De Biazi: Dua edhe Berishën, reagon sulmuesi: S’jam gati për Shqipërinë

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
De Biazi: Dua edhe Berishën, reagon sulmuesi: S'jam gati për Shqipërinë
Oct 19th 2012, 12:10

Besart Berisha e vlerëson maksimalisht që trajneri i Shqipërisë, Xhani de Biazi, po e ndjek vazhdimisht dhe thotë fjalë të mira për të. Por Berisha nuk planifikon t’i përgjigjet pozitivisht ndonjë ftese eventuale të De Biazit për të luajtur për Kombëtaren kuqezi. Berisha e lë të hapur mundësinë e kthimit në Kombëtaren e Shqipërisë, kur të kthehet për të luajtur në Europë. Për sa kohë do të luajë në Australi, sulmuesi kosovar thotë se nuk ka mundësi të grumbullohet me Kombëtaren. Trajneri i Shqipërisë, italiani De Biazi, ka thënë të mërkurën se Berisha është lojtar që i pëlqen. “Respektoj shumë De Biazin dhe e falënderoj për fjalët e mira që ka folur për mua. Mirëpo unë i qëndroj besnik vendimit që kam marrë vitin e kaluar, sepse momentalisht nuk kam mundësi të bashkohem me Kombëtaren. E vlerësoj shumë Kombëtaren dhe shpresoj që një ditë të jem më afër Shqipërisë dhe të jap kontributin për ekipin tonë përfaqësues. Shpresoj që edhe drejtuesit e Kombëtares të kenë të njëjtin mendim dhe të më thërrasin kur të jem duke luajtur diku në Europë”, ka thënë Besart Berisha të enjten për “Kohën Ditore”. Ai ende nuk është kontaktuar nga trajneri apo drejtues të FSHF-së. “Unë ndjek me vëmendje Kombëtaren dhe lajmet rreth saj. Komentin e De Biazit e vlerësoj shumë. Atij i uroj sukses me Kombëtaren. Personalisht nuk kam pasur ndonjë telefonatë nga trajneri apo ndonjë tjetër i Kombëtares. Gjithsesi, shpresoj që të jem në planet e tij edhe në të ardhmen”, ka vijuar sulmuesi 27-vjeçar. Besart Berisha është duke luajtur për skuadrën kampione të Australisë, Brisban Roar. Edicionin e kaluar vendosi titullin e Australisë duke shënuar dy golat e vetëm për Roarin në finale. Ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit, ndërsa theu edhe disa rekorde të ligës dhe skuadrës. Në fillim të edicionit 2012- 2013 shënoi dy gola në dy ndeshjet e para. Nuk pritet kthim i shpejtë i Berishës në Europë. Ai thotë se po ndihet shumë mirë në Australi, ndërsa me Brisban Roar ka kontratë edhe për dy vjet. Në të vërtetë, transferimi në Australi vlerësohet se shpëtoi karrierën e sulmuesit 27-vjeçar. Ai pati pak hapësirë te skuadra gjermane Arminia Bielefeld dhe te disa skuadra të tjera ku luajti më herët. Për Shqipërinë, Berisha ka nisur të luajë në tetor të vitit 2006. Ka regjistruar 17 ndeshje si kuqezi dhe një gol, ndërsa për herë të fundit ishte ftuar në tetor të vitit 2009.

Dy talente s’pranojnë ftesën e Shqipërisë
Mjafton të rritesh në një vend tjetër, të marrësh traditat dhe të flasësh gjuhën e atij vendi, që një i ri shqiptar të refuzojë edhe fanellën e kombëtares së vendit të tij. Ka ndodhur para pak ditësh me dy lojtarë të tjerë shqiptarë në Greqi: Marko Duni (Markos Dounis) dhe Aleksandër Kuro (Aleksandros Kouros). Duke parë edhe nga mënyra se si kanë ndryshuar emrat dhe mbiemrat, që të dy talentet, të cilët aktivizohen te Panionios, nuk kanë pranuar që të luajnë për kombëtaren e Shpresave, duke refuzuar ftesën e Federatës Shqiptare të Futbollit. Javën e shkuar, disa ditë para ndeshjes Shqipëri U-21-Angli (takimi qe programuar të luhej më datë 16 tetor në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, por për shkak të reshjeve të shumta, stadiumi u përmbyt, ashtu sikundër edhe dhomat e zhveshjes, ndaj edhe ndeshja u anulua), shefi i zyrës së talenteve në FSHF, Redi Jupi dhe trajneri i Shpresave Skënder Gega, i kanë kërkuar zyrtarisht klubit të Panioniosit, nëpërmjet një ftese, lejimin e Marko Dunit dhe të Aleksandër Kuros që të vinin për miqësoren me Anglinë. Por sipas informacioneve, para se të merrnin refuzimin nga ana e Panioniosit, kanë qenë vetë lojtarët që kanë pohuar se nuk dëshirojnë të luajnë për ngjyrat e kombëtares shqiptare, duke shpresuar në një karrierë me fanellën e përfaqësueses helene. Në fakt, Kuro ka luajtur katër ndeshje me ekipin përfaqësues U-19 të Greqisë dhe pretendon se do grumbullohet edhe me U-21 e më pas me Kombëtaren A. Lojtari ka lindur në Poliçan të Skraparit më 21 gusht të 1993- shit, por jeton prej vitesh së bashku me familjen në Athinë. Që në moshë fare të vogël ai është futur në akademinë e Panioniosit, ku falë talentit ka arritur që të jetë pjesë edhe e skuadrës së parë. Kuro luan si mbrojtës krahu dhe vlerësohet shumë nga analistët e futbollit grek. Ndërsa Marko Duni ka lindur më 9 maj 1992 në Sarandë dhe luan si mesfushor. Edhe ky jeton prej vitesh në Greqi dhe është rritur te akademia e Panioniosit. Duni ka bërë debutimin vetëm këtë sezon me skuadrën e parë, teksa është aktivizuar në dy ndeshje. Ai nuk është grumbulluar nga asnjë skuadër përfaqësuese e moshave në Greqi.

“TRADHTARËT” E GREQISË
Përveç Aleksandër Kuros dhe Marko Dunit, kanë qenë edhe disa lojtarë të tjerë shqiptarë të cilët nuk kanë pranuar të luajnë për Shqipërinë. Kështu, pak kohë më parë refuzoi korçari i PAOKut, Ergys Kaçe, ndërsa para tij nuk kanë pranuar ftesën e FSHFsë Elin Dhimutso, Gjergji Kone, Albi Kondi, Stefano Kapino dhe himarjoti Sotir Nini. Madje për këtë të fundit u fol gjatë para katër vitesh, kjo edhe për faktin se ai konsiderohej një talent i madh, çka në fakt deri tani nuk e ka treguar ende.

Gjokaj dhe Azemi, “big”-ët që refuzuan
Pak ditë më parë, fanellën kuqezi e refuzuan edhe tre lojtarë të tjerë: Valentin Gjokaj, Ilir Azemi dhe Ergys Kaçe. Që të tre këta lojtarë nuk kanë pranuar të luajnë për Shqipërinë. Trajneri i Kombëtares U-21, Skënder Gega, konfirmoi se të treve u ishte bërë një ftesë zyrtare, por nuk kishin dashur të vinin dhe të luanin për Shpresat. Valentin Gjokaj (19 vjeç) luan në Angli te Derby County dhe konsiderohet si një mbrojtës i fuqishëm dhe me të ardhme. Lojtari ka pohuar se donte të luante për Shqipërinë, por fakt është se jo vetëm nëpërmjet telefonit, por edhe nëpërmjet email-it nuk përgjigjet. Babai i tij ka konfirmuar se të paktën për këtë vit ai nuk dëshiron që t’i bashkëngjitet skuadrës shqiptare. Si justifikim është nxjerrë fakti që Gjokaj ka një ndeshje me ekipin e tij dhe duhet të jetë në dispozicion të trajnerit. E njëjta gjë pak a shumë edhe për sulmuesin e Grojther Furthit, Ilir Azemi. I kontaktuar nga FSHF, menaxheri i lojtarit ka pohuar se për momentin Azemi nuk ka asnjë interes për asnjë kombëtare, qoftë kjo edhe ajo e Shqipërisë.

Presidenti i Luganos: Sadiku ikën në janar
Armando Sadiku mund të largohet që në merkaton e janarit 2013 drejt një skuadre elitare në Gjermani ose Itali. Lajmi konfirmohet nga vetë presidenti i klubit të Luganos, Anxhelo Renxeti. Ky i fundit në një intervistë për mediat ka pohuar se do ta lëshonte sulmuesin shqiptar vetëm nëse në drejtim të tij do të vinte një ofertë serioze, konkrete dhe natyrisht e majme. Në javët e fundit ndaj Sadikut kanë shprehur interes tri skuadra nga kampionati italian i futbollit (Serie A), Katania, Kievo dhe Siena, si dhe klubi gjerman i Mynih 1860, i cili militon në Bundesligën e Dytë. Madje sipas informacioneve, gjermanët janë disi në avantazh përkundrejt skuadrave italiane, kjo nisur nga oferta më e mirë financiare si ndaj lojtarit dhe ndaj klubit të Luganos. “Menaxheri i lojtarit më kërkoi leje që ai të niste negociatat me disa klube të cilat ishin të interesuara për shërbimet e Sadikut. Natyrisht, unë nuk kam arsye që të ndal rritjen e këtij lojtari, ndaj thjesht kam kërkuar që nëse në drejtim të klubit dhe lojtarit do vijë një ofertë e mirë, ne do ta shikojmë me shumë kujdes dhe mundet që të marrim një vendim që në merkaton e janarit”, ka pohuar presidenti i Luganos. Sakaq, duket se Sadiku është me valixhe në dorë, përderisa edhe trajneri i skuadrës është duke marrë masat për gjetjen e zëvendësuesit të tij. “Nëse Armando do të largohej në janar, për ne nuk do jetë një dramë. Ne një zëvendësues e kemi që tani në skuadër dhe do i japim mundësinë Juan Leskanos që të tregojë sesa vlen. Nga ana tjetër, të gjithë këtu e dimë se kjo është një politikë që ndjek klubi, teksa i rrit futbollistikisht lojtarët dhe më pas nxjerr përfitime nga shitja e kartonit të tyre”, ka pohuar trajneri i Luganos, Morandi.

Fulhami interesohet për portierin Etrit Berisha
Etrit Berisha është në fokusin e klubit anglez, Fulham. Burime të sigurta pranë portierit kosovar të Kombëtares shqiptare treguan dje për “Panorama Sport” se trajneri Martin Joll është interesuar së fundmi për Berishën. Nga sa mësohet, shkes për këto tratativa është bërë shqiptari Arben Kasolli, i cili punon në Holandë si trajner portierësh. Bisedimet mes palëve janë në fazën fillestare, ndërkohë që portieri Berisha është nën kontratë me Kalmarin. Pas ndeshjes Shqipëri- Slloveni, shtatlarti kosovar, i pyetur për të ardhmen, deklaroi: “Për momentin jam i përqendruar totalisht te angazhimi me Kalmarin. Megjithatë, kur të rihapet merkatoja në janar, do të shqyrtoj çdo mundësi”. Sipas të gjitha gjasave, klubi i Premier Ligës do t’i bëjë një ofertë talentit kosovar, i cili luajti si titullar së fundmi me përfaqësuesen. Paraqitja e tij në Suedi me Kalmarin, por veçanërisht grumbullimi me Kombëtaren shqiptare, ka bërë që kërkesat në drejtim të portierit të vijnë në rritje, sa herë që është periudhë merkatoje.
LEONARD KARAJ

De Biazi: Dua edhe Berishën, ja plani me Shqipërinë
Me një këmishë të bardhë me mëngët e përveshura dhe xhinse blu, trajneri i Shqipërisë duket shumë më i relaksuar se sa një ditë më parë. Xhani de Biazi u bën një analizë më të “ftohtë” dy ndeshjeve që zhvilloi kombëtarja jonë në tetor.
Mister, dukeni më pak i vrenjtur se dje…
Oh, të më kishit parë pas humbjes me Islandën. Isha në gjendje të tmerrshme. Po, sot jam i kënaqur, nuk kam pse ta fsheh.
Por humbja me Islandën djeg akoma, apo jo?
Po, në fakt. Në atë ndeshje luajtëm shumë mirë, por nuk morëm asnjë pikë.
Çfarë ju pëlqeu më shumë në ndeshjen me Slloveninë?
Disiplina taktike e skuadrës. Ishim perfektë. U kënaqa pa masë, sepse skuadra bëri fiks atë që i kisha kërkuar dhe lojtarët nuk bënë thuajse asnjë gabim.
Megjithatë, vuajtëm shumë në 20 minutat e fundit…
Ishte normale. Sllovenia nuk kishte asgjë për të humbur. Terreni i vështirë favorizonte më tepër ata, sepse topi zotërohej me vështirësi nga lojtarët. Megjithatë, po ju them se nuk më kënaqën vetëm tri pikët, por edhe zbatimi i detyrave taktike.
Me përjashtim të Sadikut…
Po, me përjashtim të Sadikut, i cili në fakt vuajti disi sepse kishte shpenzuar shumë energji.
Roshi me Vilën i ndryshuan shumë gjëra skuadrës, pse nuk i aktivizuat që në ndeshjen me Islandën?
Nuk i aktivizova, sepse nuk do ishin në gjendjen që patë në ndeshjen kundër Sllovenisë.
Po thoni se “kursimi” i tyre ishte strategji?
Jo, po ju them se me Islandën aktivizova lojtarët që më bindën më shumë gjatë përgatitjeve. Nuk jam penduar. Nëse do të përsëritej situata, do të vendosja sërish ata. Pas ndeshjes, gjatë përgatitjeve për ndeshjen me Slloveninë, vendosa lojtarët që më bindën më tepër. Kjo solli më pas edhe ndryshime në formacion.
Pas ndeshjes me Gjeorgjinë e quajtët Ujkanin “Santo Samir” (Samiri i shenjtë). A vazhdoni të mendoni kështu për të?
Unë vazhdoj të mendoj se Ujkani është një portier shumë i talentuar dhe ka ecur shumë për moshën që ka. Nuk mund ta hedhim poshtë me një paraqitje jo të mirë. Shqipëria ka dy portierë të rinj të talentuar, por ka edhe një tjetër si Shehi, që është gjithashtu i shkëlqyer.
Pas rikthimit të Currit, ka gjasa që Cana të spostohet në mesfushë?
Po, edhe mundet. Por jo domosdoshmërisht. Shikoni, do të kemi nevojë për të gjithë, sepse në vijim dikush mund të dëmtohet, një tjetër mungon për kartonë të verdhë, apo për gjëra të tjera.
Dakord, po a ndryshon skema nëse Curri do të aktivizohet?
Po, edhe mund të ndryshojë. Nga një 4-4-2 i pastër, mund të kthehet në një 4-2-3- 1, ose në një 4-3-1-2. Varet sipas rrethanave dhe sipas kundërshtarëve.
Do të luajmë kundër Kamerunit më 14 nëntor një miqësore në Gjenevë. Çfarë planesh keni për këtë ndeshje?
Do të provojmë disa lojtarë të rinj. Do të provojmë edhe skema të reja. Qëllimi ky është.
Preferoni që Kameruni të jetë me Etonë, apo pa të?
Unë do të doja të ishte edhe ai. Kështu lojtarët motivohen më tepër… (qesh).
Berisha shënoi sërish dy gola në Australi. Nëse vazhdon kështu, a do ta mbani fjalën për ta rikthyer?
Po, unë e kam parë në të dyja ndeshjet. E pashë në ndeshjen kur humbën 1-0 dhe në atë ku ai shënoi 2 gola. Berisha është një lojtar që më pëlqen, por për ta marrë në ndeshjet miqësore është pak problem, sepse i duhen afro dy ditë udhëtim, ndërkohë që ne kemi hapësirë kohore vetëm tri ditë. Megjithatë, të shohim. Do të bëjmë disa llogari për ndeshjen me Kamerunin dhe mbase gjejmë mënyrën që ta marrim.
Çfarë u thatë lojtarëve pas fitores me Slloveninë?
I përgëzova dhe i komplimentova të gjithë. Madje e bëra këtë duke i hequr mënjanë veç e veç.
Po Dallkun e komplimentuat…?
Nëse po nënkuptoni një lapsus që bëri në një moment prej terrenit të keq, atëherë po ju them se gaboheni. Mos ushtroni kaq shumë presion dhe gjykoni më me gjakftohtësi. Realisht nuk më pëlqeu që pas humbjes me Islandën vërshuan gjithë ato kritika, ndërkohë që të gjithë e kuptonin se nuk e meritonim humbjen. Më kuptoni, nuk e kam për veten time, por për lojtarët. Duhet të kuptoni se jemi të gjithë në të njëjtën varkë dhe të luftojmë për një qëllim. Por kur ka kaq shumë presion, gjërat ndërlikohen shumë.
JETMIR HALILAJ

Shqipëria e De Biazit, më e mira e dekadës
Statistikat nuk të lënë të gabosh. Edhe pse pas humbjes me Islandën, me të drejtë u panë shumë fytyra të vrenjtura dhe pati goxha trishtim për mënyrën se si humbëm, fitorja ndaj Sllovenisë e vë në plan të parë sërish ekipin e drejtuar nga Xhani De Biazi. Në fakt, duhet theksuar se tekniku aktual mbetet më rezultativi nga teknikët e tjerë të huaj që kanë drejtuar ekipin tonë përfaqësues. Duke marrë në konsideratë vetëm tetë takimet e para kualifikuese dhe miqësore të ish-trajnerëve të Kombëtares (kjo, pasi De Biazi ka zhvilluar deri tani 8 ndeshje që nga momenti i marrjes së detyrës), rezulton se italiani është superior në rezultate dhe pikë përkundrejt Kuzhesë, Hanit, Bariçit dhe Hans Peter Brigelit. Në këtë speciale nuk është marrë parasysh i huaji tjetër i dekadës së fundit, Xhiuzepe Dosena, për shkak se ai e drejtoi ekipin në vetëm tri ndeshje.
Xhani De Biazi - Pas tetë ndeshjeve të para Kombëtarja e drejtuar nga De Biazi ka një bilanc realisht pozitiv: 4 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje, duke llogaritur këtu edhe takimet miqësore. Ndërsa, nëse marrim në konsideratë vetëm ndeshjet kualifikuese do vërejmë se sërish tekniku aktual është goxha rezultativ, duke qenë se aktualisht pas 4 ndeshjeve të para kualifikuese për Botërorin 2014 kemi grumbulluar 6 pikë dhe renditemi në vend të tretë. Për t’u vlerësuar fitorja ndaj Qipros, por edhe loja konstante ndaj një skuadre si Sllovenia, të cilën s’e kishim munduar asnjëherë.
Josip Kuzhe - Kroati erdhi në mes të edicionit në krye të përfaqësueses pas shkarkimit të Ari Han, ndaj si fillim në konsideratë janë marrë tetë ndeshjet e tij të para me kuqezinjtë, por krahasimi me De Biazin në kualifikuese bëhet për 4 ndeshjet e Botërorit 2010 ndaj Rumanisë (1-1), Luksemburgut (1-0), Bosnjës (1-1) dhe Bjellorusisë (2-0). Skuadra e Kuzhesë grumbulloi 5 pikë dhe u rendit në vend të tretë, pra kishte një pikë më pak se ekipi aktual. Edhe në raport me tetë ndeshjet e para, De Biazi e mund Kuzhenë, pasi ky i fundit kishte një bilanc prej 3 fitoresh, 3 barazimesh dhe 2 humbjesh.
Ari Han - Holandezi e nisi mjaft mirë aventurën e tij me kuqezinjtë, duke barazuar me Suedinë e Portugalinë, por humbi dy sfidat ndaj Hungarisë, konsideruar në atë periudhë si rivali direkt në grup. Pas 4 ndeshjesh kualifikuese Kombëtarja shqiptare nën drejtimin e tij renditej në vendin e pestë (grup me 6 ekipe), me pesë pikë, teksa linte pas vetëm Maltën. Sakaq ndeshja me Danimarkën (3-0) rezultoi fatale, ndaj edhe tekniku u shkarkua nga drejtimi i kuqezinjve.
Oto Bariç - Ka qenë pa dyshim një nga kombëtaret më të mira të periudhës së pas viteve `90-të, por faktikisht “plakushi” nuk mundi të grumbullojë më shumë se 3 pikë pas 4 ndeshjeve të para, duke marrë 3 barazime dhe një humbje. Ndërsa po të krahasojmë tetë ndeshjet e para të Bariçit me të De Biazit, përsëri kemi një diferencë të madhe, pasi kroati sigloi vetëm 2 fitore, 3 barazime dhe 3 humbje, përkundrejt 4 fitoreve, 1 barazimi dhe 3 humbjeve që ka aktualisht tekniku aktual.
Hans Peter Brigel - Nuk pat bërë më shumë as gjermani Hans Peter Brigel, i cili pas katër ndeshjeve të para kualifikuese kishte vetëm 4 pikë dhe skuadra renditej në vendin e 5-të. Ndërkohë edhe sikur të krahasojmë tetë ndeshjet e para të Brigelit (duke marrë në konsideratë edhe miqësoret), përsëri ai nuk arrin ta kalojë De Biazin, pasi ka pasur një bilanc prej 2 fitoresh, 1 barazimi dhe 5 humbjesh.

DE BIAZI
Gjeorgji-Shqipëri 2-1 (M)
Katar-Shqipëri 1-2 (M)
Shqipëri-Iran 1-0 (M)
Shqipëri-Moldavi 0-0 (M)
Shqipëri-Qipro 3-1 (K)
Zvicër-Shqipëri 2-0 (K)
Shqipëri-Islandë 1-2 (K)
Shqipëri-Slloveni 1-0 (K)
BILANCI: 8 ndeshje; 4 fitore, 1 barazim, 3 humbje.
Golavarazhi: 9-8
Gjendja në grupin kualifikues pas 4 ndeshjeve të para: 6 pikë, vendi i 3-të.

JOSIP KUZHE
Shqipëri-Portugali 1-2 (K)
Shqipëri-Gjeorgji 1-1 (M)
Shqipëri-Qipro 6-1 (M)
Shqipëri-Danimarkë 1-1 (K)
Suedi-Shqipëri 4-1 (K)
Estoni-Shqipëri 0-0 (M)
Shqipëri-Ir.Veriut 1-0 (M)
Mal i Zi-Shqipëri 0-1 (M)
BILANCI: 8 ndeshje; 3 fitore, 3 barazime, 2 humbje.
Golavarazhi: 12-9
Shënim: Për kualifikimet e Botërorit 2010, pas ndeshjeve ndaj Rumanisë (1-1), Luksemburgut (1-0), Bosnjës (1-1) dhe Bjellorusisë (2-0) kishim 5 pikë dhe ishim në vend të 3-të.

ARI HAN
Shqipëri-Poloni 0-1 (M)
Shqipëri-Litenshtejn 2-0 (M)
Shqipëri-Suedi 0-0 (K)
Shqipëri-Maltë 3-0 (K)
Hungari-Shqipëri 2-0 (K)
Portugali-Shqipëri 0-0 (K)
Azerbajxhan-Shqipëri 1-1 (M)
Maltë-Shqipëri 0-0 (K)
BILANCI: 8 ndeshje; 2 fitore, 4 barazime, 2 humbje.
Golavarazhi: 6-4
Gjendja në grupin kualifikues pas 4 ndeshjeve të para: 5 pikë, vendi i 4-t.

OTO BARIÇ
San Marino-Shqipëri 0-3 (M)
Bjellorusi-Shqipëri 2-2 (K)
Shqipëri-Rumani 0-2 (K)
Holandë-Shqipëri 2-1 (K)
Shqipëri-Maqedoni 0-1 (M)
Shqipëri-Slloveni 0-0 (K)
Bullgari-Shqipëri 0-0 (K)
Shqipëri-Luksemburg 2-0 (K)
BILANCI: 8 ndeshje; 2 fitore, 3 barazime, 3 humbje.
Golavarazhi: 8-7
Gjendja në grupin kualifikues pas 4 ndeshjeve të para: 3 pikë, vendi i 5-të.

HANS PETER BRIEGEL
Shqipëri-Rusi 3-1 (K)
Shqipëri-Irlandë 0-0 (K)
Bullgari-Shqipëri 2-0 (M)
Irlandë-Shqipëri 2-1 (K)
Zvicër-Shqipëri 3-2 (K)
Maqedoni-Shqipëri 3-1 (M)
Gjeorgji-Shqipëri 3-0 (K)
Shqipëri-Gjeorgji 3-1 (K)
BILANCI: 8 ndeshje; 2 fitore, 1 barazim, 5 humbje.
Golavarazhi: 10-15
Gjendja në grupin kualifikues pas 4 ndeshjeve të para: 4 pikë, vendi i 5-të.

Rekordi i Brigelit, mes reales dhe fiktivitetit
Luanim kualifikimet e Botërorit 2006. Starti ndaj kampiones së Evropës, Greqisë, me një fitore mbresëlënëse na bëri të ëndërrojmë, aq sa për herë të parë në atë periudhë belbëzuam fjalën kualifikim. Por vetëm katër ditë më pas ishte një skuadër si Gjeorgjia që na mundte bindshëm në fushën e vet duke na ulur me këmbë në tokë. Natyrisht, në fund të atyre kualifikimeve nuk shkuam në Botëror, por gjermani arriti që të thyente një rekord pikësh të grumbulluar në një edicion, çka deri tani realisht nuk e ka arritur askush. Kuqezinjtë renditeshin në vendin e 5-të me 13 pikë: katër fitore, një barazim dhe shtatë humbje. Por ama duhet theksuar se në atë periudhë Shqipëria ishte në një grup me 7 skuadra, pra kishte në dispozicion 2 ndeshje më shumë për të luajtur dhe njëkohësisht dy skuadra më të dobëta: Kazakistanin dhe Gjeorgjinë, ndaj askush nuk mund të mos e marrë të mirëqenë faktin se, edhe nëse Bariç apo Kuzhe do kishin dy ndeshje më shumë në dispozicion, nuk do mund të arrinin këtë kuotë pikësh.

Revolucioni kuqezi i italianit
Xhani de Biazi e ka ndryshuar në mënyrë thelbësore Kombëtaren shqiptare. Në ndryshim total nga paraardhësi i tij Josip Kuzhe, italiani rreket më shumë të provojë lojtarë të rinj, duke kërkuar në një farë mënyre që të sigurojë të ardhmen, pa pasur “frikën” e të tashmes, sikundër kroati. Kujtojmë se Kuzhe, jo vetëm në ndeshjet zyrtare për kualifikimet e Botërorit 2010 dhe Evropianit 2012, por edhe në ndeshjet miqësore, grumbullonte pak a shumë të njëjtët futbollistë. Tjetër gjë De Biazi, i cili në përpilimin e listave si për ndeshjet miqësore, por edhe ato kualifikuese, ka grumbulluar për herë të parë me kombëtaren plot 11 lojtarë, ku 8 prej tyre kanë bërë edhe debutimin. Kështu, duke filluar që nga Etrit Berisha, Mërgim Mavraj, Erjon Dushku, Renato Arapi, Hair Zeqiri, Mërgim Brahimi, Erjon Vucaj, Armando Sadiku, Edgar Çani, Burim Kukeli dhe Alban Meha, që të gjithë janë lojtarë që janë thirrur në kombëtare nga italiani. Ndërsa duhet thënë se E.Berisha, Mavraj, Zeqiri, Brahimi, Sadiku, Çani, Meha dhe Kukeli kanë bërë tashmë edhe debutimet e tyre me kuqezinjtë. Në total, në listat e publikuara deri tani, nga ana e De Biazit janë grumbulluar plot 34 lojtarë, nga ku 7 janë grumbulluar për herë të parë nga Josip Kuzhe, 5 nga gjermani Hans Peter Brigel, 4 nga Oto Bariç, 4 nga Ari Han, 1 nga Sulejman Demollari dhe 1 nga Neputun Bajko. Siç shihet, 1/3-ta e këtyre futbollistëve janë grumbulluar për herë të parë nga tekniku aktual, gjë që tregon edhe një herë se De Biazi jo vetëm kërkon që të ndërtojë një skuadër për të ardhmen, por tenton t’u japë një shans lojtarëve të Superiores. Kështu, në përballjen ndaj Gjeorgjisë, ai riktheu në skuadër pas një kohe relativisht të gjatë Tefik Osmanin, i cili kishte debutuar me kuqezinjtë që në kohën e Brigelit, por që më pas nuk ishte parë si alternativë në mbrojtje nga ana e teknikëve pasardhës. Ndërsa në përballjet ndaj Moldavisë u thirrën për herë të parë Erjon Dushku, Renato Arapi dhe Erjon Vucaj. Dhe në fund, gjetje të tijat ishin Burim Kukeli dhe Alban Meha, të cilët zunë vend menjëherë në skuadër, duke u bërë gati të domosdoshëm për mesfushën kuqezi.

Kombëtarja, ja skaneri i teknikëve
Trendi i analizës së tyre anon nga pozitiviteti. Ndoshta nuk do ishin kaq dashamirës nëse me Slloveninë nuk do të kishim marrë një fitore, kjo më së shumti pasi që të katërt, në një mënyrë apo tjetër, vënë “gishtin në plagë”, te Islanda. Logjika i çon të besojnë se ajo ndeshje nuk duhej humbur për një mijë e një arsye, aq sa ka prej tyre që pohojnë se do kishte qenë më e udhës të humbin me sllovenët, sesa me ishullorët, paçka se pikët do ishin të njëjtat në tabelën e renditjes. E megjithatë, katërshja e emrave të njohur të trajningut shqiptar: Hafizi, Demollari, Duro dhe Muça bien në një mendim kur deklarojnë se kësaj skuadre, të re, të brishtë, nuk mund t’i kërkosh më shumë se kaq. Ca më shumë kur në të katërta takimet kuqezinjtë kanë prodhuar lojë, duke bërë kështu diferencën me ekipet që drejtoheshin nga paraardhësit e De Biazit (pavarësisht se një pjesë e mirë e lojtarëve luajnë prej vitesh në ekipin përfaqësues).
Astrit Hafizi - Shkodrani, i cili e ka drejtuar Kombëtaren në fundin e viteve ’90, thekson rëndësinë që marrin ndeshjet e vitit të ardhshëm, duke qenë se do të luajmë më shumë takime në transfertë. “Duhej të kishim marrë më shumë pikë. Këtë e them nisur nga fakti se luajtëm tri ndeshje brenda dhe vetëm një në transfertë, ndërsa në pjesën e dytë të edicionit do të kemi të kundërtën, pra më shumë ndeshje jashtë dhe më shumë vështirësi për të grumbulluar pikë. Megjithatë unë besoj te ekipi, pasi e shikoj se prodhon lojë dhe ka dëshirë për të treguar më të mirën në fushë, pavarësisht kundërshtarit që ka përballë”, thotë Hafizi.
Sulejman Demollari - Ndërsa ish-legjenda e futbollit dinamovit, edhe ky ishtrajner i Kombëtares, beson te projekti i De Biazit. “Vinim pas një humbjeje me Islandën, ku sipas meje bëmë një lojë të mirë, por nuk morëm rezultat dhe për çuditë tonë fituam ndaj sllovenëve, skuadër kjo që në letër ishte më e vështirë sesa Islanda. Për sa i përket trajnerit, them se ka bërë një punë të mirë, pa harruar këtu se ai ka bërë një revolucion në Kombëtare. Nuk e ekzagjeroj aspak, pasi ka aktivizuar për herë të parë 4-5 lojtarë, pra gati gjysmën e ekipit”, pohon Demollari.
Shpëtim Duro - Edhe për teknikun aktual të Vllaznisë, dikur ndihmëstrajner i Kombëtares në kohën e Oto Bariç, kuqezinjtë të bëjnë të shpresosh. “Duke hequr atë humbje me Islandën, për mendimin tim të pamerituar, gjykoj se De Biazi ka bërë një punë të mirë. Madje edhe me Zvicrën luajtëm si të barabartë, paçka se në atë ndeshje vulosën dy detaje, që them se mund t’i kishim evituar. Pikërisht disa gabime në mbrojtje, ku duhet të kemi më shumë kujdes dhe aty ku trajneri duhet të punojë disi më shumë, por e përgjithshmja është pozitive dhe nuk ka asnjë arsye pse të mos besojmë. Ndoshta dy ndeshjet me Norvegjinë, dy takimet e radhës, do tregojnë edhe trendin real të ekipit tonë”, thotë Duro.
Shkëlqim Muça - Disi më i përmbajtur Shkëlqim Muça, i cili rreket më së shumti te projekti i kësaj skuadre, duke pretenduar se nuk duhen kërkuar medoemos rezultatet nga De Biazi. “Unë nuk jam asnjëherë për objektiva afatshkurta, të tipit a arrijmë në vendin e tretë, apo a kualifikohemi? Një trajneri, në rastin konkret De Biazit, i duhet lënë koha e nevojshme, me një projekt afatgjatë, që të krijojë një grup të mirë lojtarësh dhe në momentin kur bindemi se skuadra ekziston në të gjitha konturet e veta, mund të pretendojmë. Ndërkohë nuk ka sesi të mos e vlerësoj këtë skuadër, duke parë edhe elementin e ri që ka brenda”, përfundon Muça.

ASTRIT HAFIZI
“Pa dashur që të bëj kritikun, them se nga këto katër ndeshje ndonjë pikë më shumë se sa kemi duhej ta kishim marrë. Këtë e them nisur nga fakti se luajtëm tri ndeshje brenda dhe vetëm një në transfertë, ndërsa në pjesën e dytë të edicionit do kemi të kundërtën, pra më shumë ndeshje jashtë dhe më shumë vështirësi për të grumbulluar pikë. Ajo humbja me Islandën djeg shumë, pasi në gjykimin tim më mirë të kishim humbur me Slloveninë sesa me Islandën, pasi do kishte më shumë sens. Gjithsesi të shpresojmë që gabimet që bëmë në dy ndeshjet gjatë kësaj periudhe të mund t’i kompensojmë vitin tjetër, duke pretenduar pse jo që të marrim pikë edhe në transfertë. Unë besoj te ekipi, pasi e shikoj se prodhon lojë dhe ka dëshirë për të treguar më të mirën në fushë, pavarësisht kundërshtarit që ka përballë”.

SULEJMAN DEMOLLARI
“Fitorja me Slloveninë erdhi në një moment kritik për ne dhe vlen gati dyfish për atmosferën e krijuar përreth ekipit, por edhe për pikët e nevojshme që na mbajnë lart në renditje. Vinim pas një humbjeje me Islandën, ku sipas meje bëmë një lojë të mirë, por nuk morëm rezultat dhe për çuditë tonë fituam ndaj sllovenëve, skuadër kjo që në letër ishte më e vështirë sesa Islanda. Për sa i përket trajnerit, them se ka bërë një punë të mirë, pa harruar këtu se ai ka bërë një revolucion në Kombëtare. Nuk e ekzagjeroj aspak, pasi ka aktivizuar për herë të parë 4-5 lojtarë, pra gati gjysmën e ekipit. Këta duan kohën e tyre që të ambientohen, ndaj kur mendoj se kemi 6 pikë në katër ndeshje, me ato objektiva që kemi, them se jemi në rrugën e duhur. Unë jam njeri optimist, ndaj rrekem që të besoj te skuadra që ka në dorë De Biazi”.

SHPETIM DURO
“Është një start i mirë në pamje të parë, pasi pas katër ndeshjesh mund të themi se jemi ende në garë për të kapur një vend të tretë. Unë gjykoj se ky duhet të jetë objektivi ynë. Nuk mund të kërkojmë më shumë nga ky ekip, kjo nisur edhe nga kundërshtari. Duke hequr atë humbje me Islandën, për mendimin tim të pamerituar, gjykoj se De Biazi ka bërë një punë të mirë. Madje edhe me Zvicrën luajtëm si të barabartë, paçka se në atë ndeshje vulosën dy detaje, që them se mund t’i kishim evituar. Pikërisht disa gabime në mbrojtje, ku duhet të kemi më shumë kujdes dhe aty ku trajneri duhet të punojë disi më shumë, por e përgjithshmja është pozitive dhe nuk ka asnjë arsye pse të mos besojmë. Ndoshta dy ndeshjet me Norvegjinë, dy takimet e radhës, do tregojnë edhe trendin real të ekipit tonë. Të shikojë dhe të shpresojmë”.

SHKËLQIM MUÇA
“Është një nisje e mirë, sikundër i kemi pasur gjithnjë në fakt, me entuziazëm dhe me disa takime rezultative, por diferencat mendoj se bëhen në mes të sezonit, ndaj unë gjykoj se duhet parë ecuria e ekipit duke nisur që nga ndeshjet me Norvegjinë. Sakaq, unë nuk jam asnjëherë për objektiva afatshkurta, të tipit a arrijmë në vendin e tretë, apo a kualifikohemi? Një trajneri, në rastin konkret De Biazit, i duhet lënë koha e nevojshme, me një projekt afatgjatë, që të krijojë një grup të mirë lojtarësh dhe në momentin kur bindemi se skuadra ekziston në të gjitha konturet e veta, mund të pretendojmë. Ndërkohë nuk ka sesi të mos e vlerësoj këtë skuadër, duke parë edhe elementin e ri që ka brenda. Janë disa lojtarë të ardhur rishtazi, të cilët të paktën deri tani të japin garanci për të ardhmen”.
LEONARD KARAJ

Salihu: Ja si e tradhtojnë talentet shqiptare fanellën kuqezi
Nuk ndodh përherë që një djalosh 21-vjeçar, që edhe pse nuk ka luajtur asnjëherë futboll, ka nisur të “gjuajë” talente shqiptare kudo që luajnë nëpër Evropë. Thotë se këtë e bën për dashurinë që ka për kombin e tij. Ai sot është pjesë e FSHF-së, duke qenë përfaqësuesi i saj në Kosovë. Bëhet fjalë për Jetmir Salihun, i cili në një bisedë për “Panorama Sport” tregon disa nga emrat që ai ka afruar në kombëtaret e moshave të Shqipërisë, por edhe ata futbollistë që kanë refuzuar atë dhe fanellën kuqezi. Sigurisht që Salihu ka edhe një koment për rastin “Xhaka”, shumë i mediatizuar në Shqipëri dhe Kosovë pas sfidës me Zvicrën dhe që zgjohet sa herë që rikthehen sfidat e Kombëtares.
Jetmir, si arrite të bëheshe pjesë e FSHF-së?
Në mars të 2011-s i propozova tre emra futbollistësh nga trevat shqiptare Redi Jupit për t’i bërë pjesë të kombëtareve të moshave të Shqipërisë. Fatmirësisht, të tre këta futbollistë u bënë pjesë e Kombëtares, duke hyrë në orbitën e FSHF-së dhe më pas unë fitova besimin e tyre dhe që prej prillit jam pjesë zyrtare e FSHF-së. Tashmë nuk jam më thjesht një menaxher apo zbulues privat talentesh, por jam përfaqësues i kësaj Federate në Kosovë.
Me sa futbollistë shqiptarë keni kontaktuar deri në këto momente dhe sa prej tyre janë pjesë e kombëtareve të moshave tona?
Gjatë kësaj periudhe 19-mujore mund të kem kontaktuar rreth 200 futbollistë shqiptarë që luajnë kudo nëpër Evropë. Vetëm në kampingun e fundit të zhvilluar në Kosovë, kanë marrë pjesë jo më pak se 60 futbollistë të rinj shqiptarë. Por, shumë prej tyre na kanë refuzuar ose disa të tjerë nuk është menduar se kanë kapacitetet e duhura për të ndihmuar Kombëtaren tonë për ta bërë atë të hedhë një hap cilësor përpara. Nga ky numër i madh futbollistësh, rreth 20 prej tyre janë sjellë në Tiranë dhe sot 12 futbollistë të kontaktuar prej meje janë pjesë e kombëtareve tona të moshave.
Cilët janë futbollistët e parë që i propozove Redi Jupit?
Ishin tre futbollistët e parë që i propozova FSHF-së nëpërmjet Jupit, flasim për Arbnor Fejzullahun, Fatlum Ramadanin dhe Lorik Aliun. Të tre këta djem u pëlqyen nga selektorët e kombëtareve dhe sot janë pjesë e kësaj kombëtareje. Madje, për dy të parët ky seleksionim ishte me fat, sepse falë tij sot Fejzullahu luan te Besa dhe Ramadani luan për ekipet e moshave të belgëve të Gent.
Nga cilat treva janë futbollistët e kontaktuar nga ju?
Sigurisht në pjesën më të madhe vijnë nga Kosova, pavarësisht nëse ata sot jetojnë apo jo në këtë vend. Nga Kosova sot janë gjashtë futbollistë në Kombëtare të afruar prej meje: Ramadani, Aliu, Latifi, Gavazaj, Rashica dhe Stublla. Shpresojmë që shumë shpejt të tjerë futbollistë nga Kosova të tregojnë se janë të denjë për të veshur këtë fanellë.
Keni punuar vetëm në Kosovë, apo keni synuar edhe trevat e tjera?
Sigurisht synimi ynë sot është të kemi n jë skuadër të madhe, jo vetëm te kombëtarja e madhe, por edhe te moshat. Për këtë arsye kemi parë më lart se Shqipëria dhe Kosova. Falë kontaktimeve të mia, në kombëtaret e moshave është afruar i pari futbollist nga Lugina e Preshevës, Fejzullahu dhe Berat Beqiri, i cili luan për FC Copenhagen U-17, duke qenë i pari futbollist nga Maqedonia. Shembulli i këtyre djemve është ndjekur nga të tjerë futbollistë, si: Taipi, Murati apo Krenar Ramadani. Ndërkohë kemi nën vëzhgim edhe djem nga Mali i Zi dhe mendoj se shumë shpejt do të kemi anëtarë të Kombëtares edhe nga kjo trevë.
Sa mendoni se ka ndikuar kjo që futbollistët shqiptarë, kudo që luajnë, ta kenë ëndërr të tyren edhe Kombëtaren shqiptare?
Sigurisht që sot fryma në këto treva është krejt tjetër, pasi nëse në fillim kur u telefononim futbollistëve shqiptarë nga treva të tjera dhe i pyesnim nëse ishin të gatshëm të luanin për Kombëtaren shqiptare, ata shprehnin habinë sikur t’u bënte ftesë Brazili. Kjo mendoj se vinte nga fakti se më parë, të ishe pjesë e kombëtares së moshave duhej të luaje dhe jetoje në Shqipëri. Por mendoj se ardhja e Jupit në krye të kësaj zyre, ka sjellë revolucion në FSHF, në këtë aspekt, pjesë e të cilit më modesti jam edhe unë. Pasi jam i bindur se prej kohës që unë jam e pjesë e FSHF-së, nuk kam humbur pa identifikuar asnjë talent shqiptar duke bërë detyrën, pastaj zgjedhja është e këtyre djemve.
Përmendëm rastet e futbollistëve të afruar në Kombëtare, por a ka futbollistë të rinj që vazhdojnë ta refuzojnë këtë Kombëtare?
Do të ishte bukur që çdo futbollist që do ta kontaktonim të na kthente përgjigje pozitive dhe nëse do e shihnim të vlefshëm ta bënim pjesë të kësaj kombëtareje, por nuk ndodh kështu përherë. Kemi disa raste të refuzimeve që kemi marrë nga futbollistë që sot ndoshta janë ende të panjohur për publikun shqiptar, por që shumë shpejt do të jenë futbollistë shumë të njohur. Prej kësaj kam frikë se do të ndodhi edhe me këta, ashtu si me Shaqirin, Xhakën etj. Nëse më pyesni a i ka kontaktuar apo jo FSHF-ja këta djem, unë mund t’u them që tani: Po, ne i kemi kontaktuar dhe na kanë refuzuar, fatkeqësisht. Gjithsesi ka dy grupe futbollistësh: ata që në momentin e parë na kanë treguar se nuk kanë qenë të interesuar për të vazhduar kontaktet dhe që për mua nuk janë aspak shqiptarë, por janë treguar burra të vërtetë. Pjesa tjetër janë ata futbollistë që kanë bërë lojë të dyfishtë, duke përdorur emrin e FSHF-së si mënyrë për t’i bërë presion një federate tjetër. Por, jam i bindur se prej kohës që unë jam pjesë e FSHF-së nuk kam humbur pa identifikuar asnjë talent shqiptar, duke bërë detyrën dhe duke e kontaktuar dhe ftuar të bëhet pjesë e Kombëtares së Shqipërisë në varësi të moshës që ka, pastaj zgjedhja është e këtyre djemve.
Për t’i konkretizuar gjërat, na tregoni disa nga rastet kur ju jeni interesuar personalisht për një futbollist të caktuar dhe ai e ka refuzuar ftesën e FSHF-së?
Kemi rastin e Leonid Loshajt, i cili është bërë i njohur edhe më parë në media, të cilit ia kam paguar personalisht biletën e aeroplanit Nurenberg-Prishtinë dhe më pas do e sillja në Tiranë. Por, vetëm gjashtë orë para nisjes, i ati Leonidit më ka telefonuar duke më treguar se klubi nuk e kishte lejuar djalin e tij për t’u paraqitur në grumbullim. Ndërsa vetë Leonidi më dërgoi një mesazh ku më tregonte se nuk mund të vinte në Prishtinë, sepse ishte i dëmtuar. Situatë qesharake… Po ashtu është rasti i Zymber Bytyçit, i cili është futbollisti me moshë më të re që ka debutuar në Superligën norvegjeze. Ai e ka mbajtur të hapur mundësinë e ardhjes te Kombëtarja jonë, por sa ka marrë ftesën norvegjeze, është tërhequr nga ideja për t’u veshur kuqezi.
Po për talentet shqiptare në Angli, Veseli e Bunjaku. Keni dijeni për këto raste?
Nuk e kam ndjekur rastin e Veselit, ndërsa për sa i përket Bunjakut, ish-futbollist i moshave te Arsenali, aktualisht pjesë e Seviljes B, kam komunikuar personalisht. Fillimisht më është dashur të flas në gjuhën angleze, pasi ai është shprehur se nuk e njeh mirë shqipen, madje se e njihte shumë pak edhe Kombëtaren tonë, e cila ishte një shenjë injorimi për ne. Por duhet të vlerësoj edhe dy rastet e fundit, sepse unë mendoj se kemi humbur dy futbollistë shumë cilësorë. Është fjala për Donis Avdiajn, që luan te Shalke dhe ka zgjedhur të luajë për 17-vjeçarët e Gjermanisë, duke debutuar me gol në sfidën e fundit. Po ashtu edhe Meriton Bytyçi, madje babait të tij ia pata premtuar se do e bëjmë pjesë të Kombëtares pa bërë seleksionimin, duke njohur potencialin e tij, një qendërmbrojtës 186 cm, i cili ka debutuar gjithashtu me gol në Kombëtaren U-17 të Zvicrës dhe në të ardhmen pres të jetë një mbrojtës i nivelit shumë të lartë. Gjithsesi, këta djem ende janë pak të njohur.
Në Shqipëri dhe në mediat tona apo në forume bëri bujë rasti Xhaka, në dijeninë tuaj, si ka ndodhur në rastin “Xhaka”?
Atëherë ishte Redi Jupi që merrej prej disa kohësh me rastin Xhaka, duke dashur të shfrytëzonim faktin se Graniti e kishte mamanë e tij nga fshatrat e Kukësit. Ndërkohë, ndërhyra edhe unë duke shfrytëzuar faktin se jam shqiptar i Kosovës dhe ndoshta do e bindja më lehtë. Po ashtu, duke qenë se isha anëtar i “Tifozave Kuqezi”, doja t’i dërgoja edhe emocionet e tifozëve shqiptarë Xhakës. Kam kontaktuar Granitin, por ai më ka thënë se për këto çështje mund të bisedonim vetëm me babanë e tij, Rakip Xhaka. Madje i kam dërguar me postë një flamur dhe dy shalle familjes Xhaka. Po ashtu edhe një zarf me një letër, ku i kërkoja Granitit të bëhej pjesë e Kombëtares së Shqipërisë. Madje kam edhe kopjet e dërgesës, ashtu siç kam edhe kopjen e biletës së Loshajt, të cilat i kam publikuar dhe mund t’i publikoj në çdo moment. Por duket se tentativat tona familja Xhaka i përdori si presion që Graniti të bëhej sa më shpejt pjesë e Kombëtares zvicerane.
Kush mendoni se humbet më shumë në këto raste, Kombëtarja apo këta futbollistë që refuzojnë?
Mendoj se të dyja palët dalin të humbura, por nëse ne këtë humbje e ndjejmë që në momentin e parë, për këta djem humbja do të ndihet më vonë, sidomos ata që duan të luajnë me një Kombëtare të madhe si Gjermania apo Anglia. Por, mund të them se shumë prej këtyre djemve që na kanë refuzuar, ende nuk kanë luajtur me një kombëtare tjetër, kështu që ne edhe mund t’i tentojmë sërish.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me drejtuesit e FSHF-së, apo me trajnerët e skuadrave të moshave?
Janë shumë të mira dhe pozitive, ku dua të veçoj Redi Jupin, me të cilin kam edhe marrëdhëniet më të shpeshta. Ndihem mirë për faktin që ata kanë vlerësuar punën time dhe vazhdojmë bashkëpunimin.
Së fundi, Jetmir mund të na njihni me ndonjë emër që pritet t’u bashkohet kombëtareve tona?
Janë disa futbollistë që po kontaktohen këto kohë, madje mund t’ju përmend disa si Faton Ademi (Herta Berlin U-19), Leart Pacarada (Bajer Leverkusen U-19), gjithashtu vazhdoj të jem në kontakte me Adnan Jonuzajn (Mançester Junajtid U-17). Por kemi edhe një futbollist që ende nuk mund ta bëj publik. Bëhet fjalë për një futbollist tepër të talentuar, i cili luan si mbrojtës i majtë dhe deri tani ka pasur rreth 20 grumbullime me kombëtaret e moshave të Gjermanisë, por ende pa zhvilluar asnjë sfidë zyrtare, çfarë na jep mundësinë për ta bërë pjesë të Kombëtares sonë. Pritet që shumë shpejt ai do të heqë dorë nga pasaporta gjermane dhe kur të nisin procedurat për pajisje me pasaportë shqiptare, do të jeni të parët që do t’ju njoftoj. Falë talentit që ai ka, mund të ketë edhe një grumbullim tek U-21, edhe pse në moshë është më i vogël.
ELTON ÇELA

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions