Rrëfehet sheiku Naser al Khalifi, nga PSG-ja te Ibra

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Rrëfehet sheiku Naser al Khalifi, nga PSG-ja te Ibra
Sep 22nd 2012, 15:48

Naser al Khalifi, 38-vjeçar, është presidenti i parë jo francez i klubit të PSG-së. Por, pas këtij personi shumë të thjeshtë në pamje të parë, fshihet një pasuri stratosferike, miliarda euro, me të cilat premton të ngrejë klubin e tij (president i 70 për qind të aksioneve) transalpin, në nivelin e Barcelonës dhe Realit të Madridit dhe shpejt t’i mundë ato, duke nisur një dominim botëror të këtij sporti. Në një intervistë për spanjollen “Marca”, Naser al Khalifi flet për të ardhmen, për planet e tij dhe surprizat që mund të fshehin merkatot në vazhdim.
Si e përjetuat debutimin në Champions si president i PSG-së?
Në mënyrë magjike sepse, përveç rezultatit, ajo që më emocionoi më shumë ishte himni i këtij kompeticioni. Gjithsesi, kemi ende shumë për të bërë pas ndeshjes së parë.
Po skuadrat spanjolle a i ndoqët?
Realin dhe Barcelonën i dashurojnë të gjithë, janë klube fantastike, të preferuarat e mia. Për këtë arsye: si unë, ashtu edhe bashkëpunëtorët e mi, duhet të mësojmë prej tyre.
Për një të ri 38-vjeçar si ju, sa impenjative ju duket drejtimi i një skuadre si PSG-ja?
Kjo është një sfidë e madhe për mua, të cilën dua ta fitoj. PSG-ja është klubi i vetëm i Parisit, prandaj dua ta çoj lart.
Ju ka surprizuar bota e futbollit?
Jo, sepse gjithçka po shkon siç e kisha planifikuar.
Jeni mbreti i merkatos në vitin e fundit, por për ju paraja është sinonim i fitores?
Paraja të ndihmon, por nuk do të thotë sukses. Unë dhe familja ime i kemi fituar paratë në Katar, por kjo nuk do të thotë që me transferimin tim në Evropë tani e në vazhdim do nis të shpenzoj si një i çmendur. Ne e dimë se çfarë na nevojitet dhe merkatoja e bërë deri tani ka sjellë rezultatet e pritura. Pastaj, lojtarët që kanë mbërritur këtu kanë pak a shumë të njëjtat paga që përfitonin në skuadrat ku luanin më parë.
Fakti që jeni i pasur ju avantazhon kundrejt klubeve që tashmë vetëm po shesin për të shmangur krizën?
Jo, unë mendoj që edhe klubet që ju mendoni, kanë bërë të njëjtën gjë si ne vite më parë, por koha ndryshon, tregu ndryshon.
Mbase klubet në vështirësi kanë shpërdoruar para kot…
Këtë nuk e di dhe nuk dua të hyj në këtë debat, sepse fundja ky nuk është një problem i imi. Personalisht kam një projekt për të dërguar përpara, kryefjala e të cilit është shndërrimi i PSG-së në klubin më të madh të Evropës dhe mendoj se jam në rrugën e duhur për ta bërë bastin tim realitet.
Sa larg është PSG-ja nga klubet elitare të kontinentit?
Hapi i parë është që të ecin përkrah tyre dhe, sipas planeve tona, ky projekt do të kërkojë maksimalisht 5 vite. Hapi i parë ishte rikthimi në Ligën e Kampioneve, kompeticion ku klubi mungonte prej 8 vitesh. Ndërsa, synimi i këtij viti është fitorja e kampionatit dhe më pas do synojmë të përmirësohemi në Evropë.
Do t’ju pëlqente të përballeshit me Realin e Madridit?
Është një skuadër e madhe, mbase më e madhja në botë, por për momentin më duket e nxituar të kërkoj një përballje me ta.
Jeni shndërruar në terrorin e merkatos, pasi keni shpenzuar 150 milionë euro sivjet dhe 257 milionë euro në total…
Për skuadrën time do bëj të pamundurën. Lojtarët që kemi blerë, e kemi bërë duke u bazuar në nevojat tona, por nuk mjaftohem vetëm me blerjen e më të mirëve. Ne e vështrojmë merkaton, ashtu siç bëjnë të gjitha klubet. Megjithëse, ndoshta ajo që i mahnit të tjerët, është projekti ynë interesant. Pastaj, ne do mendojmë të rrisim edhe talente sepse, nëse mendon që Parisi strehon 20 milionë banorë, mes tyre ka talente të mëdha, mjafton të vështrosh dhe të studiosh me vëmendje.
Mbase mes tyre mund të jetë edhe Mesi i ri?
Pse jo, pikërisht atë po kërkojmë dhe shpresojmë se do e gjejmë.
Apo mos ndoshta Kristiano Ronaldon e ri?
Këta janë dy lojtarët më të mirë në botë dhe jo vetëm unë, por çdo klub do të ishte i lumtur t’i kishte. Personalisht i adhuroj, sepse nuk janë vetëm sportistë fantastikë, por edhe profesionistë të mëdhenj.
Në ditët e fundit Ronaldo ka konfirmuar se është i trishtuar në Madrid, jeni gati t’ia ktheni buzëqeshjen te PSG-ja?
(Qesh) Nuk e kam për zakon që të përmend emrat e lojtarëve të klubeve të tjera. Reali ka një president fantastik si Florentino Perez. Prandaj, derisa ai të jetë në krye, më duket shpejt për të folur për Ronaldon, aq më pak për problemet e tij me madrilenët. Gjithsesi, nëse do të vijë dita që ne do të na interesojë Ronaldo, fillimisht do ua komunikojmë drejtuesve të Realit dhe më pas të shohim se çfarë do të ndodhë.
Po sikur Reali të jetë gati të flasë për një shitje të mundshme të Ronaldos…
Atëherë unë them që paratë për të plotësuar kushtet e klubit dhe lojtarit nuk do të jenë një problem. Mjafton një telefonatë dhe mund të hapim bisedimet.
Kampionët e mëdhenj shkojnë në klube që u garantojnë tituj, sa ju kushtoi për të bindur Zlatan Ibrahimoviçin?
Sot nuk është nevoja të bindësh dikë për të luajtur te PSG-ja. Tani të gjithë besojnë te projekti ynë dhe kjo është më e rëndësishmja.
Si lindi ideja për të sjellë në Paris Ibrën?
Fillimisht, Leonardo po trajnonte vetëm blerjen e Tiago Silvës, por ndërkohë u hap edhe mundësia e blerjes së Zlatanit, rast që kurrsesi nuk mund ta humbnim. Fatmirësisht u treguam të shpejtë në këtë operacion, sepse në drejtim të Ibrës ishin hedhur edhe klube të tjera të mëdha evropiane.
Por, në median italiane spekulohet që Tiago dhe Ibra nuk donin të linin Milanin, të vinin në Paris…
Këto janë gjëra që u takojnë lojtarëve dhe Milanit. Unë i shoh të lumtur këtu, çka e treguan duke shënuar me Dinamon e Kievit.
Çfarë i ndryshoi Ibra PSG-së?
Asgjë, thjesht po na sjell miliona euro në arkat e klubit, thjesht nga shitja e fanellave të tij, përveçse një mori me gola. Zlatani është një klub që jo vetëm të jep një imazh të madh në fushë, por edhe jashtë saj.
Ançeloti thotë se sivjet do të jetë mes 4 më të mirave në Champions?
Karlo është një gjigand: nëse e thotë ai, unë i besoj.
Ndërkohë, Morati, Rumenige, Ferguson, por edhe të tjerë ju akuzojnë se po shpenzoni shumë…
I respektoj të gjithë dhe shpresoj që edhe ata të bëjnë të njëjtën gjë si ne. Nuk shoh arsye pse nuk duhet të investojmë, sepse fundja, këta emra janë ata që kanë investuar shumë ndër vite, pasi vetëm kështu kanë mundur t’i fitojnë titujt që kanë sot.
Por, përveç tyre, edhe UEFA është e shqetësuar se PSG-ja nuk do t’i kapë limitet e fair-play-t financiar…
Si të gjithë klubet franceze, PSG-ja kontrollohet nga organe të ndryshme, prandaj unë u them të gjithëve që klubi im do t’i respektojë të gjitha rregullat dhe jemi të qetë për sa u përket normave financiare të vitit 2014. Ne do të jemi brenda tyre, prandaj miku im, Mishel Platini, mund të qëndrojë gjithashtu i qetë.
Përflitet se një bankë e Katarit ka gati një kontratë sponsorizimi prej 400 milionë eurosh për 4 vite?
Nuk është e vërtetë.
Po taksa e presidentit francez Holond, që rrogat mbi 1 milion euro do taksohen me 75 për qind ju tremb?
Nuk është një problem, do respektojmë çdo ligj.
E dini që Berluskoni dhe Morati kërkojnë partnerë financiarë për Milanin dhe Interin?
Nuk do të kishte kuptim. Mua më kritikojnë tani se po shpenzoj shumë, imagjinoni se çfarë do të ndodhte nëse emri im do të ishte pjesë edhe e faturave të Milanit apo Interit, dy klube të kalibrit të PSG-së…
Përgatiti: JETON STAMOLLA

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions