Klubet: Të hiqen ndeshjet nga bastet. Bizhdili: Trukimet i di më mirë Duka

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Klubet: Të hiqen ndeshjet nga bastet. Bizhdili: Trukimet i di më mirë Duka
Dec 1st 2012, 12:35

Drejtuesit e klubeve të Kategorisë Superiore dhe asaj të Parë kanë reaguar dje pas raportit tronditës së kompanisë lider për baste në botë, "Sport Radar". Kjo e fundit e rendiste kampionatin shqiptar si më të trukuarin në Europë. Në një bisedë për "Panorama Sport", ndër të tjera, krerët e klubit të Tiranës dhe Elbasanit shikojnë si zgjidhje të vetme të këtij fenomeni heqjen e ndeshjeve të kampionatit shqiptar nga bastet. Përfaqësues të tjerë të klubeve nuk ngurrojnë të flasin me rezerva ndaj FSHF-së që, sipas tyre, nuk ka bërë atë që duhet në këtë situatë. Ka edhe drejtues klubesh, të cilët akuzojnë arbitrat. "Për mua zgjidhja e vetme do të ishte heqja e kuotimeve të basteve për kampionatin tonë, qoftë për Superioren, ashtu edhe për Kategorinë e Parë. Të paktën për 3 vite, sa situata të qetësohet dhe të vijë në normalitet. Për mua ky do të ishte shpëtimi i vetëm. Kjo ndoshta nuk do të përtypet mirë nga kompanitë, pasi mund të kenë deficite, por vetëm kjo do të ishte në të mirë të futbollit. Besoj se shumë futbollistë, trajnerë, drejtues dhe investitorë po derdhin parà dhe mund, për të parë futboll të pastër dhe ky skandal na hedh poshtë punën", – ka thënë administratori i Tiranës, Salih Tagani. Në një linjë është edhe kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini. "Mendoj se gjëja e parë që duhet bërë për të parandaluar trukimin e ndeshjeve, është që kompanitë e basteve të mos i kuotojnë më takimet që luhen në Shqipëri. FSHF duhet të lajmërojë edhe FIFA-n dhe UEFA-n dhe ndeshjet e kampionateve shqiptare për një farë kohe as në kompanitë tona dhe as në ato të huaja të mos kuotohen. Bastet po e shkatërrojnë futbollin tonë. Kjo është masa paraprake për ta ndalur më tej degradimin. Më pas, sigurisht që duhet të ndërhyjnë instancat shtetërore, pasi ka një ligj për trukimin e ndeshjeve dhe fajtorët duhet të dënohen", – deklaroi ai.
Skënderbeu – Sekretari i klubit korçar, Ilirjan Përmeti, deklaroi: "Këto janë aludime që vijnë nga bastet, të cilat nuk kanë argumente. Kompanitë e basteve kanë interesat e tyre dhe shpesh hapin fjalë për ndeshje të ndryshme sikur kanë qenë të trukuara, mirëpo në fund nuk del asnjë fakt. Këto hamendësime dëmtojnë realisht imazhin e klubeve. Si mund të zgjidhet kjo? Të ngrihen struktura serioze enkas për çështjen e trukimeve".
Flamurtari -
"Nuk jemi ne në gjendje të gjykojmë, por ata që janë marrë me këtë çështje e dinë më mirë dhe duhet të kenë fakte. Një gjë mund t'ju them me siguri, se ne si klub nuk jemi bërë pjesë e këtyre trukimeve. Nëse do të ishim bërë pjesë e pazareve, atëherë do të dilnim dhe një herë kampionë, të paktën në këto tre vitet e fundit", – ka thënë drejtori teknik i vlonjatëve, Ardi Behari.
Vllaznia -
"Është një turp i madh për kampionatin tonë, që në një periudhë prej dy vitesh e gjysmë të ketë kaq shumë ndeshje të trukuara. I bie që në një vit të jenë trukuar afro 39 takime. Për mendimin tim, ajo që duhet ndryshuar urgjentisht është arbitrimi, i cili lë shumë për të dëshiruar. Arbitrat duhet të përgjigjen edhe penalisht për gjykimet e dobëta, por edhe të pezullohen përgjithmonë nga gjykimi. Gjithashtu, FSHF duhet të jetë e ashpër ndaj lojtarëve dhe klubeve. Të marrin masat e përjashtimit përgjithmonë të lojtarëve, por edhe masat ekstreme për klubet", – deklaroi administratori i Vllaznisë, Fatos Gjyrezi.
Besa – "
Trukimet më mirë se kushdo i di Armando Duka dhe drejtuesit e tjerë të FSHF-së. Ne paguajmë miliona që të argëtojmë tifozët. Nuk akuzojmë askënd dhe s'kemi asnjë fakt. Më mirë duhet pyetur Duka për këtë çështje. Organet kompetente duhet të ndërhyjnë", – tha presidenti i Besës, Nezhat Bizhdili.
Kukësi - "Mendoj se konkluzione të tilla nuk janë fort të besueshme. Fenomeni është i pranishëm dhe nuk diskutohet, por mendoj se duhen organizma të posaçëm që t'i parandalojnë dhe të ndëshkojnë rreptësishtë trukimet, që po i humbin bukurinë dhe origjinalitetin lojës më të përhapur në botë. Ligjet duhet të jenë më të ashpra", – u shpreh presidenti i Kukësit, Safet Gjici.
Kastrioti -
"Shumë është përfolur për trukime, madje edhe për Kastriotin në rastin e ndeshjes me Vllaznisë, por nuk janë gjetur fakte. Uroj që të mbyllet sa më shpejt kjo histori. Këto nuk i bëjnë mirë futbollit", – tha presidenti i Kastriotit, Artan Djala.
Luftëtari - "Përderisa nuk kemi argumente konkrete, nuk mund të themi asgjë. Luftëtari nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e këtyre fenomeneve. Kështu vetëm i prishet imazhi futbollit shqiptar. Duhet të ndërhyjnë organet kompetente", – ka thënë dje sekretari i klubit gjirokastrit, Besim Brahimi.
Apolonia - "Është për të ardhur keq që futbolli ynë gjendet në vendin e parë për ndeshjet e trukuara. Pak a shumë shifra e përmendur i afrohet realitetit, pasi këto gjëra kanë ndodhur. Megjithëse trukimet janë të pranishme, përsëri mendoj se është e vështirë për t'i provuar ato. Komisionet e FSHFsë duhet të bëjnë më shumë", – tha sekretari i klubit fierak, Kamber Memolla.
Shkumbini –
"Është shumë e rëndë që jemi në vend të parë në Europë. FSHF ka ngritur Komisionin e Etikës, i cili duhet të jetë hallka e parë për t'iu kundërvënë këtij fenomeni. Edhe Parlamenti ka miratuar një ligj, por FSHF duhet të bëjë punën që i takon", – deklaroi shefi i klubit peqinas, Astrit Isaji. Tomori – "Nuk mendoj se është e vërtetë ajo që flitet, përderisa nuk ka argumente. Rruga e zgjidhjes është vetëm një: të merren masa ndaj arbitrave, sepse ata ndikojnë shumë. Janë bërë vërtet grup. Duhet të ndërhyjë drejtësia dhe FSHF të jetë më e ashpër me arbitrat", – deklaroi shefi i klubit beratas, Polizoi Kuqo.
Lushnja -
"Duhet të ndërhyjë urgjentisht sistemi i drejtësisë, duke nisur që nga Prokuroria. Ligji ekziston dhe duhet të zbatohet. Këtu, megjithëse zhvillohen kampionate profesioniste, duket sikur luajnë ekipe shkollash. Mendoj se duhet të hetohen edhe arbitrat", – tha kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe.
Besëlidhja – "
Mendoj se presidentët e ekipeve të Superiores mund të japin një mendim më të qartë. Nëse do të ishte edhe Besëlidhja pjesë e Superiores, do të shprehja edhe unë mendimin tim", – tha shkurtimisht kreu i klubit lezhjan, Gjok Noka.
Dinamo -
"Mendoj se situata është dramatizuar. Kam besimin se nuk është ashtu siç shkruhet dhe pasqyrohet. Megjithatë, nëse ka fakte dhe argumente, instancat përkatëse të ndërhyjnë dhe të marrin masa", – ka thënë administratori i klubit, Ismet Saliaj.
Tërbuni - "Kushdo qoftë që ka pushtet dhe e lejon ligji që të ketë vendimmarrje në lidhje më këtë çështje, duhet të ndërhyjë sa më shpejt. Është e turpshme që futbolli shqiptar është i pari në Europë për trukime", – tha donatori i pukjanëve, Petrit Syla.

Reagon FSHF-ja: Duam hetim të thelluar nga Etika
Federata Shqiptare e Futbollit, duke u nisur nga një informacion i bërë publik në media, i cili nuk është i panjohur dhe që ka të bëjë me dyshimet e Kompanive të Basteve Ndërkombëtare mbi trukimet e ndeshjeve të futbollit në kampionatet shqiptare, ka shprehur qëndrimin e saj zyrtar nëpërmjet një komunikate për shtyp. "FSHF është distancuar kurdoherë me forcë dhe ka marrë masa përballë dyshimit rreth trukimit apo fiksimit të rezultateve në ndeshjet e futbollit të kampionateve shqiptare. Menjëherë pas shfaqjes së këtij fenomeni, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë ndryshimet e nevojshme në statut, propozoi Kodin e Etikës që u aprovuan nga Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së, e cila zgjodhi dhe emëroi Komisionin e Etikës. Ky komision, i cili vepron në mënyrë të pavarur, heton, mbledh fakte, argumente dhe shpjegime mbi të cilat rrjedh vendimmarrja. Për të qenë sa më konkretë dhe sa më pranë strukturave të UEFA-s, Federata Shqiptare e Futbollit emëroi oficer-specialistin e integritetit, i cili pret raportet e ardhura nga UEFA dhe bën koordinimin e tyre me Komisionin e Etikës. Nëpërmjet miratimit në Asamblenë e Përgjithshme FSHF-ja zgjeroi nga 2 në 6 numrin e Inspektorëve të Disiplinës, të cilët në mënyrë profesionale e të pavarur punojnë në terren për të mbledhur sa më shumë fakte dhe informacione, që ia paraqesin Komisionit të Etikes. Mbërritur në këto koordinata dhe e ballafaquar me këtë situatë, FSHF-ja kërkon nga Komisioni i Etikës një hetim të thellë, gjykim të ftohtë e të paanshëm dhe vërtetimin sa më shpejt të dyshimeve që ngrenë Kompanitë e Basteve Ndërkombëtare. Federata Shqiptare e Futbollit është e vetmja në Europë që Raportet e mbërritura në zyrat e saj i ka bërë publike në kanalet televizive Kombëtare të Shqipërisë, duke i paraqitur ato realisht dhe nën komentin e sekretarit të Përgjithshëm. Brenda të gjitha kërkesave, rregullave dhe ligjeve aktuale në vendin tonë, Federata Shqiptare e Futbollit ka dorëzuar për hetim ligjor disa raste të dyshuara për trukim në Organin e Prokurorisë. Krahas të gjitha këtyre masave, të cilat konsistojnë në planin organizativ, etik, profesional e ligjor, Federata Shqiptare e Futbollit është e vendosur të mos e ndalojë asnjëherë luftën kundër këtij fenomeni, i cili për fat të keq është përhapur kudo në Europë e në botë. Për të qenë kjo luftë sa më e saktë, e shpejtë dhe efikase, FSHF-ja shtrin dorën e bashkëpunimit dhe mirëpret këdo shoqatë, media, institucion shoqëror e ligjor, forum apo individ, të bëhet pjesë e këtij fronti për të mirën e futbollit në Shqipëri", – thuhej në deklaratën e FSHF-së.

Shqipëria ka kampionatin më të trukuar në Europë

Analiza e detajuar e kompanisë lider në botë për bastet. “Sportradar”: Shqipëria, “kampione” për trukimin e ndeshjeve. Shqipëria cilësohet si vendi me futbollin më të korruptuar në Europë. Italia e dyta. Tri vitet e fundit ka lulëzuar trukimi në vendin tonë.

Shqipëria është “kampione” për trukimin e ndeshjeve. Askush nuk do ta donte që një gjë e tillë të thuhej për futbollin tonë, por faktet janë kokëfortë dhe, për më tepër, kur vijnë nga një kompani lider në botë për analizat dhe hulumtimet në shitjen e ndeshjeve, sikundër është “Sportradar”. Nëpunësit e kësaj të fundit e kanë vendosur futbollin shqiptar në krye të listës për sa i përket kontinentit evropian por, më shumë se sa për topkëmbën tonë, ata janë ndalur tek ai i vendit fqinj: Italisë. Në fakt, kjo e fundit është direkt pas nesh në listë, çka tregon për korrupsionin që ka pllakosur edhe njërin nga kampionatet më të dashura (të paktën për ne shqiptarët) në botë. Kompania ka bërë analiza të hollësishme të një numri të madh të ndeshjeve të kampionatit shqiptar, kryesisht në dy vitet e fundit, duke arritur në një konkluzion të frikshëm: jemi të parët për korrupsion dhe manipulim të rezultateve të ndeshjeve në futboll. Por, kush është “Sportradar” dhe pse duhet besuar kjo kompani? “Sportradar” ka si qëllim primar dhe objekt për të cilin është krijuar, hulumtimin dhe analizat e të gjitha kampionateve në Europë, duke u bazuar më së shumti te problematika të tilla si shitja, apo trukimi i ndeshjeve. “Sportradar” ofron të dhëna të sakta dhe të kompletuara mbi një seri ndeshjesh, duke mbledhur informacione dhe duke i vënë këtë të fundit në shërbim të federatave të ndryshme. Kompania analizon nëpërmjet “Betradar” dhe “Scoreradar” një seri ndeshjesh, duke u nisur më së pari nga mënyra sesi kuotohet dhe sesi vendosen baste për takime nga më të ndryshmet (jo vetëm në futboll, por edhe në shumë sporte të tjera). Ndërkohë, “Sportradar” ka një marrëveshje me UEFA-n dhe Federatën Gjermane të Futbollit, të cilat i ka furnizuar me shumë dosje, mbi takime të konsideruara si të fiksuara. Themeluesi i kësaj kompanie është Karsten Koerl, ndërkohë që deri tani “Scoreradar” numëron më shumë sesa 400 klientë dhe mbi 30 kompani të fuqishme të lotarive sportive në 60 vende të ndryshme të botës dhe në pesë kontinente. Selia qendrore e kompanisë është në St.Gallen në Zvicër, por ajo ka edhe zyra përfaqësimi në Trondeim, Oslo, Stokholm, Londër, Paris, Mynih, Bremen, Linz, Vjenë, Zlin, Ljubljanë, Talin, Moskë, Durban dhe Hong Kong. Për këtë kompani punojnë më shumë sesa 500 persona, teksa një numër mbi 70 kanalesh televizive në botë gjejnë referim dhe besueshmëri, pikërisht tek analizat dhe hulumtimet e “Sportradar”.

Rekord, 97 ndeshje të manipuluara
Brenda një periudhe prej dy vitesh e gjysmë, në Shqipëri dyshohet se janë manipuluar 97 ndeshje futbolli, përfshi kampionat dhe kupë. Kjo e vendos vendin tonë të parin në listën e zezë të shteteve me më shumë ndeshje të dyshuara si të trukuara. Shqipëria ka lënë pas edhe vende si Moldavia, Bullgaria, Maqedonia dhe Estonia.
Njoftimet Sipas “Sportradar”, një kompani lider në botë për monitorimin e basteve dhe të shumave të luajtura për ndeshjet në shumë sporte të ndryshme, rezulton se që nga qershori i vitit 2009 dhe deri tani i ka cilësuar si të dyshimta 97 ndeshje të luajtura në Shqipëri në futbollin profesionist. Sipas saj, këto ndeshje mund të jenë manipuluar për qëllime përfitimi financiar dhe gjithçka ka ndodhur gjatë 30 muajve të fundit.
Klasifikimet Shqipëria renditet e para në listën e zezë me 97 ndeshje. Pas saj vjen vendi fqinj, Italia, me 70 ndeshje të dyshuara si të manipuluara, ku 20 prej tyre janë të Serisë A, 36 të serisë B dhe 14 në Lega Pro. Në vendin e tretë është Moldavia me 66 ndeshje të dyshuara, më pas Estonia me 46 ndeshje, Greqia me 45 ndeshje, Rusia 42 ndeshje, Maqedonia 37 ndeshje, Bullgaria 35 ndeshje, Letonia dhe Estonia me 31 ndeshje. Sipas “Sportradar”, vendi me futbollin më të pastër në Europë konsiderohet Belgjika, me vetëm një ndeshje të dyshuar, që i paraprin Holandës dhe Francës me vetëm dy ndeshje të dyshuara.
Përqindja Në total janë monitoruar 143 472 ndeshje në Europë, ku përfshihen 596 kampionate dhe turne të ndryshëm. Nga rezultatet e deritanishme, sipas “Sportradar”, 798 ndeshje dyshohen si të trukuara ose, e thënë ndryshe, 0.56 % e ndeshjeve në Europë janë të manipuluara. Deri tani, UEFA ka dërguar disa herë raporte në Shqipëri për ndeshje të dyshuara fort se kanë qenë të paracaktuara, por as federata dhe as shteti shqiptar nuk kanë ndërmarrë ndonjë nismë, edhe pse ligji ekziston. Nuk ka pasur asnjë të dënuar apo të ndëshkuar nga organet e drejtësisë për manipulim të rezultateve, edhe pse mediat dhe opinioni sportiv kanë denoncuar me zë të lartë shumë raste të dyshimta. Në të gjitha rastet ka munguar një hetim i mirëfilltë dhe me rezultate të besueshme.

Presidenti Duka: Ka trukime futbolli shqiptar
Kreu i FSHF-së, Armand Duka, ka deklaruar para disa ditësh në emisionin “Sport debat” në “Ora News” se në futbollin shqiptar ka pasur dhe ka trukime. I pyetur nëse ka pasur më përpara dhe nëse ka ende trukime në futbollin shqiptar, kreu i FSHF-së u tregua i sinqertë, duke thënë se ka pasur dhe do të ketë. “Po, mendoj se ka pasur trukime dhe tolerime më parë dhe mendoj se ka edhe tani. Duhet të kemi parasysh se nuk mund të dënohet dikush apo një subjekt pa pasur fakte dhe kjo është shumë e vështirë. Ju siguroj se Komisioni i Etikës ka bërë një punë konstruktive dhe ka të drejtën të hetojë. Ka marrë disa vendime, që sot edhe mund të diskutohen (duke iu referuar revokimit të ‘Këpucës së Artë’ në sezonin e shkuar), por ama e rëndësishme është se ato kanë pasur tendencën për mirë. Unë u kam kërkuar anëtarëve të komisioneve juridike që të bëhen burra dhe të më thonë që X apo Y ndeshje është e trukuar dhe menjëherë do të veprojmë. Nga ana ime si president kanë pasur dhe do të kenë gjithnjë mbështetje të pakufishme, por duhet të jenë ata me tagrin që kanë si anëtarë të Komisionit të Etikës, që një ndeshje është e trukuar”, – pohoi presidenti i FSHFsë. Kujtojmë se kjo ishte hera e parë kur kreu i federatës sonë e ka pohuar qartazi dhe pa asnjë ekuivok për ekzistencën e trukimeve në futbollin shqiptar, pavarësisht se në media denoncimet kanë qenë të herëpashershme.

Kur UEFA bëri “shkesin” për Prokurori-FSHF
Në maj të këtij viti, në Tiranë, mbërriti zyrtari i Departamentit për Luftën Kundër Trukimit të Rezultateve në UEFA, Pier Kornu. Fillimisht zyrtari i qeverisë evropiane të futbollit u takua me zyrtarë të FSHF-së dhe më pas pati edhe një takim në Prokurorinë e Përgjithshme. Ai bëri një lloj ndërmjetësi mes këtij institucioni dhe FSHF-së për nënshkrimin e një marrëveshjeje, falë së cilës futet tashmë në lojë edhe organi i hetimit në vendin tonë që, deri tani, ka qëndruar krejt indiferent. UEFA shprehu haptazi shqetësimin rreth dyshimeve për mundësitë e trukimit të ndeshjeve të futbollit në Shqipëri, si dhe vendosja e kontakteve të bashkëpunimit në këtë drejtim. Përfaqësuesi i UEFA-s kërkoi mbështetjen e Prokurorisë shqiptare, si dhe përfshirjen e strukturave të tjera shtetërore të hetimit, për ta vlerësuar seriozisht këtë shqetësim. Nga ana e përfaqësuesve të Prokurorisë shqiptare u theksua se institucioni i akuzës do të japë mbështetje të plotë dhe bashkëpunim për ta luftuar këtë fenomen negativ, por fakt është se deri tani nuk është bërë asgjë.

Sa histori trukimesh, por ende asnjë i dënuar
Futbolli shqiptar gëlon nga histori të jashtëzakonshme trukimesh ndeshjesh në ditën për diell por, deri tani, edhe pse që nga federata dhe deri te personi më pak i interesuar ndaj futbollit e ka ditur sesi shkojnë gjërat në topkëmbën tonë, përsëri nuk kemi pasur asnjë të dënuar. Kujtoni vitet 2000, kur UEFA nisi hetimin ndaj Dinamos dhe Partizanit në Kupat e Europës. Kujtoni deklaratat e bujshme në media për trukim të ish-presidentit të Partizanit, Albert Xhani. Kujtoni iniciativën e Ministrisë pas humbjes së kombëtares në Rumani 6-1 dhe dyshimet që vetë ishtrajneri Oto Bariç hodhi për atë takim. Kujtoni rastet e pafundme të denoncuara nga mediat, por jo vetëm, edhe nga vetë lojtarët dhe presidentët si në rastin e Lushnjës, apo edhe të Apolonisë. Kujtoni relacionin e të përditshmes italiane “La Stampa”, në të cilën shkruhej për Dinamo-Brondbi 0-4, Dinamo-Lokeren 0-4, Vllaznia-Dandi 0-2, Ekranas-Elbasani 3-0, Bezhanija-Besa 2-2, Besa-Liteks 0-3 dhe Slaven Belupo-Teuta 6-2, sipas saj të gjitha të trukuara. Kujtoni dosjen e publikuar nga “Top Channel”, për një raport konfidencial të UEFA-s sa u përket shitjeve të ndeshjeve dhe manipulimit të rezultatit në kampionatin tonë. Sistemi i sofistikuar i UEFA-s, i quajtur Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve (BFTS), kishte sinjalizuar FSHF-në për të paktën 12 ndeshje të sezonit 2010-2011 si 100 për qind të trukuara. Madje, në raport thuhej se 5 nga 6 ndeshje të javës së 29-të të Kategorisë Superiore kishin qenë të trukuara dhe vetëm ndeshja Vllaznia- Tirana i kishte shpëtuar trukimit. Sakaq, në raport flitej me detaje se çfarë kishte ndodhur, ku përmendeshin edhe emrat e gjyqtarëve, Janku, Pregja dhe Avdo. Pas këtij raporti, UEFA solli edhe të paktën tri dosje të tjera, ku më e fundit konsideronte si të trukuar ndeshjen e javës së parë të këtij kampionati mes Vllaznisë së Shkodrës dhe Skënderbeut, fituar nga korçarët me rezultatin 3-1. Pa harruar ndeshjet e Vllaznisë dhe Tiranës në Ligën e Europës, të cilat janë zyrtarisht ende nën hetim.

Dënim 7 vjet burg për trukimet
“Paracaktimi i rezultateve në garat sportive përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 2 vjet burgim. Po kjo vepër, kur kryhet me qëllim përfitimi pasuror, dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet dhe gjobë nga 100 mijë lekë deri në tre milionë lekë”. Kështu thuhet në ligjin kundër trukimeve, i cili u miratua në Parlament para tri viteve, pas iniciativës për një futboll “me këmbë të pastra”, i cili synoi rishikimin e ligjit për të frenuar fenomene, si trukime, shitje apo fiksime të rezultateve.
LEONARD KARAJ

 

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions