Një “Miss” në kryesinë e Federatës së Gjimnastikës

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Një "Miss" në kryesinë e Federatës së Gjimnastikës
Nov 11th 2012, 08:41

Valbona Selimllari është anëtarja më e re e kryesisë së Federatës Shqiptare të Gjimnastikës. Ish-Mis Shqipëria e parë në vendin tonë, me një të shkuar të hershme qysh në fëmijëri të lidhur me gjimnastikën, është zgjedhur dje me vota unanime nga komuniteti i gjimnastikës në bordin drejtues të kësaj federate. Dje gjimnastika zhvilloi asamblenë zgjedhore (kusht pas Lojërave Olimpike), ku morën pjesë të gjithë anëtarët dhe shoqatat e federuara nën këtë federatë, ku mori pjesë në rolin e të ftuarit edhe sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z.Murat Mehmeti. Ky i fundit e përshëndeti asamblenë në emër të ministrit Aldo Bumçi dhe premtoi mbështetje më të madhe karshi gjimnastikës për të ardhmen e afërt. Dy problemet kryesore që u diskutuan në asamble ishin ndërtimi sa më shpejt i një palestre moderne, si dhe masivizimi i këtij sporti edhe në shkolla, ku të paktën në qytetet kryesore nuk mungojnë palestrat dhe ku mund të ushtrohet ky sport edhe më gjerë. Nga ana e tij, sekretari i MTKRS-së premtoi se do të shikohet mundësia që Gjimnastika të kalonte te kompleksi “Dinamo”, i cili prej gati dy vitesh tashmë është nën administrimin e Agjencisë së Sporteve. Ndërkohë, dje u zgjodh edhe presidenti i kësaj federate, për postin e të cilin ishte vetëm një kandidaturë, ajo e kreut aktual, Leonard Lulaj. Ky i fundit mori votat unanime të anëtarëve votues të kësaj federate, si dhe u shpreh se edhe për këtë katërvjeçar do të bëjë të pamundurën për ta ngritur sa më lart këtë sport, të harruar paksa pas viteve ’90-të. Më pas u vazhdua me zgjedhjen e kryesisë së re, ku për 6 poste kandidonin 8 persona nga anëtarësia e kësaj federate. Pas votimit në kryesi u zgjodhën: Adriatik Meta, Enkelejda Olldashi, Valbona Selimllari, Polikseni Gorishti, Artan Agalliu dhe Beniamin Naku. Në përfundim, sekretarja Fatbardha Shtrepi falënderoi pjesëmarrësit, si dhe të ftuarit duke paraqitur sakaq edhe platformën e federatës për katër vitet e ardhshme.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions