Skënderbeu “peshkon” në turin e dytë Kamzën. Gola për të tërë ndaj Olimpikut

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Skënderbeu "peshkon" në turin e dytë Kamzën. Gola për të tërë ndaj Olimpikut
Oct 4th 2012, 12:04

Olimpik-Skenderbeu 1-2, e vlefshme per Kupen e Shqiperise

SKËNDERBEU – OLIMPIKU 7-2
GOLAT: Pejiç 12′, 70′, Çaushaj 41′, Shkëmbi 53′ (11-m), Lilaj 82′, Fernando 85′, Dimo 88′/ Fuçia 43′, Kotobelli 89′ (11-m)
SKËNDERBEU: Shehi, Bicaj, Gvozdenoviç, Vrapi, Kërçiku (Tomiç 75′), Lilaj, Shkëmbi, Çaushaj, Plaku, Kuli (Dimo 65′) Pejiç (Fernando 75′). Trajner: M.Josa
OLIMPIKU: Pjetri, Kotobelli, Rrapo, Cfarku, E.Shima, Mara, F.Shima (Duka 83′), Myftaraj (Karamuça 63′), Jonuzi (Strakosha 73′), Lamaj, Fuçia. Trajner: I.Qurku
GJYQTARË: E.Demiraj, A.Mema, V.Tola (Pogradec)
KARTONË TË VERDHË: Çaushaj 8′/ Rrapo 47′, Cfarku 51′, Fuçia 78′, Karamuça 79′
KARTON I KUQ: S.Lilaj 86′
DELEGAT: Jovan Gugu (Librazhd)
VËZHGUES: Sami Elezi (Peqin)

Skënderbeu mposht me rezultatin e thellë 7-2 Olimpikun e Tiranës, duke kaluar lehtësisht në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Pas barazimit 2-2 në sfidën e parë, korçarët kanë shpërthyer në shtëpi, duke shënuar shtatë herë. Ka qenë një lojë e dominuar tërësisht nga bardhekuqtë, të cilët kanë kërkuar me ngulm zgjidhjen e rezultatit që në fillim të takimit. Të futur në fushë me një skemë të re (3-4- 3), ekipi i drejtuar nga Josa e shndërroi këtë ndeshje në një stërvitore.
Pjesa e parë - Loja nis me Skënderbeun në kërkim të golit, por në start sulmuesit shpërdorojnë disa raste. Në minutën e 12-të sulmuesi Pero Pejiç kalon në avantazh Skënderbeun. Fillimisht është Plaku që godet drejt portës, por grushton Pjetri dhe topin e kthyer kroati e dërgon në rrjetë. Që nga ky moment Skënderbeu fillon të administrojë lojën, por goli i dytë vonon. Në minutën e 41-të është Çaushaj që dyfishon shifrat, pas një harkimi të bukur nga krahu i djathtë të Kërçikut. Vetëm dy minuta më vonë Olimpiku ngushton diferencën me anë të Fuçisë, i cili përfiton nga grushtimi i Shehit, pas goditjes së fuqishme të mesfushorit Myftaraj. Me rezultatin 2-1 mbyllet pjesa e parë.
Pjesa e dytë - Që në minutat e para të pjesës së dytë Skënderbeu tregon sërish superioritetin e tij, por edhe kujdesin për të mos u lodhur, pasi në fundjavë e pret ndeshja kundër Shkumbinit për kampionat. Në minutën e 53-të Pejiç fiton një 11- metërsh, pas një kontakti me portierin kundërshtar. Nga pika e bardhë kapiteni Shkëmbi nuk gabon, dhe 3-1 për korçarët. Pikërisht ky gol i çorienton modestët e Olimpikut, të cilët nuk arrijnë t’i rezistojnë presionit të ushtruar nga Skënderbeu. Në minutën e 70-të Pejiç, pas një kombinimi me Lilajn dhe Çaushajn, arrin të realizojë një supergol. Kroati godet fuqishëm nga jashtë zone dhe topi përplaset një herë në shtyllën e djathtë dhe më pas në atë të majtë, për të përfunduar në rrjetë. Brenda 7 minutash Skënderbeu shënon edhe tre gola të tjerë me anë të Lilajt, Fernandos e Dimos. Ndërkohë, Skënderbeu e mbyll takimin me 10 lojtarë, pasi S.Lilaj ndëshkohet me kartonin e kuq për shkak të një përplasjeje në mesin e fushës me një nga futbollistët miq. Në fund kryesori Demiraj akordon një penallti në favor të Olimpikut dhe nga pika e bardhë Kotobello vulos rezultatin 7-2.

Josa, elozhe për Tomiç dhe kapitenin Shkëmbi
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, nuk i kurseu elozhet për paraqitjen e kapitenit Bledi Shkëmbi, si dhe mesfushorit kroat, Zeljko Tomiç. Ja si u shpreh ai pas ndeshjes: “Mendova të aktivizoj ata që do të luajnë në ndeshjen kundër Shkumbinit, për të testuar formën e tyre. Jam i kënaqur nga loja që zhvilloi ekipi. Duke u nisur nga futbollistët që kam në dispozicion, nuk mund të përjashtoj një skemë identike edhe ndaj Shkumbinit, por gjithçka do të vendoset në ditët në vazhdim. E vetmja mundësi që kemi për të luajtur me tre sulmues është kjo skemë tani për tani. Jam i kënaqur me paraqitjen e Shkëmbit, pasi diti ta shpërndajë mirë lojën, duke na krijuar mjaft raste për shënim. Gjithashtu, kam marrë sinjale pozitive edhe nga Tomiç, i cili në ato minuta që pati në dispozicion, dha më të mirën. Ai do të jetë një mundësi më shumë për krahun e djathtë të mesfushës. Më dha sinjale të mira se ka arritur formën fizike, pasi kishte shumë kohë që nuk luante dhe kishte gjendje të dobët”, – është shprehur trajneri Josa.

Qurku: Gjyqtari na prishi ëndrrën
Trajneri i Olimpikut, Irakli Qurku, ka rezerva për gjykimin. Pas ndeshjes ai deklaroi: “Për rreth 60 minuta ekipi im ka qenë pothuajse i barabartë me kundërshtarin, aq sa ka arritur ta rivalizojë denjësisht Skënderbeun. Deri në momentin e penalltisë ishim thuajse në lojë për kualifikimin, por më pas favorizimi i arbitrit në dhënien e 11-metërshit prishi ëndrrën tonë. Ajo ishte pika kulmore e takimit që na demoralizoi. Megjithatë, i uroj suksese Skënderbeut në vazhdimësi. Unë jam i kënaqur nga puna që kanë bërë djemtë. E rëndësishme është që ne të paraqitemi denjësisht dhe të ngjitemi në Kategorinë e Parë”.
LLAZI SARO

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions