Çfarë goleade në Laç, fundoset Tomori. Ekipi i Shehut tani ëndërron Europën

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Çfarë goleade në Laç, fundoset Tomori. Ekipi i Shehut tani ëndërron Europën
Nov 15th 2012, 13:01

LAÇI – TOMORI  4-3
GOLAT: Hoti 22′, 84′, Shazivari 48′, Vucaj 64′ / Mile 43′, G.Arbri 74′-(11m), Shinko 88′
LAÇI: Vashaku, Doku, Buljan, Marku, Milenkoviç, Hoti, Vucaj, Sefgjini, Bilibashi, Nimani (Shazivari 46′), Emurllai (Marashi 82′). Trajner: R.Shehu
TOMORI: Naço, Karamani, Rexha, Tafaj, Elmazi (Shinko 65′), Çarls, Arbri, Isufi, Paja (Avdo 46′), Kendy, Mile (Muzhaj 46′). Trajner: M.Muzhaj
KARTONË TË VERDHË: Vashaku 24′, Doku 74′
VËZHGUES: M.Sherstani (Tiranë)
DELEGAT: K.Zija (Tiranë)
GJYQTARET: E.Sino, I.Tartari, O.Grabova (Fier)

MINUTAT
22′ Sefgjini kroson në zonë pas një goditje dënimi, topi devijohet lehtë nga Hoti dhe më pas përfundon në rrjetë, 1-0.
43′ Mile, pasi merr një pasim nga Tafaji, arrin të gjuajë saktë dhe shënojë, 1-1.
48′ Pas një rrëmuje në zonën beratase, Hoti arrin të përfitojë dhe pason për Shazivarin, i cili godet saktë dhe i rikthen kurbinasit në epërsi, 2-1.
64′ Hoti jep një asist për Vucajn, i cili përballë portierit mik arrin ta shmangë bukur dhe më pas me portën e boshatisur e dërgon topin në rrjetë, 3-1.
74′ Doku ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj një lojtari kundërshtar dhe kryesori akordon 11-metërsh. Arbri nga pika e bardhë nuk gabon dhe e shkurton diferencën, 3-2.
84′ Vucaj në krahun e djathtë të sulmit kroson saktë në zonën kundërshtare dhe aty Hoti me kokë nuk gabon, por realizon sërish dhe 4-2.
88′ Shinko, në një pozicion të prirët me portën, lëshon një silurë dhe e ndal topin në rrjetë, 4-3.

Laçianët mundin Tomorin me rezultatin 4-3 në një ndeshje plot gola dhe renditen në vendin e tretë në tabelën e klasifikimit. Takimi i djeshëm ishte tepër emocionues dhe me sulme të shpeshta nga të dyja anët, por në fund qenë vendësit që iu gëzuan fitores. Ka qenë Hoti, i cili e hapi dhe mbylli takimin, teksa shënoi golin e parë dhe të katërt për kurbinasit gjatë 90 minutave. Dy golat e tjerë për bardhezinjtë mbajnë firmën e Shazivarit e Vucajt, ndërsa për beratasit kanë qenë Mile, Arbri e Shinko, që kanë mundur të shënojnë në portën e mbrojtur nga Vashaku. Kjo humbje ka thelluar më tej krizën e beratasve, të cilët janë një hap rënies nga kategoria.
Pjesa e parë Loja nis me një minutë heshtje në respekt të arbitrit Rigels Pjetrushi, që u nda nga jeta në orët e para të ditës së diel pas një aksidenti automobilistik. Ndërkohë lojtarët e dy ekipeve, si dhe arbitrat e ndeshjes mbajnë në krah gjatë gjithë lojës nga një shirit të zi. Takimi ka startuar i shpejtë, ku të dyja skuadrat zhvillojnë një lojë të fortë në mesin e fushës. Beratasit duken krejtësisht ndryshe nga një javë më parë, teksa lëvizin mirë duke mos i lejuar vendësit t’i afrohen portës së mbrojtur nga Naço, deri në minutën e 21-të, kur Emurllai humbet mundësinë për ta kaluar ekipin e tij në avantazh. Nuk vonon një minutë dhe Hoti shfrytëzon më së miri një kros të hedhur në zonë nga Sefgjini, duke e prekur pak fare topin që përfundon në rrjetë. Pas pësimit të golit, beratasit hidhen në kërkim të golit të barazimit dhe e gjejnë atë në minutën e 43-të, ku Mile shfrytëzon mirë një pasim nga prapavija dhe barazon shifrat.
Pjesa e dytë Me startin e pjesës së dytë të takimit, Shehu dhe Muzhaj bëjnë ndryshimet e rastit në lojën e ekipeve të tyre. Vendësit nuk pajtohen me barazimin dhe vetëm tri minuta nga starti i së dytës dhe Shazivari i sapofutur në fushë arrin të realizojë golin e avantazhit. Më pas është radha e kapitenit Vucaj të provojë shijen e golit në këtë sfidë kur, pasi merr një pasim të artë nga Hoti, shmang një nga mbrojtësit miq e më pas Naçon, duke shënuar me portën e boshatisur. Beratasit duken se nuk janë dorëzuar, teksa mund të kishin shënuar me anë të Muzhajt e Isufit, por Vashaku është vendimtar me pritjet e tij. Në minutën e 74-t Doku shkakton 11-metërsh, pas një ndërhyrjeje të gabuar ndaj një prej sulmuesve miq. Arbri nga pika e bardhë nuk gabon dhe e ngushton rezultatin në 3-2. Por duket se te laçianët është dita e mesfushorit shkodran, Erion Hoti, i cili shënon golin e katërt për bardhezinjtë, duke shuar shpresat e miqve për një pikë në këtë sfidë. Dy minuta nga përfundimi i takimit Shinko shënon një gol, i cili vlen vetëm për statistikë, pasi kurbinasit kanë hipotekuar fitoren dhe tashmë mendojnë për ndeshjen e radhës në kampionat.

MË I MIRI
Mesfushori shkodran Erjon Hoti ka qenë një nga lojtarët më të mirë në fushën e blertë gjatë ndeshjes së djeshme ndaj Tomorit. Përveçse ka shënuar një dopietë, Hoti ka ndërtuar shumë sulme të laçianëve, madje duke qenë protagonist edhe në realizimin e dy golave të tjerë të kurbinasve.

MË PAK AKTIVI
Mbrojtja e Tomorit ka qenë në një ditë aspak të mirë në ndeshjen e djeshme. Mbrojtësit beratas linin shumë hapësira prapa, duke u dhënë kështu mundësinë mesfushorëve dhe sulmuesve kurbinas që të ishin më shpesh përpara portës kundërshtare dhe të shënonin gola, plot katër të tillë.

Shehu: Tani të mendojmë për transfertën në Peqin
Trajneri i laçianëve, Ramadan Shehu, dukej mjaft i lumtur pas përfundimit të takimit, për të cilin tha se ekipi i tij u shpërblye në bazë të punës që ka bërë në stërvitje. “Realizuam objektivin e vendosur, që ishin tri pikët. Tashmë i hedhim sytë nga sfida në Peqin, ku na pret një ndeshje e vështirë. Kam punuar atje më parë dhe është një qytet që jeton me futbollin e për çdo kundërshtar është e vështirë të fitojë në atë stadium. Gjithsesi, ne do të bëjmë maksimumin gjatë këtyre dy ditëve që ta përgatitim sa më mirë ndeshjen. Për sa i përket Tomorit, më vjen keq që ndodhet në atë pozicion në tabelën e renditjes. Në këto dy takime të zhvilluara ndaj tyre kam parë një ekip që luan mjaft mirë futboll e që për mendimin tim meriton më shumë”, – ka përfunduar prononcimin e tij për mediat trajneri i kurbinasve.

Hoti, dy gola me dedikim
“Jam shumë i lumtur për këtë fitore të arritur e normalisht edhe për golat e shënuar. E rëndësishme për mua është që arritëm të fitojmë. Tashmë më duhet të punoj fort që të jem pjesë e formacionit, pasi konkurrenca në ekip është mjaft e madhe. Dua që dy golat që shënova t’ia dedikoj mbesës sime, Gisel”, – është shprehur mjaft i emocionuar pas takimit të djeshëm mesfushori Erjon Hoti, i cili realizoi dy gola.

Dominim i bardhezinjve
Tomori dhe Laçi janë përballur edhe më parë gjatë javës së fundit, pasi janë ndeshur për Kupën e Shqipërisë. Edhe në këtë duel, kurbinasit kanë dalë fitues duke eliminuar nga ky kompeticion beratasit. Megjithatë duelet e shkuara mes dy skuadrave nuk kanë prodhuar kaq shumë gola dhe ndeshje si ajo e djeshmja në stadiumin e Laçit.
VLADIMIR PRENGA

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions