Sebastian Fetel, rokadë me Alonson

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Sebastian Fetel, rokadë me Alonson
Oct 15th 2012, 07:50

Sebastian Fetel fitoi "Grand Prix"-in e Koresë, gara e 16-të e kampionatit botëror të Formula 1. Gjermani i Red Bullit, kampioni i botës në fuqi, mbërriti në finish përpara shokut të skuadrës Mark Veber. Podiumi plotësohet me Fernando Alonson e Ferrarit. Për Fetel, gara e zhvilluar në cirkuitin aziatik mund të jetë pikë kthese e sezonit. Përveç kënaqësisë që arriti të fitojë garën e katërt në kampionat dhe të tretën radhazi (i vetmi pilot që e arrin këtë vit), njëherësh gjermani i ka rrëmbyer edhe kreun e klasifikimit të përgjithshëm Fernando Alonsos. Tashmë Fetel kryeson me 215 pikë kundrejt 209 pikëve të ferraristit. Alonso, protagonist i një starti pozitiv, nuk mund të merrte më tepër se vendin e tretë dhe në katër garat e fundit të planifikuara në kalendarin e 2012- ës (Indi, Abu Dhabi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Brazil) do t'i duhet të djersijë mjaft për të bërë rokadën në renditjen e pilotëve. Vendi i katërt për Felipe Masën, dhe pas tij vijnë Raikonen e Hulkenberg. Një ditë e pafat për McLaren-in. Ndërsa Hamilton fikson pozicionin e 10-të, Xhenson Baton u tërhoq që në xhiron e parë, pasi u godit nga Sauberi i Kamui Kobajashit. Në fakt, në Yeongam ka edhe një lajm entuziast për Ferrarin: skuderia e Maranellos kalon McLaren-in dhe tashmë është e dyta pas Red Bullit në klasifikimin e konstruktorëve.
Deklaratat - Sebastian Fetel mund të ketë marrë kryesimin në kampionatin e pilotëve, por është i vetëdijshëm se Red Bulli nuk mund të flejë mbi dafina tani, nëse kërkon sërish titullin kampion. "Mezi po pres edhe garat e fundit. Ne kemi nevojë për një tjetër hap si ky dhe shpresojmë se mund ta mbajmë këtë vrull edhe në garat e ardhshme. Kampionati ka pasur si ulje dhe ngritje, kësisoj duhet të jemi më të përqendruar te vetja jonë. Natyrisht që këtë moment kërkohet maksimumi i pikëve dhe drejt atje po shkojmë. Sa i përket garës, sot kam bërë një prezantim fantastik, por bëj apel për të qenë të duruar, pasi çfarë do mund të ndodhë deri në fund. Ndaj të presim", – tha Fetel. Ndryshe nga gjermani, shoku i skuadrës ndihet pak i zhgënjyer. Australiani e pranoi se bëri një start për t'u harruar: "Starti i garës nuk ishte i bujshëm. Më pas shpresoja se mund të rikuperoja, por nuk ia dola dot. U përpoqa të ruaja ritmin. Jam pak i zhgënjyer, por i lumtur për skuadrën".

ALONSO
“Unë mendoj se ne duhet të jemi të lumtur me paraqitjen e sotme, pasi e mbyllëm garën në vend të tretë dhe të katërt, pikërisht pas Red Bullit, që për momentin janë të vështirë për t’u mposhtur. Pra, kjo ishte një ditë e mirë për ekipin, për Felipen dhe për mua. Gjithashtu, duhet të gëzohemi, duke qenë se kemi parakaluar edhe McLaren-in në renditjen e konstruktorëve, rezultat ky që para dy apo tre garave nuk e prisnim se mund të ndodhte”.

Radha e mbërritjes
PILOTI  KOHA
1. S.Fetel 1h36:28.651
2. M.Veber +8.231
3. F.Alonso +13.944
4. F.Masa +20.168
5. K.Raikonen +36.739
6. N.Hulkenberg +45.301
7. R.Groszhjan + 54.812
8. Zh.Vernje +1:09.589
9. D.Riçiardo +1:11.787
10. L.Hamilton +1:19.692
11. S.Perez +1:20.062
12. P.Di Resta +1:24.448
13. M.Shumaker +1:29.241
14. P.Maldonado +1:34.924
15. B.Sena +1:36.902
16. V.Petrov +1 xhiro
17. H.Kovalainen +1 xhiro
18. T.Glok +1 xhiro
19. Ç.Pik +2 xhiro
20. N.Karthikejan + 2 xhiro

Klasifikimi i pilotëve
PILOTI PIKËT
1. S.Fetel 215
2. F.Alonso 209
3. K.Raikonen 167
4. L.Hamilton 153
5. M.Veber 152
6. Xh.Baton 131
7. N.Rosberg 93
8. R.Groszhjan 88
9. F.Masa 81
10. S.Perez 66
11. K.Kobajashi 50
12. N.Hulkenberg 45
13. P.Di Resta 44
14. M.Shumaker 43
15. P.Maldonado 33
16. B.Sena 25
17. Zh.Vernje 12
18. D.Riçiardo 9

Klasifikimi i konstruktorëve
SKUDERIA PIKËT
1. Red Bull 367
2. Ferrari 290
3. McLaren 284
4. Lotus 255
5. Mercedes 136
6. Sauber 116
7. Force India 89
8. Williams 58
9. Toro Rosso 21
Përgatiti: OLGERT SERANI

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions