Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Nov 30th 2012, 12:00

Analiza e detajuar e kompanisë lider në botë për bastet. “Sportradar”: Shqipëria, “kampione” për trukimin e ndeshjeve. Shqipëria cilësohet si vendi me futbollin më të korruptuar në Europë. Italia e dyta. Tri vitet e fundit ka lulëzuar trukimi në vendin tonë.

Shqipëria është “kampione” për trukimin e ndeshjeve. Askush nuk do ta donte që një gjë e tillë të thuhej për futbollin tonë, por faktet janë kokëfortë dhe, për më tepër, kur vijnë nga një kompani lider në botë për analizat dhe hulumtimet në shitjen e ndeshjeve, sikundër është “Sportradar”. Nëpunësit e kësaj të fundit e kanë vendosur futbollin shqiptar në krye të listës për sa i përket kontinentit evropian por, më shumë se sa për topkëmbën tonë, ata janë ndalur tek ai i vendit fqinj: Italisë. Në fakt, kjo e fundit është direkt pas nesh në listë, çka tregon për korrupsionin që ka pllakosur edhe njërin nga kampionatet më të dashura (të paktën për ne shqiptarët) në botë. Kompania ka bërë analiza të hollësishme të një numri të madh të ndeshjeve të kampionatit shqiptar, kryesisht në dy vitet e fundit, duke arritur në një konkluzion të frikshëm: jemi të parët për korrupsion dhe manipulim të rezultateve të ndeshjeve në futboll. Por, kush është “Sportradar” dhe pse duhet besuar kjo kompani? “Sportradar” ka si qëllim primar dhe objekt për të cilin është krijuar, hulumtimin dhe analizat e të gjitha kampionateve në Europë, duke u bazuar më së shumti te problematika të tilla si shitja, apo trukimi i ndeshjeve. “Sportradar” ofron të dhëna të sakta dhe të kompletuara mbi një seri ndeshjesh, duke mbledhur informacione dhe duke i vënë këtë të fundit në shërbim të federatave të ndryshme. Kompania analizon nëpërmjet “Betradar” dhe “Scoreradar” një seri ndeshjesh, duke u nisur më së pari nga mënyra sesi kuotohet dhe sesi vendosen baste për takime nga më të ndryshmet (jo vetëm në futboll, por edhe në shumë sporte të tjera). Ndërkohë, “Sportradar” ka një marrëveshje me UEFA-n dhe Federatën Gjermane të Futbollit, të cilat i ka furnizuar me shumë dosje, mbi takime të konsideruara si të fiksuara. Themeluesi i kësaj kompanie është Karsten Koerl, ndërkohë që deri tani “Scoreradar” numëron më shumë sesa 400 klientë dhe mbi 30 kompani të fuqishme të lotarive sportive në 60 vende të ndryshme të botës dhe në pesë kontinente. Selia qendrore e kompanisë është në St.Gallen në Zvicër, por ajo ka edhe zyra përfaqësimi në Trondeim, Oslo, Stokholm, Londër, Paris, Mynih, Bremen, Linz, Vjenë, Zlin, Ljubljanë, Talin, Moskë, Durban dhe Hong Kong. Për këtë kompani punojnë më shumë sesa 500 persona, teksa një numër mbi 70 kanalesh televizive në botë gjejnë referim dhe besueshmëri, pikërisht tek analizat dhe hulumtimet e “Sportradar”.

Rekord, 97 ndeshje të manipuluara
Brenda një periudhe prej dy vitesh e gjysmë, në Shqipëri dyshohet se janë manipuluar 97 ndeshje futbolli, përfshi kampionat dhe kupë. Kjo e vendos vendin tonë të parin në listën e zezë të shteteve me më shumë ndeshje të dyshuara si të trukuara. Shqipëria ka lënë pas edhe vende si Moldavia, Bullgaria, Maqedonia dhe Estonia.
Njoftimet Sipas “Sportradar”, një kompani lider në botë për monitorimin e basteve dhe të shumave të luajtura për ndeshjet në shumë sporte të ndryshme, rezulton se që nga qershori i vitit 2009 dhe deri tani i ka cilësuar si të dyshimta 97 ndeshje të luajtura në Shqipëri në futbollin profesionist. Sipas saj, këto ndeshje mund të jenë manipuluar për qëllime përfitimi financiar dhe gjithçka ka ndodhur gjatë 30 muajve të fundit.
Klasifikimet Shqipëria renditet e para në listën e zezë me 97 ndeshje. Pas saj vjen vendi fqinj, Italia, me 70 ndeshje të dyshuara si të manipuluara, ku 20 prej tyre janë të Serisë A, 36 të serisë B dhe 14 në Lega Pro. Në vendin e tretë është Moldavia me 66 ndeshje të dyshuara, më pas Estonia me 46 ndeshje, Greqia me 45 ndeshje, Rusia 42 ndeshje, Maqedonia 37 ndeshje, Bullgaria 35 ndeshje, Letonia dhe Estonia me 31 ndeshje. Sipas “Sportradar”, vendi me futbollin më të pastër në Europë konsiderohet Belgjika, me vetëm një ndeshje të dyshuar, që i paraprin Holandës dhe Francës me vetëm dy ndeshje të dyshuara.
Përqindja Në total janë monitoruar 143 472 ndeshje në Europë, ku përfshihen 596 kampionate dhe turne të ndryshëm. Nga rezultatet e deritanishme, sipas “Sportradar”, 798 ndeshje dyshohen si të trukuara ose, e thënë ndryshe, 0.56 % e ndeshjeve në Europë janë të manipuluara. Deri tani, UEFA ka dërguar disa herë raporte në Shqipëri për ndeshje të dyshuara fort se kanë qenë të paracaktuara, por as federata dhe as shteti shqiptar nuk kanë ndërmarrë ndonjë nismë, edhe pse ligji ekziston. Nuk ka pasur asnjë të dënuar apo të ndëshkuar nga organet e drejtësisë për manipulim të rezultateve, edhe pse mediat dhe opinioni sportiv kanë denoncuar me zë të lartë shumë raste të dyshimta. Në të gjitha rastet ka munguar një hetim i mirëfilltë dhe me rezultate të besueshme.

Presidenti Duka: Ka trukime futbolli shqiptar
Kreu i FSHF-së, Armand Duka, ka deklaruar para disa ditësh në emisionin “Sport debat” në “Ora News” se në futbollin shqiptar ka pasur dhe ka trukime. I pyetur nëse ka pasur më përpara dhe nëse ka ende trukime në futbollin shqiptar, kreu i FSHF-së u tregua i sinqertë, duke thënë se ka pasur dhe do të ketë. “Po, mendoj se ka pasur trukime dhe tolerime më parë dhe mendoj se ka edhe tani. Duhet të kemi parasysh se nuk mund të dënohet dikush apo një subjekt pa pasur fakte dhe kjo është shumë e vështirë. Ju siguroj se Komisioni i Etikës ka bërë një punë konstruktive dhe ka të drejtën të hetojë. Ka marrë disa vendime, që sot edhe mund të diskutohen (duke iu referuar revokimit të ‘Këpucës së Artë’ në sezonin e shkuar), por ama e rëndësishme është se ato kanë pasur tendencën për mirë. Unë u kam kërkuar anëtarëve të komisioneve juridike që të bëhen burra dhe të më thonë që X apo Y ndeshje është e trukuar dhe menjëherë do të veprojmë. Nga ana ime si president kanë pasur dhe do të kenë gjithnjë mbështetje të pakufishme, por duhet të jenë ata me tagrin që kanë si anëtarë të Komisionit të Etikës, që një ndeshje është e trukuar”, – pohoi presidenti i FSHFsë. Kujtojmë se kjo ishte hera e parë kur kreu i federatës sonë e ka pohuar qartazi dhe pa asnjë ekuivok për ekzistencën e trukimeve në futbollin shqiptar, pavarësisht se në media denoncimet kanë qenë të herëpashershme.

Kur UEFA bëri “shkesin” për Prokurori-FSHF
Në maj të këtij viti, në Tiranë, mbërriti zyrtari i Departamentit për Luftën Kundër Trukimit të Rezultateve në UEFA, Pier Kornu. Fillimisht zyrtari i qeverisë evropiane të futbollit u takua me zyrtarë të FSHF-së dhe më pas pati edhe një takim në Prokurorinë e Përgjithshme. Ai bëri një lloj ndërmjetësi mes këtij institucioni dhe FSHF-së për nënshkrimin e një marrëveshjeje, falë së cilës futet tashmë në lojë edhe organi i hetimit në vendin tonë që, deri tani, ka qëndruar krejt indiferent. UEFA shprehu haptazi shqetësimin rreth dyshimeve për mundësitë e trukimit të ndeshjeve të futbollit në Shqipëri, si dhe vendosja e kontakteve të bashkëpunimit në këtë drejtim. Përfaqësuesi i UEFA-s kërkoi mbështetjen e Prokurorisë shqiptare, si dhe përfshirjen e strukturave të tjera shtetërore të hetimit, për ta vlerësuar seriozisht këtë shqetësim. Nga ana e përfaqësuesve të Prokurorisë shqiptare u theksua se institucioni i akuzës do të japë mbështetje të plotë dhe bashkëpunim për ta luftuar këtë fenomen negativ, por fakt është se deri tani nuk është bërë asgjë.

Sa histori trukimesh, por ende asnjë i dënuar
Futbolli shqiptar gëlon nga histori të jashtëzakonshme trukimesh ndeshjesh në ditën për diell por, deri tani, edhe pse që nga federata dhe deri te personi më pak i interesuar ndaj futbollit e ka ditur sesi shkojnë gjërat në topkëmbën tonë, përsëri nuk kemi pasur asnjë të dënuar. Kujtoni vitet 2000, kur UEFA nisi hetimin ndaj Dinamos dhe Partizanit në Kupat e Europës. Kujtoni deklaratat e bujshme në media për trukim të ish-presidentit të Partizanit, Albert Xhani. Kujtoni iniciativën e Ministrisë pas humbjes së kombëtares në Rumani 6-1 dhe dyshimet që vetë ishtrajneri Oto Bariç hodhi për atë takim. Kujtoni rastet e pafundme të denoncuara nga mediat, por jo vetëm, edhe nga vetë lojtarët dhe presidentët si në rastin e Lushnjës, apo edhe të Apolonisë. Kujtoni relacionin e të përditshmes italiane “La Stampa”, në të cilën shkruhej për Dinamo-Brondbi 0-4, Dinamo-Lokeren 0-4, Vllaznia-Dandi 0-2, Ekranas-Elbasani 3-0, Bezhanija-Besa 2-2, Besa-Liteks 0-3 dhe Slaven Belupo-Teuta 6-2, sipas saj të gjitha të trukuara. Kujtoni dosjen e publikuar nga “Top Channel”, për një raport konfidencial të UEFA-s sa u përket shitjeve të ndeshjeve dhe manipulimit të rezultatit në kampionatin tonë. Sistemi i sofistikuar i UEFA-s, i quajtur Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve (BFTS), kishte sinjalizuar FSHF-në për të paktën 12 ndeshje të sezonit 2010-2011 si 100 për qind të trukuara. Madje, në raport thuhej se 5 nga 6 ndeshje të javës së 29-të të Kategorisë Superiore kishin qenë të trukuara dhe vetëm ndeshja Vllaznia- Tirana i kishte shpëtuar trukimit. Sakaq, në raport flitej me detaje se çfarë kishte ndodhur, ku përmendeshin edhe emrat e gjyqtarëve, Janku, Pregja dhe Avdo. Pas këtij raporti, UEFA solli edhe të paktën tri dosje të tjera, ku më e fundit konsideronte si të trukuar ndeshjen e javës së parë të këtij kampionati mes Vllaznisë së Shkodrës dhe Skënderbeut, fituar nga korçarët me rezultatin 3-1. Pa harruar ndeshjet e Vllaznisë dhe Tiranës në Ligën e Europës, të cilat janë zyrtarisht ende nën hetim.

Dënim 7 vjet burg për trukimet
“Paracaktimi i rezultateve në garat sportive përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 2 vjet burgim. Po kjo vepër, kur kryhet me qëllim përfitimi pasuror, dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet dhe gjobë nga 100 mijë lekë deri në tre milionë lekë”. Kështu thuhet në ligjin kundër trukimeve, i cili u miratua në Parlament para tri viteve, pas iniciativës për një futboll “me këmbë të pastra”, i cili synoi rishikimin e ligjit për të frenuar fenomene, si trukime, shitje apo fiksime të rezultateve.
LEONARD KARAJ

 

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions