Ponari kandidat i vetëm për president, Rushaj dorëzon letrën e dorëheqjes

Sporti Shqiptar Online
Ponari kandidat i vetëm për president, Rushaj dorëzon letrën e dorëheqjes
Sep 26th 2012, 11:49

Nga GENTIAN  SPIRI

Ditën e shtunë, në qytetin e Tropojës, do të zhvillohen zgjedhjet për presidentin e Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe anëtarëve të kryesisë

Më datën 29 shtator, do të zhvillohen në qytetin e Tropojës zgjedhjet e reja në sportin e basketbollit, si për president ashtu dhe për anëtarët kryesisë. Tashmë të gjitha klubet kanë bërë propozimet e tyre dhe të shtunën do të mësohet "kupola" e re e sportit të koshit shqiptar, emrat e personave që do të vendosin për këtë sport, fatin dhe të ardhmen e tij 4-vjeçare.

Por ethet e garës për presidentin e ri të Federatës Shqiptare të Basketbollit janë shuar pa nisur ende konkurrimi. Ndonëse ishte përfolur se për këtë post janë në garë dy kandidatë, njëri prej tyre prej disa ditësh ka paraqitur në zyrën e FSHB-së letrën e dorëheqjes nga kandidimi.

Të propozuar nga klubet ishin presidenti aktual Avni Ponari (nga disa shoqata) dhe anëtari i kryesisë aktuale Alfred Rushaj. Ky i fundit ishte propozuar nga Studenti dhe Skënderbeu (dy klubet e lëna jashtë një vit më parë). Por mësohet se Rushaj, një nga basketbollistët e njohur të epokës Dinamo dhe ekipit kombëtar (aktualisht zv.Ministër i Ekonomisë), ka vendosur të mos kandidojë për postin e presidentit.

Jo vetëm kaq, por këtë gjë ai ua ka bërë me dije si dy klubeve që e kanë propozuar (Studentit dhe Skënderbeut) ashtu dhe sekretarit të FSHB-së, Korab Llazani, duke u dërguar shkresën përkatëse të mos-kandidimit për president të FSHB-së. Për pasojë, për postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit do të jetë vetëm si kandidat i vetëm Avni Ponari, çka do të thotë se rizgjedhja e tij është e sigurt.

Ndërkohë, po të shtunën, do të zhvillohet edhe gara për anëtarët e kryesisë, të cilët, sipas statutit të FSHB-së, janë 6. Por lista për këtë garë është më e gjatë dhe përfshin gati 15 emra, pasi propozimet nga klubet dhe shoqatat sportive kanë qenë të shumta.

Për të verifikuar nëse të gjithë kandidatët për anëtar kryesie janë të përshtatshëm për atë detyrë dhe janë në përputhje me statutin, emrat dhe kurrikulumet e tyre i janë dërguar për shqyrtim një eksperti të fushës ligjore, Virgjil Karaj. Ky i fundit do të konfirmojë nëse kandidatët (të paktën ata që bën me dije Federata) janë të përshtatshëm ose jo, por nuk pritet që të ketë përjashtime, pasi të gjitha propozimet janë figura të shquara në sportin e basketbollit shqiptar.

Mësohet se në listën e kandidatëve për anëtarë të kryesisë janë: Bashkim Milo, Artan Terihati, Viron Sauli, Eduard Çarçani, Fatos Suvarija, Vaso Shaka, Alban Kukaviqi, Shefqet Bekteshi, Shpëtim Bozdo, Sabri Rustemi, Ilir Taflaj, Tatjana Marash, Gavrosh Kavaja, Ilir Trebicka dhe Korab Llazani. Gjithsesi, zyrtarisht lista përfundimtare e kandidatëve për anëtarë kryesie dhe president do të mësohet vetëm më 29 shtator, kur të zhvillohet në Tropojë Asambleja zgjedhore e Federatës Shqiptare të Basketbollit.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions