Shkëmbi: Ky Skënderbe nuk ka rivalë, mund të na ndalë vetëm euforia

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Shkëmbi: Ky Skënderbe nuk ka rivalë, mund të na ndalë vetëm euforia
Sep 29th 2012, 11:50

Dëmtimin e ka lënë pas dhe është gati për ta udhëhequr ekipin drejt titullit të tretë radhazi dhe të katërtit në total në historinë e klubit. Kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, tregon në një intervistë për “Panorama Sport” se si e ka parë skuadrën nga jashtë fushe dhe gjithashtu flet edhe për rikthimin e tij. Fantazisti korçar “snobon” rivalët për titull, teksa ndër të tjera deklaron se vetëm euforia mund ta ndalë ekipin e tij. Shkëmbi bën komplimente për skuadra si Bylisi dhe Laçi.
Pas katër muajsh mosaktivizim, keni luajtur një ndeshje të plotë në kupë ndaj Olimpikut. Si ndjeheni tashmë?
Ishte paksa e vështirë të rikthehesha kaq shpejt, por jam i lumtur që ia dola. Kam gati katër muaj që stërvitem veçmas ekipit, me ushtrime individuale dhe terapi. E rëndësishme është që tashmë nuk ndiej as shqetësimin më të vogël. Problemi muskulor është kaluar plotësisht dhe jam tejet i gëzuar për këtë.
Si e keni parë ekipin nga jashtë fushe dhe tani që u rikthyet?
Skënderbeu e mbylli si kampion sezonin e fundit dhe përsëri e gjej në vendin e parë, atje ku i takon. Jemi një grup i kompletuar dhe me futbollistë cilësorë në përbërje. Luftojmë gjithmonë për të fituar titullin dhe do të jemi sërish ne pretendentët kryesorë për t’u shpallur kampionë për të tretën herë radhazi. Mendoj se me organikën që kemi nuk do të gabojmë.
Cila është skuadra që ju ka bërë më shumë përshtypje në këtë fillimsezoni?
Surprizat e këtij sezoni janë Laçi dhe Bylisi, jo vetëm sepse ndaj tyre kemi vuajtur më shumë, por sepse kanë krijuar një grup mjaft të mirë dhe luajnë një futboll të bukur. Mendoj se të gjitha ekipet do të hasin vështirësi kundër tyre.
Kujt i druheni më shumë si rival për titullin kampion?
Nuk i druhemi asnjë ekipi, pasi ne jemi kampionët në fuqi. Jemi Skënderbeu dhe nëse luajmë siç dimë, pra nëse i interpretojmë të gjitha takimet në mënyrën e duhur dhe me përqendrimin e duhur, atëherë nuk mund të na ndalë askush. Gjëja e vetme nga e cila duhet të druhemi është euforia brenda ekipit. Kjo mund të na shkatërrojë ne si skuadër kampione, jo rivalët.
Vetë trajneri Josa ka thënë se Skënderbeu nuk është i pathyeshëm?
Mendoj se jemi ekipi më i mirë në Shqipëri, kaq mund të them. Sigurisht, për të thënë që jemi ekip i pathyeshëm më duket diçka e ekzagjeruar. Mendoj se nuk ka asnjë skuadër të pathyeshme.
Nesër do të luani në transfertë kundër Tomorit, një skuadër që nuk ka marrë ende asnjë pikë. Si e parashikoni?
Të gjithë ne lojtarët jemi të vetëdijshëm se na pret një ndeshje e vështirë në Berat, për vetë faktin se Tomori është në kuotën e zero pikëve. Kësisoj, ata pritet të reagojnë sa më shpejt. Parashikoj që futbollistët e Tomorit të luajnë me “inat” kundër nesh, në kërkim të pikëve të para, por në fushë do të duhet të tregohemi sa më të kujdesshëm, si në fazën mbrojtëse dhe atë sulmuese. Vetëm nëse jemi të përqendruar, do të arrijmë të marrim një fitore në këtë transfertë delikate.
Ju a jeni i gatshëm për të luajtur nga minuta e parë në Berat?
Më duhet ta pranoj se dëmtimi i pësuar dhe qëndrimi për një periudhë të gjatë larg fushave ka bërë që ngarkesa ime fizike të bjerë. Nuk jam ende në 100% të mundësive të mia. Për sa i përket formacionit, atë e bën dikush tjetër. E di profesor Josa kë duhet të caktojë titullar dhe cilin në stol. Ne si lojtarë kemi për detyrë të respektojmë vendimin e trajnerit.
LLAZI SARO

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions