Ringrihet sporti i mundjes në Burrel

Sporti Shqiptar Online
Ringrihet sporti i mundjes në Burrel
Dec 2nd 2012, 14:26

Besnik Selita merr përsipër detyrën e trajnerit dhe të sponsorit të ekipit matjan

Nga LEONTINA  PASHA
Në qytetin e Burrelit po mendohet seriozisht edhe për sportin e mundjes, për ta rikthyer këtë sport në nivelet e dikurshme. Nismëtari i kësaj aventure është Besnik Selita, njëkohësisht trajner dhe sponsor i ekipit të mundjes në qytetin e Burrelit. Ai shprehet se në bashkëpunim me Bashkinë e Burrelit ka vendosur të investojë për t'i rritur emrin sportit të mundjes në qytetin verilindor. Selita, dikur ka qenë mundës i skuadrës matjane, ndërsa tani ka vënë në dispozicion palestrën e tij private, madje shpenzon parà për mbajtjen e ekipit në radhët e Federatës Shqiptare të Mundjes. "Unë, – thotë Selita, – kam vendosur të vijoj rrugën e nisur nga trajneri i parë i këtij sporti në qytetin e Burrelit, Osman Lika, i cili ditët e fundit u nderua nga Këshilli Bashkiak i Burrelit me titullin "Qytetar Nderi". Kam bashkëpunuar me kryetaren e Bashkisë, Adelina Farrici dhe jam i sigurt se do të kemi sukses në këtë sport. Aktualisht kam grumbulluar 15 sportistë të moshave të ndryshme, ku vlen të përmendet Rea Cani për të rritur dhe Bekim Selita për parashkollorët", – theksoi Besnik Selita.

Ky sport në qytetin e Burrelit nisi në vitet 80-të, ndërkohë që i dhanë tonin Demir Çupi, Fiqiri, Dylber Kola, Ylmi Meta, Besnik Selita e shumë të tjerë. Duke argumentuar pse ky sport pësoi rënie drastike Selita thotë se shumë nga elementët emigruan jashtë vendit, pushteti lokal nuk u interesua për të gjitha sportet, ndërkohë as specialistë të kësaj fushe nuk rrezikuan nga buxheti i tyre për rithemelimin e sportit të mundjes. "Jam i vendosur, – deklaroi sponsori dhe trajneri burrelas i mundjes, – të rikthej dhe të lartësoj këtë sport në qytetin e Burrelit. Madje unë dhe sportistët do të përpiqemi të arrijmë rezultate pozitive në aktivitetet kombëtare që zhvillon Federata Shqiptare e Mundjes. Kuptohet që kjo nuk është e lehtë, por me mund e djersë arrihet gjithçka", – pohoi Selita, i cili shpreson se do të ketë edhe mbështetjen e Bashkisë apo edhe të biznesmenëve të qytetit për zhvillimin e mundjes në rrethin e Matit.

 

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions