Miqësorja e luksit, Sevilja fiton “për qejf”. Rubio: Flamurtari im u lodh shpejt

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Miqësorja e luksit, Sevilja fiton "për qejf". Rubio: Flamurtari im u lodh shpejt
Sep 10th 2012, 12:53

FLAMURTARI – SEVILJA 1- 2
GOLAT: Muzaka 10′ / Negredo 18′ (P), Del Moral 51′
FLAMURTARI (4-2-3-1): Xhelilaj (Koliçi 46′), Arbri (Bishaj 76′), Rajoviç, Pezo, Mici, Bratiç, Kuqi (Bregu 46′), Lena (Nelaj 86′), Muzaka, Soza (Telushi 58′), Pepa Trajner: Hulian Rubio
SEVILJA (4-3-2-1): Palop (Lopez 46′); Koke, Kala, Botía (Bernardo 46′), Fernando Navarro (Siinjo 46′); Maduro (Hervás 46′), Kampanja, Kondogbia; Troçovski (Huanfran 60′), Negredo (Baba 60′), Luna (Manu del Moral 46′) Trajner: Mishel
KARTONË TË VERDHË: Mici 62′/ Kala 75′
GJYQTARET Bardhyl Pashaj, R.Avdo, G.Qirici 10′
SPEKTATORË: 1000

MINUTAT
10′ – Kondogbia humb topin në hyrje të zonës, Pepa kroson nga e majta dhe Muzaka e dërgon qetësisht në rrjetë, duke e goditur në ajër. 1-0.
18′ Bratiç ndërhyn gabimisht ndaj Troçovskit dhe arbitri jep penallti. Negredo gjuan saktë nga pika e bardhë. 1-1.
21′ Bratiç merr një top në qendër të mesfushës, ecën i pashqetësuar për disa metra dhe pranë zonës godet fort, por pret Palop.
41′ Krosim në zonë nga goditje këndi, Huan Torres godet bukur me kokë, por topi prek traversën e portierit Xhelilaj.
49′ Krosim në zonë nga Manu del Moral, topi i rrëshqet nga duart Koliqit, por gjuajtja e Gomezit, vetëm dy metra larg portës, shkon në shtyllë.
51′ Negredo sulmon nga krahu i djathtë, kroson në zonë dhe Manu del Moral gjuan i pashqetësuar në ajër, duke e dërguar topin në rrjetë. 1-2.
55′ Negredo fiton dyluftimin me Rajoviçin, por përballë portierit Koliçi e dërgon topin jashtë.
58′ Një top pa pretendime drejt portës, por Koliçit i rrëshqet nga duart. Megjithatë, gjuajtja e Del Moral godet sërish trupin e portierit shqiptar.
72′ Manu del Moral gjuan fort në diagonale me portën, por Koliçi pret qetësisht.
81′ Del Moral depërton bukur në zonë, Bisha i ndërhyn gabimisht, duke e penguar qartazi, por arbitri Pashaji nuk akordon 11-metërsh.
89′ Espinoza merr një pasim të bukur brenda zonës, kalon dy kundërshtarë, por gjuajtja e tij pritet nga portieri Koliçi.
93′ Pas një inkursioni të gjatë, Pepa godet fort në hyrje të zonës, por topi shkon jashtë.

Sevilja erdhi në Shqipëri, luajti, fitoi, u largua, por dëshmitarët "live" të kësaj ngjarjeje nuk e kalojnë dot as numrin 1 mijë. Një ndeshje çfarëdo e Flamurtarit në kampionat do të kishte dhuruar më shumë emocione dhe kishte mbledhur më shumë tifozë në "Qemal Stafa". Pa një atmosferë të zjarrtë dhe, si të ishte një ndeshje kontrolli brenda të njëjtit ekip, miqësorja me prestigjiozët spanjollë u kalua në hije dhe pa mbresa të paharrueshme. Trajneri Mishel i Seviljes provoi në fushë të gjithë lojtarët e grumbulluar (mungonin 5 yjet kryesorë të skuadrës), duke bërë një testim me vlera në aspektin individual. Ndërkohë, kuqezinjtë e Rubios, gjithashtu me mungesa të rëndësishme, luajtën me frikën se mos dëmtonin kundërshtarët dhe thuajse të dorëzuar para prestigjit të spanjollëve…
Pjesa e parë - Flamurtari zbriti në fushën e lojës me formacionin më të mirë (përjashto mungesat e Memellit, Veliut dhe Vukçeviçit). Nga ana tjetër, gjysma e lojtarëve të Mishelit përdoren si zëvendësues në kampionatin vendës, gjithsesi Sevilja nuk e kishte të vështirë të shprehte supermacinë e saj. Ndeshja nisi e qetë dhe me sinjale të qarta që nuk kishin ndër mend të dhuronin një ndeshje "të vërtetë", me rivalitet të fortë në fushë. Spanjollët u dukën sikur kishin ardhur, thjesht sa për të bërë një "paradë" në Shqipëri. Pas vetëm 10 minutash lojë, Flamurtari kaloi në avantazh, me një gol të Muzakës, ku më shumë binte në sy shpërqendrimi apo tolerimi i mbrojtjes dhe portierit spanjoll. Gjithsesi, vlonjatët dinë të ta kthejnë nderin dhe tetë minuta më pas u dhurojnë një 11-metërsh (Bratiç pengoi Troçovskin brenda zonës). Alvaro Negredo, me një gjuajtje potente nga pika e bardhë, barazoi rezultatin. Minutat në vazhdim ishin sa të qeta, aq edhe të mërzitshme, të ndikuara deri-diku edhe nga zbrazëtia e shkallëve të stadiumit. Gjithsesi, katër minuta para fundit të pjesës së parë, Huan Torres goditi traversën e Xhelilajt, duke sinjalizuar se në pjesën e dytë nuk do të ishin më aq pasivë në fushë…
Pjesa e dytë – Te Sevilja u bënë menjëherë pesë ndryshime, duke mos rrezikuar asnjë prej lojtarëve të rëndësishëm. Gjithsesi, të rinjtë ishin mjaft aktiv dhe, përballë një Flamurtari të lodhur fizikisht, nuk e kishin të vështirë që të mos u lejonin vlonjatëve thuajse asnjë rast për shënim dhe njëkohësisht të gjenin rrugën e rrjetës. Alvaro Negredo, i cili u duk i pamundur për t'u markuar sa herë kishte topin në zotërim, depërtoi bukur në krahun e djathtë dhe krosimi i tij në zonë u shfrytëzua maksimalisht nga Manu del Moral. 2- 1 për Seviljen dhe aty u duk sikur për vendësit mezi po pritej fundi i ndeshjes. Me disa tentativa të tjera për shënim dhe me një goditje të shtyllës, Sevilja preferoi të marrë një fitore pa shpenzuar shumë energji. Spanjollët erdhën, panë dhe ikën, por çmimet e kripura të biletave, jo vetëm që penguan tifozët ta ndiqnin nga afër këtë miqësore, por edhe ata pak që paguan, u penduan…

Presidenti i Flamurtarit
“Në Vlorë do të ishte një atmosferë tjetër”
Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, e ka ndjekur me emocion sfidën e djeshme miqësore me Seviljan. Në fund të takimit, në konferencën për shtyp, kreu i klubit vlonjat u shpreh: “Ishte një ëndërr që luajtëm një miqësore ndaj një prej skuadrave më të njohura të futbollit spanjoll. Pavarësisht problemeve që hasëm, mendoj se bëmë maksimumin për organizimin e një ndeshjeje që do të mbahet mend gjatë. Megjithatë, jam i bindur se nëse kjo sfidë do të luhej në Vlorë, atmosfera do të ishte më elektrizuese dhe do të kishte shumë tifozë. Sigurisht, u vendos që të luhej në Tiranë duke qenë se është kryeqyteti i Shqipërisë dhe nuk ishte vetëm një ndeshje për vlonjatët, por për të gjithë shqiptarët. Në pjesën e parë bëmë një lojë të mirë dhe arritëm të shënojmë të parët. Ndërsa, në të dytën patëm probleme. Megjithatë, skuadra më pëlqeu se si e interpretoi lojën. Mund të them se në ekip ka nisur të ndihet tashmë dora e trajnerit Rubio. Gjatë kësaj jave, ai ka punuar shumë dhe ka ndryshuar disa gjëra. Mendoj se jemi në rrugën e duhur. Falënderoj presidentin e Seviljas, skuadrën dhe kompaninë ‘Miami Beach’ për organizimin e këtij evenimenti. Për sa i përket dashurisë që tregoi presidenti i Seviljas ndaj trajnerit tonë Rubio, e garantoj se nuk do ta lejojmë të largohet nga Flamurtari”, – përfundon prononcimin e tij Shpëtim Gjika. Në lidhje me miqësoren që mund të luhet me Barcelonën, ende nuk është vendosur përfundimisht.

Presidenti i Seviljas
“Më i miri te Flamurtari? Ishte trajneri Rubio”
Në krah me Shpëtim Gjikën në tribunën VIP të “Qemal Stafa”-s qëndroi dje edhe presidenti i Seviljas, Hose Maria Del Nido. Në fund të ndeshjes, kreu i klubit spanjoll u shpreh i lumtur për fitoren dhe për paraqitjen e skuadrës së tij. “Sigurisht, në çdo ndeshje që zhvillon Sevilja, qoftë kjo për kampionat, kupë apo miqësore, dëshira ime është që të fitojë. Edhe pas këtij takimi kam mbetur i kënaqur nga rezultati dhe loja e ekipit. Megjithatë, nuk e patëm aspak të lehtë, pasi në pjesën e parë Flamurtari arriti të na përballonte më së miri. Ndërsa në pjesën e dytë krijuam shumë raste dhe mund të shënonim më shumë”. Kush lojtar i Flamurtarit ju bëri përshtypje? “Hulian Rubio ishte më i miri. Ai bëri diferencën”, – lëshon batutën e tij presidenti i Seviljas për trajnerin spanjoll të Flamurtarit. Në lidhje me mundësinë e zhvillimit të një ndeshjeje kthimi në Spanjë, presidenti Del Nido bëri të ditur se të gjitha rrethanat ekzistojnë dhe kjo mund të ndodhë në të ardhmen. Si ju duk Shqipëria? “Me aq sa arrita të shoh, është një vend që po zhvillohet shumë dhe po përshtatet me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, kam besim se shumë shpejt Shqipëria do të bëhet pjesë e BE-së”, – përfundon prononcimin e tij 1-shi i klubit spanjoll, që është pranë skuadrës në çdo ndeshje. Prej disa vitesh, Sevilja është një prej skuadrave më të mira të kampionatit spanjoll dhe gjithmonë është spektakolare.

Rubio: Flamurtari im u lodh shpejt
Gjatë gjithë ndeshjes ka qëndruar më këmbë, duke dhënë udhëzime për të tijtë. Trajneri spanjoll i Flamurtarit, Hulian Rubio, ka përjetuar një prej ndeshjeve më emocionuese në karrierë. Ndodhet në stolin kuqezi prej vetëm dhjetë ditësh dhe përballë ka Seviljan, skuadrën e tij të zemrës, ku ka luajtur dhe e ka drejtuar. Në fund, një përqafim i fortë me presidentin e klubit spanjoll dhe shtrëngime duarsh me lojtarët në fushë. Dje, Rubio ishte gati të bënte gjithçka për të mundur Seviljan e tij.
Kishit përballë Seviljan ku keni luajtur si lojtar dhe e keni drejtuar si trajner. Si e përjetuat këtë ndeshje?
Sa herë që jam përballë Seviljas, për mua është një emocion i veçantë. Ajo është skuadra ime e zemrës. Kam qenë disa herë kundër saj, por so t(dje) dëshiroja shumë që ta mundja. Më vjen keq që nuk ia arrita qëllimit. Një ndeshje me dy tablo për Flamurtarin, në pjesën e parë bëri një paraqitje të mirë, ndërsa në të dytën pati probleme.
Çfarë ndodhi?
Gjatë javës së kaluar kemi punuar shumë fort në aspektin fizik. Kjo ka ndikuar te 7-8 futbollistë, të cilët nuk mund t'i përballonin 90 minutat. U sforcuam shumë në pjesën e parë dhe më pas në të dytën hasëm probleme. Mund të them se prisja një Sevilje që do të na ushtronte më shumë presion. Në fund kishim rastin tonë për të barazuar, por nuk e shfrytëzuam.
Çfarë ka ndryshuar te Flamurtari pas humbjes me Laçin?
Në atë takim unë kam qenë thjesht dëshmitar, pasi nuk e kisha përgatitur skuadrën. Ndërsa gjatë kësaj jave kam bërë disa ndryshime dhe kemi punuar shumë fort. Megjithatë, nuk ka qenë koha e mjaftueshme që unë t'u tregoj lojtarëve të gjitha konceptet e mia për futbollin. Sa i përket sfidës me Tomorin, jam munduar ta përgatis në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kam besim se do arrijmë të fitojmë.
Tek Tirana keni arritur të fitoni tre tituj, ndërsa në Vlorë e presin titullin kampion që prej 1991-it. A do të jeni ju ai që do të riktheni në Vlorë trofeun më të rëndësishëm të sezonit?
Unë kam nisur punën intensivisht dhe kam besim te skuadra. Ndihem shumë mirë dhe deri tani po trajtohem në mënyrë të shkëlqyer. Në fazën e parë duhet të ruajmë distancën dhe të mos lejojmë ekipet e tjera të na shkëputen. Më pas, në fazën e dytë të synojmë të renditemi sa më lart. Megjithatë, ka ende punë për të bërë.

U shënon skuadrave të mëdha, Muzaka: S’është rastësi
“Nuk është rastësi që unë shënoj në miqësore të tilla luksi. Mendoj se e kërkoj dhe jam këmbëngulës në çdo moment”. Këto janë fjalët e mesfushorit të Flamurtarit, Gjergji Muzaka, menjëherë pas ndeshjes së djeshme miqësore që vlonjatët zhvilluan ndaj Seviljas. Më parë, 27-vjeçari i ka shënuar edhe Milanit kur luante me Tiranën, si dhe Real Sociedadit kur ishte pjesë e Dinamos. “Golin ia dedikoj babait tim, që e kujtoj në çdo moment. Isha në momentin e duhur dhe e kërkova atë gol. Zhvilluam një ndeshje shumë të mirë dhe e përballuam Seviljan në pjesën më të madhe. Megjithatë, të tilla takime luhen për publikun dhe mendoj se ata tifozë që e ndoqën nga afër, janë kënaqur”, – shprehet Muzaka. Jeni ambientuar me Flamurtarin? “Po përshtatem nga dita në ditë dhe i gjithë grupi është harmonizuar. Tani ka ardhur momenti që të marrim fitoren e parë në kampionat, ku do të luajmë përballë Tomorit. Megjithëse dy rezultatet e para nuk kanë qenë të kënaqshme, kam besim se do të rikthehemi në rrugën e duhur dhe do të jemi gjithmonë ndër skuadrat e kreut. Dihet tashmë që synimi i Flamurtarit është titulli kampion. Nuk do të jetë e lehtë, por kemi një grup solid që do të dijë ta përballojë me sukses këtë sezon”, – përfundon prononcimin e tij Gjergji Muzaka.

Lena: Një ndeshje e paharrueshme
Në ndeshjen e djeshme mbajti shiritin e kapitenit dhe ishte një prej më të mirëve në fushë. Sulmuesi i Flamurtarit, Njazi Lena, lëvizi shumë dhe tentoi disa herë portën kundërshtare, por nuk arriti të shënonte. “Ishte një nga ato ndeshje që mund t’i zhvillosh vetëm një herë në jetë. Bëmë një paraqitje të mirë dhe rezistuam ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Ata kanë lojtarë klasi si Negredo apo Navarro. Megjithatë, për asnjë moment nuk u ndjemë inferiorë dhe dhamë gjithçka në fushën e lojës. Do kishte qenë më mirë sikur të kishte pasur më shumë tifozë”, – shprehet Lena.

Shumë pankarta, por mungojnë tifozët
Ndeshja e djeshme miqësore Flamurtari-Sevilja është zhvilluar në një atmosferë shumë të vakët. Të pranishëm në shkallët e “Qemal Stafa”-s ishin diçka më shumë se 1000 tifozë. Çmimet e larta dhe momenti jo i përshtatshëm për një ndeshje të tillë, duke parë vëmendjen që po i kushtohet Kombëtares, ka ndikuar te numri shumë i paktë i sportdashësve. Megjithatë, ata pak tifozë vlonjatë të ardhur nga Vlora nuk kanë harruar të shpalosin banderolat e tyre ku shkruhej: “Flamurtari kampion” dhe “Dragonjtë kuqezi”. Por, për asnjë moment nuk është dëgjuar asnjë mbështetje e organizuar nga tifozët. Të vetmet që janë ndjerë në sfidën e djeshme ishin duartrokitjet e të pranishmëve kur shënoi Muzaka ose për aksionet e rrezikshme të vlonjatëve. Flamurtari synon që në nëntor të zhvillojë një miqësore me Barcelonën.

Sevilja, tetë mungesa të rëndësishme
Miqësorja e luksit mes Flamurtarit dhe Seviljes karakterizohej nga mungesa të shumta. Për vlonjatët nuk ishin të gatshëm Memelli e Vukçeviç për arsye dëmtimi, si dhe Franc Veliu, i cili është i grumbulluar me ekipin përfaqësues. Ndërsa te Sevilja numri i mungesave ishte më i lartë, e mbi të gjitha i lojtarëve më të rëndësishëm. Bëhet fjalë për Hoze Antonio Rejesin, Hesus Navasin, Diego Perotin, Ivan Rakitiçin dhe Geri Medelin.
FATJON SHEHU / BESAR BOZGO

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions