Zgjedhje në Valbonë, Avni Ponari sërish president

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Zgjedhje në Valbonë, Avni Ponari sërish president
Sep 30th 2012, 09:51

Avni Ponari u rikonfirmua president i Federatës Shqiptare të Basketbollit qindra kilometra larg nga kryeqytetit, në Valbonë. I vetëm në sfidën elektorale pas tërheqjes së kandidatit tjetër Alfred Rushaj, Ponari do ta drejtojë basketbollin shqiptar edhe për katër vitet e ardhshme (debutonte në 2007-n). Sipas specialistit të federatës Fatjon Mati, në përfundim të votimit kandidatura e Avni Ponarit do të merrte 30 vota (në unanimitet) nga 35 mandate, pasi pesë klube me të drejtë vote – Skënderbeu, Superior Klima, Apolonia, Flamurtari dhe Studenti – nuk kishin dërguar delegatët e tyre në punimet e asamblesë zgjedhore. Gjithashtu në axhendën e punimeve ishte edhe zgjedhja e Komitetit të ri drejtues së Federatës, ku më i votuari rezultoi Shefqet Bekteshi me 27 vota, i ndjekur nga Bashkim Milo me 26 vota (i vetmi që rikonfirmohet nga mandati i kaluar), Korab Llazani 25 vota, Sabri Rustemi me 15 vota, Eduard Çarçani me 13 vota dhe Ilir Taflaj po me 13 vota. I kontaktuar në telefon nga "Panorama Sport", Korab Llazani sekretari i përgjithshëm i federatës, i votëbesuar në kryesinë e ardhshme, tha se punimet e asamblesë u zhvilluan në normalitet dhe në transparencë të plotë për të gjithë delegatët. Ndërsa interesimit të gazetës për mungesën e pesë të mandatuarve në asamble, por edhe një përfaqësie të Ministrisë së Sporteve, Llazani do të sqaronte: "Për dijeni të opinionit, të gjithë janë informuar konform rregullave për ditën dhe vendin e organizimit të asamblesë, për më tepër se çdo faturë financiare është mbuluar nga federata, përfshirë këtu udhëtimin e akomodimin e përfaqësuesve të klubeve. Ndërkaq sot (dje) pesë prej tyre nuk erdhën, ndonëse e kishin konfirmuar pjesëmarrjen. Se cilat janë arsyet e vërteta të mosprezencës nuk jam në gjendje të jap një përgjigje, di vetëm që përfaqësuesja e klubit të Skënderbeut, Tatjana Marashi, ka pasur probleme shëndetësore. Gjithashtu edhe Ministria e Sporteve ishte njoftuar, por nuk ishte prezente", deklaroi në linjë telefonike sekretari i federatës, Llazani. Në përfundim të asamblesë zgjedhore, u zhvillua edhe një ndeshje miqësore mes skuadrës së Valbonës dhe Sigal Prishtinës, e mbyllur me fitoren e vendësve 50-37.

Tërheqja
I propozuar për të hyrë në garën zgjedhore për postin e presidentit krahas kandidaturës së Avnit Ponarit, Alfred Rushaj aktualisht me funksionin e zëvendësministrit të Financave do të tërhiqej. Sipas sekretarit të federatës Llazani, Rushaj konfirmoi tërheqjen nëpërmjet një shkrese zyrtare të dorëzuar në federatë, ku ndërsa shprehte mirënjohjen dhe falënderimet për klubet që e kishin propozuar, ai pat deklaruar se nuk do të kandidojë për shkak të impenjimeve personale.
OLGERT SERANI

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions