Skënderbeu del huq, Tomori pikën e parë; Mile kërkon fitoren në tavolinë

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Skënderbeu del huq, Tomori pikën e parë; Mile kërkon fitoren në tavolinë
Oct 1st 2012, 12:46

TOMORI – SKËNDERBEU 0-0
TOMORI: Llani, Çarls, Rexha, Hysko, Tafaj, Hodo, Arbri, Gjoni (Frashëri 85′), Jusufi (Ouej 80′), Elmazi (Paja 54′), Mile. Trajner: K.Mile
SKËNDERBEU: Shehi, Ademir Soza, Bicaj, Gvozdenovic, Arapi, Kërçiku (Shkëmbi 71′), Lilaj, Orelesi, Dimo (Kuli 63′), Plaku, Pejiç. Trajner: M.Josa
KARTONË TË VERDHË: Hysko 37′, Rexha 86′/ Ademir Soza 14′, Pejiç 45+3′
VËZHGUES: B.Kaimi
DELEGAT: U.Zajmi
GJYQTARET: L.Alla, D.Korreshi (Lushnjë), E.Doga (Tiranë);

MINUTAT
26′ Ademir Soza dërgon një top në zonën beratase, mbrojtja nuk është e mirëvendosur dhe, i gjendur aty, Pejiç del i lirë përballë Llanit, grushton ky i fundit, topi shkon te Dimo, goditja e të cilit pritet nga portieri.
29′ Arapi dërgon një top në zonë, Llani largon me këmbë topin, shkon te Plaku që pason shkurt për Pejiçin, pak metra larg nga porta provon një parabolë mbi portën e Llanit.
62′ Top në thellësi, Mile zbulohet mirë mes mbrojtjes korçare, por goditja është ngjitur me shtyllën.
69′ Kundërsulm i shpejtë i korçarëve. Plaku i vetëm me Llanin nuk përfiton dhe gardiani beratas shpëton sërish portën e tij.
70′ Jusufi-Mile ndërtojnë një aksion spektakolar, që mbyllet me një goditje të bukur të kapitenit beratas, por topi përplaset në shtyllë.
74′ Lilaj rikuperon një top në mesfushë dhe pason për Plakun, krosi i të cilit largohet nga Tafaj me kokë, topi përfundon te Kuli, goditja e të cilit përfundon mbi tra.
75′ Mile merr një top në të djathtë të sulmit beratas, duke krosuar në zonën mike, aty Jusufi i vetëm godet me kokë, por gabon.
85′ Ouej pason shkurt për Milen, i cili në kthesë jep një goditje potente dhe topi përplaset në shtyllën transversale dhe jashtë.

Tomori ka arritur të marrë pikën e parë në shtëpi, ndërsa kampionët nuk kanë mundur dot të dalin si të tillë nga transferta beratase. Në një ndeshje që nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola, te besuarit e Josës, por edhe K.Miles, ndonëse krijuan raste për shënim, ishin të pafat. Kështu, korçarët nuk mundën dot të përfitonin nga barazimi i Tiranës, duke qëndruar sërish të dyja në krye të klasifikimit me pikë të barabarta. Ndërkaq, duhet thënë se skuadrat respektive zhvilluan një lojë më shumë taktike, duke mos arritur asnjëra të tregohet e zgjuar për të marrë fitoren.
Pjesa e parë - Në startin e kësaj sfide, korçarët duken më të bindur për ta fituar këtë duel, pasi që në minutën e 4-t shfaqen rrezikshëm me anë të Dimos. Më pas, për minuta të tëra sfidat humbet paksa ritmin, duke u zhvilluar e fortë në mesfushë, ndërsa dy portierët Llani dhe Shehi qëndrojnë thjesht spektatorë. Por pas minutës së 20', si Skënderbeu ashtu edhe Tomori rizgjohen dhe do të jenë këta të fundit që pas topit të Hodos në zonë kanë një mundësi për të shënuar, por goditja me kokë e Elmazit është për t'u harruar. Kjo duket se shërben si një "ngacmim" për korçarët, të cilët nisin një varg rastesh të humbura, ku Llani bëhet protagonist për Tomorin. Është Lilaj ai që jep sinjalin i pari me një goditje nga jashtë zone, por shënjestra e mesfushorit të Kombëtares nuk është e saktë. Në minutën e 29' Arapi hedh një top në zonë dhe kësaj here Llani vendos këmbët në përdorim. Topi shkon te Plaku, i cili pason te Pejiç, që nën shqetësimin e Llanit provon një parabolë, por sërish pa sukses për miqtë. Pavarësisht rasteve, kjo pjesë nuk do të dhuronte gol.
Pjesa e dytë - Fraksioni i dytë i lojës nis më i mirë për beratasit, të cilët hidhen në sulm, në kërkim të golit të avantazhit. Mirëpo, momentin e parë të rrezikshëm e krijojnë me të sapofuturin në fushë Paja, i cili pas pasimit të Jusufit, godet, por Shehi është në gatishmëri. Në minutën e 62-të Mile bën spektakël, ai i shpëton mbrojtjes mike, dhe i gjendur i vetëm përballë Shehit godet, por topi përfundon ngjitur me shtyllën e djathtë pingule. Jusufi kthehet sërish protagonist me një tjetër asist për Arbrin, por goditja e tij është për t'u harruar. Vetëm një minutë më pas shqiptaro-kroati pason për Pajën, goditja potente e të cilit pritet në dy kohë nga gardiani Shehi. Në aksionin pasardhës janë korçarët, ata që duan të tregojnë se janë kryesuesit e këtij kampionati, kur Plaku përfiton nga shpejtësia e tij, duke dalë i vetëm me Llanin, por ky i fundit i mohon golin sulmuesit tiranas. Në minutën e 70', është sërish dyshja Jusufi-Mile që krijojnë një aksion të bukur me anë të kapitenit, por topi i gjuajtur prej tij përplaset në shtyllën pingule. Dëshpërimi është i madh tek Mile dhe në këtë kohë janë tifozët vendës, të cilët i japin zemër, duke thirrur në kor emrin e tij. Në të 85-ën, nigeriani Ouej pason te Mile, i cili nga jashtë zone provon një goditje në kthesë e sipër, por topi këtë herë shkon në traversë.

MË I MIRI
Sulmuesi Vangjel Mile dhe portieri Ervin Llani kanë qenë pa dyshim lojtarët më të mirë. Mile tërhoqi skuadrën përpara, duke luftuar në çdo top dhe duke krijuar momentet më të mira të kësaj sfide, pasi në dy raste goditi shtyllën dhe me pak fat do të ishte ai heroi i këtij takimi. Ndërsa portieri Llani ka bërë një paraqitje spektakolare, duke shmangur momentet e rrezikshme që krijuan sulmuesit korçarë.

MË PAK AKTIVI
Dy krahët e mesfushës të Skënderbeut, Dimo dhe Kërçiku, kanë qenë më pak aktivët në takimin e djeshëm. Dy futbollistët që Josa i përdor si sulmues krahu, në asnjë moment nuk janë dukur të rrezikshëm përpara mbrojtjes beratase, duke mos ndihmuar aq sa duhet edhe dyshen Plaku- Pejiç. Edhe këta nuk janë parë në ditët e tyre të zakonshme, duke dalë pa gol nga kjo transfertë, pavarësisht rasteve.

Mile: Dua fitoren në tavolinë
Kristaq Mile, trajneri i Tomorit, pas për fundimit të takimit dukej i lumtur për pikën e parë të marrë në shtëpi ndaj Skënderbeut. Në konferencën e dhënë para mediave, ai ka lajmëruar për dhënien fund të heshtjes për shtyp nga Tomori, ndërsa ka pohuar se duhet të marrin tri pikët në tavolinë për aktivizimin e Arapit. "Jam shumë i kënaqur nga ajo që skuadra tregoi në fushë dhe kjo lojë e bukur dhe pika jonë e parë janë për tifozërinë e Tomorit, edhe pse mendoj se meritonim fitoren. Megjithatë mund të them se ne po vuajmë ende mungesën e golit. Pavarësisht se jam në rolin e teknikut, unë do të parapëlqeja një ndeshje me gola, sepse e dimë që për këtë vijnë edhe tifozët në stadium. Por përpos ndeshjes, nuk dua të lë pa përmendur faktin se futbollisti me numër 3 i Skënderbeut, Renato Arapi, është i dënuar nga Disiplina dhe nuk ka rregullore të pranojë që dënimet e kampionatit të hyjnë edhe në kupë. Nuk mundet që një karton i marrë në kampionat të fshihet pas ndeshjes së Kupës dhe anasjelltas. Për këtë ne kërkojmë që këtë ndeshje ta fitojmë në tavolinë". Duke vijuar më tej, Mile ka pohuar: "Heshtjes për mediat i është dhënë fund duke nisur nga sot. Fjalët e para që më vijnë në mend janë se duhet ta shikojnë të gjithë se kjo është tifozëria që ka Tomori dhe ky është ekipi ynë. Unë dhe Kovaçi kemi kontribuar për këtë skuadër, duke ndërtuar këtë stadium dhe këtë do vazhdojmë ta bëjmë me pasionin më të madh. Mendoj se mendja jonë dhe këmbët e futbollistëve tanë do të japin frytet që duam duke nisur nga sot. Mendoj se niveli i skuadrave në kampionatin tonë nuk ka diferenca dhe se mjafton një fitore për t'u ndier më i qetë në klasifikim. Ndaj për ne, duke nisur nga kjo sfidë, çdo ndeshje do të cilësohet si një finale, qoftë në Berat, qoftë jashtë tij. Tomori për shkak të kampionatit është detyruar të luajë kundër skuadrave më të mira, më të egra dhe ndaj atyre që janë nga më të mirëpaguarat në futbollin shqiptar".

ÇFARË THOTË RREGULLORJA
Pas shlyerjes së gjysmës së dënimit në ndeshjen e kampionatit ndaj Laçit dhe atë të kupës ndaj Olimpikut, Renato Arapi e ka konvertuar penalizimin duke paguar në FSHF. Arapi është dënuar nga Disiplina me katër ndeshje. Në fakt, në rregullore thuhet qartë se lojtari në rast se ka shlyer gjysmën e dënimit mund ta konvertojë atë, duke e paguar pjesën tjetër. Mirëpo, duke pasur parasysh vjet precedentin “Stoja”, të cilit iu lejua që ta shlyente dënimin vetëm në ndeshjet e kampionatit, ndërsa në kupë mund të aktivizohej, Mile me të drejtë ka pretendime për zbatimin e Kodit të Disiplinës me dy standarde. Gjithsesi, në rregullore nuk thuhet askund që një lojtar dënimin e ka vetëm për ndeshjet e kampionatit dhe jo ato të kupës. Në nenin 135 të Kodit të Disiplinës Sportive, pika 3 fraksion c thuhet: Pezullimi nga ndeshja i lojtarëve ose zyrtarëve do të konvertohet me gjobë si në vijim: për pezullimin nga ndeshja e dytë deri në ndeshjen e pestë konvertohet me gjobë me vlerë prej 100.000 (njëqind mijë) lekësh për çdo ndeshje.

Josa, kritika sulmuesve: Pejiç e Plaku duhet të shënonin
Mirel Josa, numri një i pankinës së Skënderbeut, pas përfundimit të takimit në konferencën për shtyp u shpreh: “E prisja që sfida e sotme të ishte e vështirë dhe këtë e kisha shprehur edhe gjatë javës. Mendoj se gabimi ynë i vetëm ishte moskonkretizimi, sidomos gjatë pjesës së parë, por edhe të dytë. Gjithsesi, mendoj se skuadra deri diku u paraqit mirë, pasi nuk u rrezikuam në asnjë moment nga Tomori dhe sulmet e tyre të rrjedhshme, por vetëm nga lufta e mirë që bëri sulmuesi beratas Mile kundër dy qendërmbrojtësve tanë. Ishim të përgatitur për këtë përballje, ndaj dhe luajtëm në fushë me dy sulmues qendrorë e dy anësorë, në mënyrë që ta zgjidhnim sfidën me sukses. Mirëpo, në asnjë rast asnjë prej tyre nuk bëri aq sa duhej për ta zgjidhur ndeshjen. Mendoj se vetëm moskoordinimi i duhur i Pejiç dhe Plakut solli mungesën e golit. Pastaj, nëse nuk shënon, të tilla ndeshja bëhen të vështira; dhe nëse nuk zgjidhen në një moment të caktuar, nuk arrijnë të zgjidhen në asnjë moment, ashtu sikundër ndodhi sot (dje). Nuk mendoj se ky barazim prish planet tona për synimet e sezonit, problemi ishte se mund ta humbnim. Në këtë javë nuk më vjen keq që nuk përfituam nga ndalesa e Tiranës, por më vjen keq që nuk arritëm të merrnim 3 pikë sot. Problemi i organizimit të skuadrës sonë nuk mendoj se është mungesa e Shkëmbit, pavarësisht rëndësisë që ai ka në formacionin tonë. Deri më tani kjo skuadër ka luajtur pa Shkëmbin dhe është e para. Hyrja e kapitenit në fushë u bë për të përmirësuar atë pasin e fundit për dy sulmuesit”.

Mile “junior”: Do të vijë momenti im
Sulmuesi Vangjel Mile pas përfundimit të takimit tha: "Jam i kënaqur nga ajo çfarë bëmë në fushë. Ky barazim për ne ishte si një fitore, duke pasur parasysh situatën e krijuar në kampin tonë. Mendoj se ky do të jetë momenti i duhur për të kthyer vetëbesimin në skuadër dhe për të kuptuar se forca jonë është më e madhe se ajo që kemi shfaqur në fushë. Por fitorja më e madhe është fitimi i tifozëve, që këto kohë janë shfaqur shumë kritikë ndaj nesh. Dhe besoj se tashmë gjërat do të jenë ndryshe. Për sa i përket golit, edhe unë e kam paksa të vështirë ta besoj, mendoj se edhe një përqindje fati e ka kjo situatë. Gjithsesi, jam i sigurt se shumë shpejt do të vijë momenti im".

Llani humbet vetëdijen
Gjatë sfidës së djeshme, pas një përplasjeje mes Llanit dhe Dimos, gardiani i Tomorit ka qëndruar i shtrirë për disa minuta në fushë, madje edhe duke humbur për disa sekonda vetëdijen. Mirëpo, edhe pas këtij momenti, ai ka qëndruar në fushë i mbështetur edhe nga tifozët beratas, duke mos lejuar prekjen e rrjetës.
ELTON ÇELA

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions