Pirlo: S’jemi në krizë, do të vuajmë ndaj Torinos

Panorama Sport
Gazeta Panorama Sport gazeta me e shitur sportive ne vend
Pirlo: S'jemi në krizë, do të vuajmë ndaj Torinos
Dec 1st 2012, 12:43

Andrea Pirlo po bën sezonin e dytë te Juventusi, por ai flet si një bardhezi i vjetër. Fantazisti më i mirë i Italisë tregon për situatën te “Zonja e Vjetër” dhe thekson se ekipi nuk është në krizë pas humbjes me Milanin. Gjithashtu ai shton se me shumë punë juventinët do të arrijnë që t’i realizojnë objektivat, ndërkohë që tregon dëshirën e tij: “Dua të kem tre yje në fanellën bardhezi”.
Nuk jemi në krizë - Alarm pas humbjes së dytë në kampionat? “S’e besoj. Kundër Interit dhe Milanit ne humbëm, pasi luajtëm më keq sesa kundërshtarët tanë dhe nuk hymë në fushë me të njëjtën uri si të vitit të kaluar. Ndaj, në fund rezultati na ndëshkoi, por nuk jemi në krizë. Edhe kjo do të na duhej…”.
Shahtjori - “Liga e Kampioneve të heqë shumë energji fizike dhe mendore. Pas triumfit me Çelsin dhe një paraqitjeje me shumë nervozizëm, ishte e kuptueshme që do ta pësonim. Nuk është e rastit që ne duhet të përshtatemi me të njëjtin ritëm si në kampionat, ashtu edhe në kupë. Këtë gjë duhet që ta arrijmë sa më shpejt, në mënyrë që në të ardhmen mos të kemi më probleme si ky i fundit. Në Champions unë mendoj se ne mund ta kalojmë turin. Në Donetsk ne do të bëjmë një ndeshje me intensitet të lartë, e ndiej këtë gjë”.
Polemikat - “Polemikat janë të rënda për t’u duruar, e pranoj. Të kthehesh të fitosh, do të thotë të kthehesh dhe t’i bezdisësh të tjerët. Pas ‘Calciopoli’-t, të gjithë imagjinojnë se ka diçka nga pas, pas sukseseve tona. Në realitet, e gjitha kjo është fryt i punës sonë dhe sakrificave. Megjithatë të vjen keq kur dëgjon kësi gjërash”.
Fanella - Më mirë ylli i tretë në fanellë, apo kampionati i tridhjetë në fushë? “Më mirë që në fanellë të jetë ylli i tretë. Ende nuk kam nisur të diskutoj për rinovimin e kontratës. Të shikojmë se si do të shkojnë gjërat, ndërsa tani shqetësimi im i vetëm është që të luaj. Kur të skadojë kontrata, unë do t’i vlerësoj gjërat. Sa u përket zërave që mund të largohem jashtë Italisë, unë kam edhe një vit e gjysmë kontratë. Të shikojmë…”. |
“Topi i Artë” - “Nuk ka ‘Top të Artë’ për mua, por jam dakord t’ua japin atyre më të zotë sesa unë, si Mesi, Kristiano Ronaldo dhe Iniesta. Shënojnë 80 gola në një sezon, edhe pse kënaqem vetëm me faktin se kandidohem. Gjithsesi, unë them se diçka të mirë në futboll e kam bërë: e konsideroj veten një lojtar të mirë”.
Gjendja - “Dukej në fushë se isha i lodhur? Fakti është që unë duhet të stërvitem. Vetëm kaq. Faktikisht, duke shfrytëzuar pushimin që erdhi si pasojë e skualifikimit, u stërvita dhe tani jam mirë. Jam gati të luaj gjithmonë, një ndeshje pas tjetrës. Mua më pëlqen të luaj dhe, nëse kënaqem, përse të heq dorë nga loja?!”.
Pogba - “Ai është i ashpër, i fortë fizikisht, i predispozuar që të çajë në zonën kundërshtare dhe të bëjë gola. Mua më kujton shumë Vieiranë. Poli është i ri dhe duhet që të përmirësohet akoma. Ai këtë gjë e di mirë”.
Pasardhësi - “Them se është Verrati, duke qenë se ka karakteristika të ngjashme me të miat dhe është shumë i zoti. Jepini kohën që të rritet dhe nëse gabon, lëreni të qetë. Te PSG-ja ka shfrytëzuar një mundësi shumë të mirë. Zgjedhje e duhur. Pastaj jeton në Paris, s’e di nëse më kuptoni…?”.
Derbi - “Mezi po pres që të luaj në derbi ndaj Torinos. Ne jemi përqendruar më shumë te gabimet e bëra në ‘San Siro’, por edhe takimin do ta diskutojmë me detaje. Të gjithë e presin me padurim. Torino do të na bëjë të vuajmë, është një ekip që prej një viti e gjysmë luan mirë dhe i ka krijuar vështirësi çdo kundërshtari”.
Krahasimi - Nëse Juvja luan më keq sesa sezoni i kaluar? “Jo! Realiteti është se njerëzit mësohen dhe duan të kenë gjithmonë e më shumë. Më dëgjoni mua. Ne po bëjmë më të mirën tonë, me përjashtim të dy pengesave që patëm ndaj skuadrave milaneze. Por e gjitha varet nga ne. Anti-Juvja është vetë Juventusi”.
Përgatiti: IRGIS HYSENAJ

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions