesit në stadiumin "Laçi", aty ku ai dhe drejtues të sportit në bashki po ndjekin rimbjellen e tapetit me një sasi bari natyral. Përpos kësaj, Laska nuk e fshehu kënaqësinë për lojën e bukur dhe pikët. "Skuadra pas ndryshimeve ka reaguar në mënyrë fantastike. Pashë në fushë një grup të mirëvendosur dhe që lëvizte pa pushim. Kundërshtari, një pretendent për titullin, u gjend i befasuar, pasi në çdo top futbollistët tanë suleshin për ta fituar atë. Ishte një fitore që na kthen buzëqeshjen, por kujdes, pasi Laçi ka një objektiv serioz dhe për të mbërritur tek ai, lipset angazhim në çdo takim", – tha kreu i klubit laçian.
Ardi Hasani