Banushi, djali që “vrapon” me 112 km në orë

Sporti Shqiptar Online
Banushi, djali që "vrapon" me 112 km në orë
Mar 11th 2013, 11:51

banushiOlsi Avdiaj

Intervistë me kampionin e Shqipërisë në çiklizëm, Besmir Banushi. Vlonjati që nisi notin dhe karatenë dhe për rastësi i hipi biçikletës dhe tani është sportisti më i mirë i vendit

Ai është një kampion i vërtetë në sport dhe jashtë tij. Dhe jo në një sport dosido, por në çiklizëm, në sportin më të vështirë pa asnjë dyshim në gjithë disiplinat sportive. i vogël, dhe i pjekur nga dielli, Besmir Banushi në një rrëfim ekskluziv për "Shekulli-Fundjavë" tregon formimin si lider i çiklizmit. Nga dita e parë në garë për rastësi e deri tek arritjet e fundit, por edhe qëllimet e mëdha, duke mos harruar hallet dhe peripecitë.

Marrja pjesë në Botëror dhe në një tur të madh është një ëndërr. Por që djali vlonjat është i bindur se mund ta realizojë edhe pse ecën me 112 km në orë mbi dy rrota që janë të gjera sa një gisht, e që mund të frikësojnë çdo kënd vetëm duke e menduar në gjë të tillë.

 

-Besmir si lindi dëshira për çiklizmin?

Faktikisht në që 9 vjeç jam marrë me shumë sporte. Vlora më jepte mundësitë që të merresha me shumë sporte. Fillimisht u mora me not për një vit. E lashë këtë sport dhe hyra në një rrugë tjetër atë të karatesë. Edhe aty u stërvita për disa vite. Në moshën 12-vjeçare skuadra që unë isha u mbyll. Me shpresën që do të hapej sërish prita, por grupi nuk filloi më. Në dhjetor të 2001 rihapej pas shumë kohësh çiklizmi në Vlorë, pas 12 vitesh mungesë.

 

-A e kishit menduar ndonjëherë që do të merreshit me këtë sport?

 

Nuk e kisha menduar asnjëherë të bëja këtë sport. Një biçiklete gare nuk i kisha hipur. Thjesht isha i apasionuar me një "mountain bike", por kurrë një biçiklete rruge. Në atë vit u organizua një garë me amatorët nga të gjithë shkollat e Vlorës dhe unë mora pjesë në këtë garë. Aty spikata. Jo vetëm i pari nga shkolla ime por i pari në këtë garë me një biçikletë normale. Mu afrua trajneri veteran i Flamurtarit dhe më ofroi një vend në skuadër. Plus edhe familja më përkrahu shumë për t'u marrë me një sport dhe për t'u larguar nga ato gjëra që mund të më sillnin pasoja në jetë.

 

-Thatë që kishin pjesë e sportit të karatesë. Hoqët dorë aq shpejt?

 

Po hoqa dorë. Thjesht nuk mendova më për atë sport. Nuk i bëja gjërat me pasion. "Ok"- thashë. Po rri ca kohë dhe më pas mu afrua çiklizmi.

 

Çiklizmi është një sport i vështirë?

 

Shumë. Por ditët e para nuk e mendoja një gjë të tillë. Pas organizimit si skuadër e Flamurtarit vendosa të isha në skuadër. Ditët e para i mendoja si një xhiro me biçikletë. Po dal të lëviz pak por pa një qëllim dhe ide të qartë se do të qëndroja gjatë në këtë sport. Pas disa muajsh xhiroja me biçikletë u kthye në një passion, në një domosdoshmëri të përditshme një rutinë me të cilën nuk qëndroja dot në shtëpi dhe duhet ta bëja. Ishte një 6 muajsh shumë i bukur. Nga shkolla në shtëpi.

U kthye në një pasion të madh. Familja e dinte që ishte një sport i vështirë. Më porosiste që të kisha kujdes dhe të mos lodhesha shumë se e shihnin impenjimin tim. Duhet ta pranoj se kishte edhe ndonjë rrëzim dhe ata bëheshin merak kur vija me gërvishtje dhe të vrara në trup. Sportistët e vjetër më thoshin kujdes se nuk është sport i lehtë. Por këto më hynin nga një vesh e më dilnin në tjetrin edhe pse e dija se mund të dëmtohesha.

 

-"Dashuri" pak nga pak…

 

Po mese e vërtetë. Nga pak afrohesha çdo ditë me çiklizmin. Merresha me biçikletën e laja, e rregulloja mendoja për ditën e nesërme, ku do të ecja dhe cili ishte programi.

 

-Gara e vërtetë juaja?

 

Gara ime e parë ishte në 2002-in. Mora pjesë dhe u shpalla nën kampion i Shqipërisë. Aktivizohesha me para të rinjtë. Ka qenë një emocion i madh. U nis si një xhiro me biçikletë dhe u kthye në profesion.

 

-Ku stërviteshit zakonisht?

 

Në Llogara, Kanina, pjesa e Dukatit por jo deri lart sepse ishte shumë e vështirë.

 

-Gara e parë me të rriturit?

 

Në fund të 2002-it kur unë bëra për herë të parë rrethin çiklistik. U kualifikova në 8-en e parë. Të gjithë më konsideronin më vonë si një talent vlonjat. Që prej asaj koha fillova të jepja rezultate. Pas një viti garat u bënë më të shpeshta. U bë edhe Ballkaniada ku u futa mes më të mirëve. Një herë kampion në Serbi dhe çdo gjë rrodhi normalisht.

 

-Të ecësh në rrugët tona me biçikletë është çmenduri?

 

Është e vërtetë kjo që thoni. Për më tepër që në atë kohë edhe rrugët nuk ishin shumë të mira dhe mund të rrezikoje shumë nga të çmendurit që lëviznin me shpejtësi.

 

-Specialiteti juaj në çiklizëm?

 

Jam specialist në terrenin malor. "Puro skalator"(shprehje e botës së çiklizmit për ata që janë të fortë në malore). Jam sportist që pretendoj ture, pra gara me shumë etapa dhe malore.

 

-Malorja më e mirë dhe më e bukur?

 

Është Llogaraja si nga pjerrësia dhe pejsazhi. Ti mund të stërvitesh dhe kënaqesh me pamjen. Është malorja e Krrabës, dhe e Dhërmiut, Himarës.

 

-Si ishte të merrje pjesë në një rreth çiklistik?

 

Rrethi i parë shumë i vështirë. Etapat ishin të gjata. Në rrugë ishin Lika, Zarka kampionë të vërtetë dhe që i shihja dhe mendoja. A do t'i arrij ndonjëherë këta. Megjithatë kjo kaloi. U kalita nga përkushtimi dhe lodhja në rrugë.

 

-E mendove ndonjëherë ta lije këtë sport?

 

Ka pasur plot momente gjatë garave kur thosha sa të kaloj finishin dhe do ta lë këtë sport. Sa mbaroja garën dhe shkoja në hotel e qetësohesha mendja më shkonte tek gara tjetër dhe stërvitja.

 

-Si ishte të qenit kampion i Shqipërisë?

 

Ishte diçka fantastike, por pas festës direkt i thosha vetes. Tani mendoj për më shumë. Ishte viti 2004.

 

-Më pas kaluat në Itali?

 

Po kaloja tek një ekip italian që ishte profesionist deri në fund të vitit 2007. Për arsye dokumentacioni u ktheva në Shqipëri dhe u futa me ekipin e Apolonisë. U bashkova me ekipin kombëtar. Garova në turin e Rumanisë, Bullgarisë. Dola kampion Ballkani. Më pas kalova tek një skuadër rumune ku garova gjithandej. E shihja diferencën mes çiklizmit në Shqipëri dhe atij të huaj. E shihja si një mundësi. Unë doja që të punoja shumë me djemtë e tjerë. i kishim mundësitë për të bërë gjëra të mëdha, por nuk kishte profesionalizëm nga drejtuesit. Ishim unë Altin Sufa, Leonard Zeneli që aktualisht e ka lënë sportin për arsye të ndryshme, Palion Zarka, Jonid Toska. Në Itali të gjithë mendonin për çiklizmin. Të gjithë mendonin për ty. Të krijonin mundësinë të punoje sa më mirë, duke filluar që nga gjërat elementare e deri të komplikuarat. Por duke u bërë bashkë të jepnin mundësi të bëje gjëra të mëdha në rrugë. Krahasimi si nata me ditën.

 

-Çiklistin e mendojnë si një njeri të madh e të gjatë që duhet të ketë fuqi për të shtyrë pedalet, ndërsa ju shtatshkurtër, i dobët i nxirë nga dielli?

 

Më ka ndodhur shumë shpesh të ndeshem me këtë vlerësim. Në momentin që u them që jam çiklist më shohin me dyshim. Por kur u them emrin më njohin e më thonë se je i vogël.

 

-Si është gjendja e çiklizmit?

 

Aktualisht është në fund, por do të ringjallet shumë shpejt nga ndryshimet e fundit. Ne sportistët do të bëjmë diçka. Duam vëmendje nga klubet dhe federata dhe që çiklizmi të shihet si një sport. Këtu në Shqipëri nuk ka skuadra private. Ky është problemi më i madh. Nëse do të kishte skuadra të tilla do të kishte mundësi për të garuar edhe në gara ndërkombëtare.

 

-Qëllimet e Besmirit për 2013-ën?

 

Aktualisht jam duke u stërvitur për rezultate ndërkombëtare në Europë dhe ture. Rrethi çiklistik nuk është qëllim. Kampionati botëror është një qëllim. Mundësitë janë.

 

-Gara perfekte…

 

Gara që më ka dhënë më shumë emocion ka qenë ajo në 10 tetor 2011 në Itali ku ndeshesha me kampionin e Italisë dhe u ndamë me 10 sekonda. Sa herë që kalonim përmendesh emri im dhe Shqipëria. Një emocion shumë i madh. Nën kampion i trofeut "San Serafino".

 

-Gara më zhgënjyese…

 

Sulmuam 5 veta në një garë në Rumani. Dy bullgar një italian dhe një çek. Në 50 metrat e fundit sulmova dhe në finish më kaluan me 10 cm kundërshtarët e mi dhe u rendita i katërti. Unë duhet të përqendrohem dhe defekti im është se emocionohem shumë në një garë ku e ndihej veten mirë. Këtë gjë duhet ta ndryshoj sepse në të kundërt këtë vit e kam keq

 

-Si ja dilni me financat. Baza materiale është shumë shtrenjtë?

 

Kohët e fundit ka qenë shumë e vështirë për të gjithë çiklistët. Pak a shumë skuadra, vetë personalisht dhe dhurata miqësi. Më shkurt me sakrifica dhe arrin të mbijetosh.

 

 

 

 

 

 

 

"Nuk i ndahem shpejtësisë, kënaqësia është motori"

 

Jeta e çiklistëve është si peshkatarët. Sytë i kanë nga moti. Vetë Besmiri e pranon një gjë të tillë. Por në fjalët e tij kuptohet qartë se për këtë sport ai bën përditë sakrifica, duke vënë jetën ndonjëherë në rrezik. Pranon se dyrrotakët janë pasioni i tij dhe veç biçikletës, motori është kënaqësia e tij e dytë. Jo vetëm kaq. Dëshirat janë pa fund, por të qenit në një tur dhe shkollimi janë planet afatshkurtra.

 

 

-Si është një ditë juaja?

Është një ditë normale. Çohem e shoh kohën. Jemi si puna e peshkatarëve po është ditë e mirë nis programin që kam. Merr atë ushqim që e ke të llogaritur.

-Sa orë stërvitje bëni në ditë?

Tre herë në javë bëj nga 180 km që i bie rreth 6 orë e 30 minuta. Deri tani për 2013 kam bërë 7 mijë kilometra. Deri në fund të vitit 30 mijë kilometra.

-Ke dëshirë të jesh në një tur të madh?

Kjo është  e vetmja gjë që po me mban, po më sprovon, po duroj. Ato gjëra që i kam humbur nga organizimi i mëparshëm po mundohemi që t'i rregullojmë, por dhe duke parë edhe rezultatet që kam arritur në Itali një vit më parë e shoh këtë një tur të madh si një mundësi që mund ta arrij. Edhe me Kombëtaren dhe një organizim të mirë, mund të arrijmë gjëra të mëdha.

-Aksidenteve nuk u ke shpëtuar?

Kam pasur një aksident të rëndë shumë vite më parë në Francë. Isha mes më të mirëve në garën e lojërave olimpike rinore në cirkuitin e Parisit. 300 metrat e fundit u rrëzova dhe pata një dëmtim të rëndë me tre thyerje. Klavikulën, kokën femurit dhe shembje të tjera. Për aksidentet e tjera kam pasur shumë. Më kanë goditur, u jam shmangur.

-Motori sërish një dyrrotak?      

Motori është pasioni im i dytë. E praktikoj një herë në javë. Kur e kam pushim dal e çlodhem dhe nuk u jap këmbëve për gazit.

-Veç motorit?

Dua të mbaroj një shkollë për fizioterapi dhe të jem në sport. Ai më jep gjithçka dhe ka ndikuar jetën time dhe si e jetoj atë. Dua të jap gjithçka që kam ndoshta edhe si trajner.

-Çiklizmi amator është kthyer në modë?

Kjo është gjë e mirë. i shoh çdo ditë e më shumë nëpër rrugë. Jo vetëm të ndihmon fizikisht, por edhe të çlodh nga ngarkesat negative. Është sport që të dobëson pa dëmtuar dhe stresuar trupin. Është sport argëtues dhe të mban në formë.

-Sa është shpejtësia më e madhe që ke arritur me biçikletë?

Në turin e Rumanisë në një zbritje të gjatë 112 km në orë.

-Duhet të jetë shumë emocionuese?

Është adrealinë shumë e madhe. Pas asaj gare që ka qenë e jashtëzakonshme dhe shumë shpejtë nuk më zinte gjumi natën. Ka qenë jashtë çdo imagjinate. Në Llogara kam zbritur me 99 km në orë në momente të caktuara, por jo aq sa atëherë.

-Idhulli juaj në çiklizëm?

Për të gjitha kohërat mbetet Migel Indurain. Ka qenë i jashtëzakonshëm. Kam parë videot e tij. Ishte i kompletuar në çdo specialitet. Është edhe Pantani një malorist i madh.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions