Perla e Deliçit nxjerr Vllazninë nga bataku, Bylisi i Canajt s’e njeh fitoren

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Perla e Deliçit nxjerr Vllazninë nga bataku, Bylisi i Canajt s'e njeh fitoren
Sep 30th 2012, 11:31

BYLISI – VLLAZNIA  0-1
GOLI: Deliç 61'
BYLIS: Frashëri, Shoshi, Da Silva, Idrizi, Ristevski (Kelmendi 62'), Teqja, Arifaj (Bakiu 62'), Meto, Sefa (Xhejms 61'), Xhafa, Arbri. Trajner: Agim Canaj
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Semina, Osmani, Beqiri, Smajli, Belisha (Kraja 80'), Tafili, Shtubina, Deliç, Dragoi (Bega 87'), Hajdari (Nallbani 46'). Trajner: Shpëtim Duro
KARTONË TË VERDHË: Shoshi 84', Da Silva 15'/ Shtubina 47', Nallbani 63'
VËZHGUES: Astrit Mema (Durrës)
DELEGAT: Hito Hitaj (Tiranë)
GJYQTARET: Ervis Peza/ G.Qirici dhe D.Agaraj (Tiranë)

MINUTAT
10' Deliç nga 25 metra largësi gjuan ballore, por Frashëri grushton me vështirësi dhe e nxjerr topin në goditje këndi.
17' Shtubina futet në zonë dhe harkon për Dragoin, por rumuni nuk e devijon dot topin në portë.
23' Nga e majta e sulmit ballshiot Arbri fut një top në zonë për Xhafën, i cili nuk e kap dot ritmin për ta pritur atë dhe për ta dërguar në portë.
34' Arbri kombinon me Xhafën, por vlonjati nuk është aq i shpejtë të veprojë me topin.
38' Meto futet në brendësi të gjysmëfushës së Vllaznisë, driblon dy mbrojtës dhe gjuan drejtpërdrejt në portë, por Vujadinoviç pret në dy kohë.
39' Insistojnë mallakastriotët, është kapiteni Arbri që ka rastin më të mirë për ta dërguar topin në rrjetë, por ai gjuan dhe Vujadinoviç grushton me saktësi duke larguar rrezikun.
49' Arbri i jep pasim të saktë Sefës që ndodhet në qendër të mbrojtjes shkodrane, ky i fundit nxitohet në gjuajtje dhe topi përfundon mbi traun e portës.
54' Kapiteni Arbri gjen të lirë Meton brenda zonës së rreptësisë së Vllaznisë, i pason saktë për të gjuajtur drejt portës, por fieraku vonohet dhe pason për shokët e skuadrës, të cilët e humbasin ritmin e aksionit.
61' Kundërsulm i Vllaznisë, Deliç merr topin në mesfushë dhe përparon drejt sulmit. Nga largësia e 25 metrave serbi lëshon një perlë dhe e dërgon topin në trekëndëshin e portës së mbrojtur nga Frashëri, gol 0-1!
64' Shkodranët dalin sërish në sulm, këtë herë Dragoi gjuan nga e njëjta distancë si Deliç, por topi përfundon mbi traun e portës së Bylisit.
73' Ballshiotët e kanë të pamundur të depërtojnë mes mbrojtësve të Vllaznisë. Meto i afrohet zonës së 16-metërshit dhe gjuan, por disa metra mbi kuadrat.
89' Begaj bën sforcon e fundit për Vllazninë, gjuan, por Frashëri tregohet i vëmendshëm dhe nuk lejon vulosjen e rezultatit.

Vllaznia ka dalë nga bataku ku e pat futur një javë më parë barazimi në shtëpi me Apoloninë, pasi ka fituar në një fushë relativisht të vështirë dhe për më tepër në një ditë të veçantë për vendësit. Në fakt, ballshiotët ktheheshin në fushën e tyre për herë të parë këtë sezon pas rikonstruksionit të stadiumit dhe kërkonin me çdo kusht që ta inauguronin edhe me një fitore. Mirëpo nuk ndodhi kështu, pasi kuqeblutë zbritën në fushë me një mentalitet krejt tjetër, duke kërkuar më së pari që të mos humbnin e më pas të tentonin tri pikët. Dhe formula e Duros funksionoi. Vllaznia ua prishi festën mallakastriotëve, duke i mundur falë një perle të Ivan Deliçit. Nga ana tjetër, Bylisi i Agim Canajt u mundua që të çante mbrojtjen e ngjeshur të shkodranëve, por mesfusha ishte gjithnjë nën trysni, ndërsa sulmi mbeti për shumë kohë jetim.
Ndeshja - Të dyja skuadrat vinin nga rezultate zhgënjyese në javën e katërt, ndaj ky 90-minutësh shikohej si mjaft përcaktues për vazhdimësinë, si të ekipit shkodran, edhe atij ballshiot. Pas një starti të qetë, ku secila skuadër tentonte më shumë të kuptonte lojën e kundërshtarit, vjen edhe ngacmimi i parë në portat respektive. Është shkodrani Shtubina ai që fiton duelin me Idrizin dhe jep një kros të saktë për rumunin Dragoi, i cili gjendet i lirë në zonën e portës vendëse, por gabon. Vllaznia, që me kalimin e minutave bëhet më kërkuese dhe autoritare, humbet një shans të shkëlqyer për të kaluar në epërsi, ndërkohë që loja vijon të luhet e fortë në mesfushë, ku të dyja skuadrat angazhohen në ndërtimin dhe prishjen e aksioneve. Por diferencën e bën një si Deliç te Vllaznia, ndërsa te Bylisi lojtari më i lëvizshëm është Jetmir Sefa. Sakaq, në fund të pjesës së parë protagonist bëhet edhe Vujadinoviç, i cili neutralizon shumë bukur një gjuajtje nga afër të kapitenit Arbri.
Goli - Në pjesën e dytë, trajneri Duro luan gati pa sulmues fare përderisa largon edhe Hajdarin për kosovarin Ilir Nallbani. Praktikisht, në sulm luajnë Dragoi dhe Deliç, dy lojtarë këta që te Vllaznia faktikisht kanë ardhur për të bërë mesfushorin. Shterpësia e Rexhës dhe Hysës e ka detyruar Duron që të improvizojë në sulm me lojtarët që i konsideron si më në formë. Dhe në ndryshim nga ndeshja me Apoloninë, këtë herë shkodranët dalin me pikë të plota, kjo edhe falë eurogolit të Deliçit. Malazezi kopjon Erjon Bogdanin ndaj Qipros, kur merr një top në mesfushë, shmang bukur dy lojtarë dhe lëshon një silurë nga jashtë zonës në cepin më të largët të portës së mbrojtur nga Frashëri. Vllaznia në delir, ndërsa Canaj lëviz shpejt, duke bërë menjëherë dy zëvendësime, mirëpo të gjitha këto, përfshi edhe ndryshimin total të modulit të lojës, nuk sollën asgjë për vendësit. As Arbri dhe as Xhafa nuk arritën që ta rrezikonin seriozisht portën e Vujadinoviçit. Madje në dy raste mes Dragoit dhe Begajt, është Vllaznia që ka shanse dyfishimi. Gjithsesi, kuqeblutë kapin kuotën e 8 pikëve dhe ballshiotët mbeten vendnumëro.

MË I MIRI
Ivan Deliç ishte pa dyshim lojtari më i mirë i ndeshjes së djeshme në Ballsh. Jo vetëm për golin spektakolar të realizuar në pjesën e dytë, por edhe për faktin se ai ishte i vetmi që mbajti nën presion mbrojtjen e Bylisit. Mirë edhe portieri Vujadinoviç, i cili bëri disa pritje vërtet të bukura.

MË PAK AKTIVI
Arifaj dhe Fjodor Xhafa. Që të dy lojtarët ishin nën nivelin e kërkuar. I pari nuk arriti që të bënte diferencën në mesfushë, aq sa në mjaft raste edhe Sefa i kishte të vështira kombinimet me të. E njëjta gjë edhe për Xhafën, i cili nuk arriti në asnjë rast që të bënte rolin e sulmuesit të dytë, përkrah Arbrit.

Ivan Deliç: Golin ia dedikoj Vujadinoviçit
Vllaznia ka triumfuar në Ballsh në sajë të golit të vetëm të takimit të shënuar nga mesfushori me tipare sulmues Ivan Deliç. Vetë lojtari ndihet i lumtur që ka shënuar dhe që u ka dhënë tri pikët të tijve. "E vërteta është se ky gol vlen shumë. Për momentin unë nuk e kam mendjen se sa vlen goli im, por jam i kënaqur që i dha tri pikë shumë të rëndësishme Vllaznisë në një ndeshje të vështirë. Edhe pse nuk kam dalë nga fusha, unë këtë ndeshje e kam arkivuar dhe tani le të mendojmë për ndeshjen e radhës që kemi në Shkodër. Aty na duhet më shumë goli për të kënaqur tifozët e Vllaznisë dhe për të rivalizuar me kundërshtarët tanë në kampionat. Duhet të kapim ritmin e skuadrave të tjera, pasi e shikoj që nuk jemi aty ku pretendonim se ishin në fillim. Megjithatë gjithçka po ndryshon nga ndeshja në ndeshje dhe ne po bëjmë më të mirën e mundshme", – ka thënë malazezi. I pyetur se kujt ia dedikon golin e shënuar, ai përgjigjet: "I vetmi person të cilit ia dedikoj golin është portieri Vujadinoviç. Ai është si një vëlla për mua te Vllaznia, ndaj dua ta ndaj festën me atë", – është shprehur Deliç.

CANAJ
Menjëherë pas përfundimit të takimit, ku Bylisi u mund nga Vllaznia me rezultatin minimal, 0-1, trajneri Agim Canaj është larguar menjëherë nga stadiumi i shoqëruar edhe nga presidenti Besnik Kapllanaj. Pozitat e tij në krye të Bylisit tashmë duket se janë shumë të vështira, kështu që mund të pritet edhe një shkarkim i tiji. Megjithatë, për pesë javë kampionat Bylisi ka humbur 7 pikë në ndeshjet brenda dhe nuk ka fituar asnjë ndeshje transferte.

Atmosfera
Nuk kishte më shumë se 2000 tifozë në shkallët e stadiumit "Adush Muçaj" ditën e djeshme. Shkak mund të kenë qenë temperaturat e larta që i kalonin të 34 gradët, gjithashtu edhe rezultatet e dobëta të Bylisit në javët e mëparshme. Në tribunën VIP ishin të ulur shumë persona, por ata që kishin rëndësi të veçantë ishin vetëm dy: presidenti Besnik Kapllanaj dhe deputeti i zonës, Enkelejd Alibeaj. Mbase njerëzit u janë gëzuar dje vetëm ndenjëseve plastike, të cilat ishin të vetmet në stadium.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions