Runi: S’fitojmë trofe po luajtëm kështu

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Runi: S'fitojmë trofe po luajtëm kështu
Oct 4th 2012, 11:47

Uejn Runin nuk e kënaq fitorja me Kluzhin. Ai ka paralajmëruar shokët e Mançester Junajtid se, nëse pësojnë gola të tillë foshnjarakë si ai i Kapetanos, atëherë ta harrojnë titullin e Champions- it, por edhe Premier Ligën. Edhe pse Aleks Ferguson këmbënguli para ndeshjes se “djajtë” nuk do të pësonin më gola të tillë, kjo ndodhi për të disatën herë këtë sezon. Anglezët janë gjendur në disavantazh gjashtë herë dhe vetëm në katër raste kanë arritur ta përmbysin atë. Me transfertën në Njukasëll këtë të diel, nënkampionët e Anglisë duhet t’i japin fund mungesës së përqendrimit në fushë. “Është bërë shumë shqetësues fakti që pësojmë gola shumë shpejt. Nuk është aspak diçka normale dhe duhet t’i japim fund menjëherë. Nuk mund të lejojmë të gjendemi në disavantazh e aq më tepër në Ligën e Kampioneve, ku një ndeshje është shumë herë më e vështirë për t’u fituar”, – deklaroi sulmuesi. 26-vjeçari shtoi se nëse ekipi nuk rikthehet solid, atëherë Mançesteri ta harrojë se mund të fitojë titullin: “Është një situatë delikate, por që unë kam besim se do reagojmë. Por nëse vazhdojmë kështu, shumë shpejt mund t’i japim lamtumirën këtij kompeticioni. Ndaj Njukasëllit të dielën duhet të shënojmë ne të parët dhe më pas të kontrollojmë ndeshjen. Vitin që shkoi, kemi luajtur shumë keq në “St James Park”, ku jemi mundur 3-0. Këtë vit gjërat do jenë ndryshe. Duhet që lojtarët ta ndiejnë rëndësinë e ndeshjes”. Runi shkëlqeu kundër kampionëve të Rumanisë, ndërsa roli i tij në thellësi të sulmit i dha mundësinë Robin van Persit të shënonte dopietën e kthesës së rezultatit. Asisti i golit të dytë të holandezit solli dhe elozhet e trajnerit. “Goli i dytë ishte fantastik. Ishte një top i shkëlqyer i Uejn. Unë mendova se topi i tij ishte më në thellësi seç duhej, por edhe shpejtësia me të cilën Robin mori topin ishte fantastike. Kemi një sulm fantastik”, – deklaroi Ferguson.

Gjashtë golat e holandezit “Vanpire”
Dy golat në tokën e Drakulës bënë që mediat ishullore dhe jo vetëm ta ngrinin në qiell figurën e holandezit. “Vanpire” ishte titulli i tabloidit “The Sun” për Robin van Persin, i cili “kafshonte” dy herë Kluzhin dhe konfirmohej si sulmuesi më në formë i “djajve” me gjashtë golat e këtij sezoni. “Këta gola ishin më të rëndësishmit me fanellën e Mançester Junajtid”, – u shpreh 29-vjeçari. Ish-kapiteni i Arsenalit po mban me sukses gjithë peshën e sulmit të Mançesterit, ndërsa Runi luan më në thellësi të mesfushës, duke marrë më shumë rolin e “shërbyesit” të holandezit, sesa të shënimit të golave.

“Robin OK, por Uejn është hero”
Elozhet vetëm për Van Persin nuk i kanë pëlqyer Evrasë. “Holandezi është një lojtar i madh, por mos harroni se heroi i ndeshjes ishte Runi. Njerëzit kritikojnë shumë kollaj dhe, kur dëgjova atë që u tha për Van Persin, m’u duk sikur ne kishim vetëm një sulmues në fushë. Robin është lojtar klasi, por mos harroni atë që Uejn ka bërë për këtë klub”, – tha mbrojtësi francez.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions