Partizani, premio për fitoren me Butrintin

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Partizani, premio për fitoren me Butrintin
Sep 8th 2012, 11:51

Sot në orën 16:00, në stadiumin "Selman Stërmasi", Partizani do të luajë javën e dytë të kampionatit ndaj Butrintit. Të kuqtë e drejtuar nga Nikolin Çoçlli do të kenë detyrë parësore të marrin fitoren, në mënyrë që të mos shkëputen nga skuadrat e kreut të klasifikimit. Megjithëse optimizmi në radhët e futbollistëve është i lartë, drejtuesit kanë vendosur ta motivojnë ekipin me një premio prej 5 mijë lekësh të rinj në rast fitoreje. Ndërsa, gjatë ditës së djeshme, mësohet se janë shpërndarë edhe premiot e fitores së një jave më parë, që të kuqtë arritën në transfertën e vështirë të Velipojës.
Trajneri Në një prononcim për "Panorama Sport", trajneri i "demave", Çoçlli, është shprehur optimist për takimin. "Butrinti është një skuadër cilësore, të cilën mendoj se e njoh mjaftueshëm. Ajo ka në përbërje lojtarë cilësorë, të cilët mbrohen mirë. Sarandjotët do të vijnë në ndeshjen ndaj nesh me qëllimin e vetëm për pikë, kështu që motivimi ynë duhet të jetë maksimal. Duhet të sulmojnë gjatë gjithë kohës dhe të mos e lëmë kundërshtarin në asnjë moment të na rrezikojë", – ka pohuar tekniku i kryeqytetasve. Por, pavarësisht vështirësisë së takimit, trajneri është i bindur te fitorja. "Në asnjë moment nuk do ta vëmë në dyshim fitoren. Tri pikët janë objektivi ynë dhe ato duhet t'i marrim me çdo kusht. Kam besim te futbollistët dhe përkushtimin që ata kanë treguar gjatë seancave stërvitore. Gjithashtu, kam besim edhe te tifozët, të cilët jam i bindur se do të na mbështesin maksimalisht", – ka përfunduar Çoçlli. Ndërkohë formacioni i të kuqve në këtë takim nuk pritet të ndryshojë shumë. Rrënxa, sipas të gjitha gjasave, do ta nisë nga minuta e parë në qendër të mbrojtjes, ndërsa Shala do vazhdojë stërvitjet me një program individual. Në repartet e tjerë të lojës nuk do të ketë asnjë lëvizje.

Skuadra grumbullohet në kryeqytet
Drejtuesit e Partizanit kanë vendosur ta grumbullojnë skuadrën në prag të ndeshjes ndaj Butrintit. Kështu, pas mbarimit të seancës së djeshme stërvitore, të gjithë futbollistët kanë pushuar disa orë dhe pasdite rreth orës 18:00 të gjithë janë grumbulluar në një nga hotelet pranë rrugës së Elbasanit, ku kanë kaluar edhe natën. Sot skuadra do të drekojë e grumbulluar dhe rreth orës 15:00 lojtarët me stafin teknik do të nisen drejt stadiumit “Selman Stërmasi”, ku në orën 16:00 do të luhet takimi ndaj Butrintit. Të kuqtë në këtë përballje kanë si synim kryesor të marrin fitoren.

ARMAND HALILI

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions